Bashkë, zyrtarisht

Hashim Thaçi i ka çuar në fazën përmbyllëse përpjekjet për krijimin e Qeverisë së re, duke nënshkruar të shtunën tri marrëveshje me subjektet partnere.
Marrëveshjen e parë, mandatari për krijimin e Qeverisë e ka firmosur me Behgjet Pacollin në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, pikërisht në sallën ku Thaçi kishte nënshkruar me Fatmir Sejdiun marrëveshjen për koalicionin PDK-LDK në fillim të vitit 2008.
Nga marrëveshja me Thaçin, kreu i AKR’së ka përfituar tri ministri në Qeverinë e re të Kosovës, tre zëvendësministra dhe një zëvendëskryeministër. Pacolli nuk ka arritur të marrë ministrinë e katërt, për të cilën zyrtarë të AKR’së pohuan se kanë “luftuar” deri në momentin e fundit. AKR ka siguruar 8 ulëse në Parlamentin e ri bashkë me partitë në koalicion me të cilat ka garuar në zgjedhje.
Kryeministri në largim ka nënshkruar marrëveshje edhe Slobodan Petrovicin nga Partia e Pavarur Liberale (SLS). SLS e cila ka fituar tetë ulëse në Parlament, nga marrëveshja me Thaçin ka përfituar një zëvendëskryeministër, tri ministri dhe tre zëvendësministra.
Grupi Parlamentar 6 Plus, i cili përbëhet nga Partia turke KDTP, koalicioni Vakat (boshnjak) dhe PREBK (rome) nga marrëveshja me Thaçin ka arritur të sigurojë vetëm një ministri, edhe pse Mahir Yagcilar, i cili ka nënshkruar marrëveshjen, kishte deklaruar më parë se ky grup synon më shumë ministri. Sido që të jetë, ata kanë arritur të sigurojnë një numër të madh të zëvendëskryeministrave, duke i marrë gjashtë.
Thaçi të shtunën nuk ka nënshkruar marrëveshjen me një subjekt tjetër që pritet të jetë pjesë e qeverisë së tij.
Zyrtarë të PDK’së nuk kanë dhënë shpjegime pse me zyrtarët e Listës Ibrahim Rugova, të cilët Thaçi i ka ftuar që të jenë pjesë e koalicionit, nuk kanë nënshkruar marrëveshje.
Njëri nga zyrtarët e PDK’së tentoi me humor ta shpjegojë këtë.
“Jemi lodhur sot”.
E disa zyrtarë tjerë të PDK’së thanë se marrëveshja me Ukë Rugovën do të nënshkruhet sot.
Në “preambulën” e marrëveshjeve për koalicion PDK dhe partitë nuk kanë dhënë shenja për ndonjë program bindës qeverisës. Në vija të trasha aty janë përsëritur zotimet e vjetra të skenës politike në “angazhim për Kosovë europiane, sundim të ligjit, zhvillim ekonomik, ngritjen e mirëqenies dhe integrimet euroatlantike”.
Thaçi: I kemi numrat
Hashim Thaçi dhe Behgjet Pacolli janë shprehur të bindur se nuk do të kenë problem me votat kur të dalin para kuvendarëve të hënën. Aktualisht nuk dihet nëse legjislatura e re, e cila pritet të konstituohet të hënën, do të votojë të njëjtën ditë për zgjedhjen e Presidentit të ri dhe Qeverisë, pasi në rendin e ditës të seancës konstituive nuk parashihet kjo.
Sido që të jetë, Thaçi ka thënë se kjo do të ndodhë të hënën duke thënë se për këtë ka edhe vota të mjaftueshme.
“Tani është mbështetja e rreth 70 deputetëve dhe do të procedojmë në mënyrë shumë të rregullt gjithçka sipas Kushtetutës dhe ligjeve për zgjedhjen e Presidentit dhe të Qeverisë të hënën”, ka thënë Thaçi.
Ai është shprehur i bindur se Pacolli do të votohet edhe nga Grupi Parlamentar i PDK’së, për të cilin përflitet se një pjesë e deputetëve nuk e do kreun e AKR’së për President.
Të shtunën është përfolur që Thaçi deputetëve ua ka bërë një “kërcënim” duke u thënë se ata nuk do të jenë pjesë e listave për deputetë në zgjedhjet e ardhshme nëse nuk e votojnë Pacollin për President.
Zyrtarisht Thaçi thotë se nuk ka probleme me deputetët e tij.
“Deri më tani kemi mbështetje të gjerë, e cila do të jetë një mbështetje që siguron fillimin e shpejtë dhe të mbarë të punës, por natyrisht edhe të përmbylljes me sukses të konstituimit të Kuvendit dhe të gjitha institucioneve këtë të hënë”, ka thënë ai.
