E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në Marubi nis “Java e filmi holandez”

Për të njohur kinematografinë holandeze, publikut shqiptar i ofrohet nga Akademia e Filmit dhe Multimedias Marubi, në bashkëpunim me Ambasadën e Holandës, një javë me filmat më të fundit nga Fondi i Filmit Holandez. Shfaqjet e filmave holandezë në “Marubi” filluan mbrëmë për të vazhduar deri më 22 shtator 2011. Mbrëmë u shfaq filmi “Macja dhe minjtë”, me regjisor Nova Van Dijk. Filmi fliste për Jonas, që jeton duke grabitur mace dhe që ua kthen pronarëve në këmbim të shpërblimit në para që ata ofrojnë për njerëzit që i gjejnë. Ndërkohë që java e filmit holandez do të vijojë me “Shkretëtirë e trishtë”, me regjisor Digna Sinke, një dokumentar prodhim i vitit 2010, që trajton ishullin Tiengemeten, që dikur iu përftua detit, për qëllime bujqësore. Në vitet ‘90 u mor një vendim që toka t'i lihej natyrës për të ndjekur ritmin e saj. Digna Sinke i ndoqi ndryshimet në peizazh për një periudhë më shumë se 13-vjeçare, duke iu bashkëngjitur dokumentarit të saj edhe ndryshimet e jetës personale. Më 20 do të shfaqet filmi “Rregullat e Dirk Janit!”, me regji të Remco Polman. Personazhi i filmit vizatimor holandez Dirkjan është një dështak i lindur. Por tani ai bëhet udhëheqës botëror. “Ferri i '63-shit”, me regji nga Steven de Jong, do të prezantohet nga vetë regjisori, që do të jetë i ftuar në “Marubi”. Pas sigurimit të kushteve të duhura, një garë famëkeqe patinazhi u mbajt në veri të Holandës. Gara 200 km-she duhet të përfundojë në mesnatë dhe kushdo që e përfundon merr një medalje. I bazuar në fakte reale të ditës së tmerrshme më 1963 kur, për shkak të rënies së temperaturave dhe terrenit të vështirë me mijëra patinatorë ngrinë dhe patën lëndime tronditëse, prodhimi tregon sesi vetëm një numër i vogël do ta kalonin vijën e mbarimit të garës. Por për ata që mundën, kjo do të ishte një ngjarje që do t'u ndryshonte jetën e tyre. Ndërkaq, më 21 shtator shfaqet filmi “Dhe deti nuk ishte më”, me regji të Bert Haanstras, për të pasuar me “Para Përmbytjes”, me regjisor Jos de Putter. Ky është një dokumentar i së ardhmes, i vendosur pjesërisht në Holandë në vitin 2070, kur duket se regjisori mendon se pjesa më e madhe e vendit do të jetë nën ujë, duke dashur me këtë dokumentar t’i tërheqë vëmendjen njerëzimit mbi ndryshimet klimatike.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›