Behgjet Pacolli po ashtu pret që të marrë vota të mjaftueshme për t’u bërë President.
“Unë besoj se të zgjedhurit përfaqësues të popullit të Kosovës do të votojnë për zgjedhjen time si President të Kosovës dhe unë prej momentit që ia filloj punës, do të filloj implementimin e të gjitha obligimeve që parashihen me Kushtetutë”, ka thënë ai.
Kreu i AKR’së ka folur edhe për bashkëpunimin me Thaçin, duke përmendur edhe fjalën betim, derisa ka folur për bashkëpunimin me PDK’në.
“Jam i betuar që së bashku me ju, me ekipin e juaj, me ekipin tonë, vetëm e vetëm për interesat e qytetarit të Kosovës për të drejtuar Kosovën drejt shoqërive të civilizuara, për të bërë Kosovën një shtet të civilizuar, ku çdo kush do të ndiejë vetën të jetojë, të veprojë të lëvizë”, ka thënë ai.
Pacolli Thaçit i ka folur edhe për sinqeritet.
“Ju, e them, edhe një herë po nënvizoj, keni mbështetjen time, keni energjinë time, keni sinqeritetin tim, gjithmonë edhe të grupit tim, gjithmonë vetëm për interesat e qytetarit dhe të Kosovës”.
Po ashtu nuk ka munguar as urimi nga ana e tij - për veten dhe për Thaçin.
“Na priftë e mara z.Kryeministër!”, ka thënë Pacolli.
Koalicioni bekohet nga ndërkombëtarët
Hashim Thaçi duket se do të mbajë në “ethe” njerëzit që pritet të jenë pjesë e Qeverisë së re. Zyrtarisht ai nuk ka përmendur asnjë emër që pritet të marrë postin e ministrit.
Kur është pyetur nëse do të përmbushen “kriteret” e kërkuara nga ndërkombëtarët për Qeverinë e re, Thaçi ka thënë se koalicioni ka bekimin e ndërkombëtarëve.
“Përcaktimi për ndërtimin e institucioneve me njerëz kredibilë, të qëndrueshëm dhe natyrisht të përgjegjshëm, ndërtimi i institucioneve sipas standardit është përcaktim i imi, është edhe mbështetje e plotë ndërkombëtare”, ka thënë ai.
“Prandaj do të punojmë të gjithë maksimalisht për të formësuar atë ekip, i cili do t’u shërbejë të gjithë qytetarëve në katër vitet e ardhshme. Do të jetë një ekip i kualifikuar, i dëshmuar, një ekip garancë për implementimin e reformave të domosdoshme. Ky koalicion e ka edhe bekimin e plotë të komunitetit ndërkombëtar, prandaj do të punojmë për Kosovën europiane”, ka shtuar Thaçi.
Sipas shumë analizave, ky koalicion nuk pritet “ta ketë të gjatë”, por Thaçi ka folur të shtunën për një mandat katërvjeçarë, derisa është shprehur i bindur se asnjë nga deputetët nuk do t’ia kthejë shpinën.
“Koalicioni do të jetë i gjerë, i shumanshëm, shumëpërfshirës dhe githëetnik me legjitimitet dhe legalitet qytetar, kushtetues dhe ligjor”.
Thaçi madje është i bindur se ky koalicion do të jetë më i miri që ka pasur vendi ndonjëherë.
“Jam i bindur se do të jetë qeverisja më efektive në historinë politike të Kosovës deri më tani. Ka pasur koalicione me numra shumë, por nuk ka pasur efektivitet në punë”, ka thënë ai.
Zyrtarë të partive që kanë nënshkruar marrëveshjet me Thaçin, Slobodan Petrovic dhe Mahir Yagcilar kanë thënë se “do të punojnë për të gjithë qytetarët e Kosovës” si dhe kanë theksuar nevojën që institucionet të themelohen sa më parë.
Me marrëveshjen për koalicionin, PDK ka marrë shumicën e ministrive, derisa sipas marrëveshjeve që janë nënshkruar të shtunën, partive të koalicionit u janë ndarë 7 ministri.
PDK nuk ka bërë publike të shtunën cilën ministri do t’ia japë Listës Ibrahim Rugova.
Marrëveshje e AKR’së me PDK’në
President, Behgjet Pacolli
Zëvendëskryeministër, Muhamet Mustafa
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ministre Mimoza Kusari-Lila
Ministria e Shëndetësisë, Ministër Ferid Agani
Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ministër Agim Çeku
Tre Zëvendësministra
Marrëveshje e SLS’së me PDK’në
Një Zëvendëskryeministër
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal
Ministria për Kthim dhe Komunitete
Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale
Tre Zëvendësministra
Marrëveshja e Grupit 6 Plus me PDK’në
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor
Gjashtë Zëvendësministra