E Shtunë, 31 Tetor 2026

Enigma e vetëvrasjes

Luan Ademaj nga Loxha e Pejës, pjesëtar i vetëvrarë i Policisë Kufitare, besohet se arsyet përse e ka bërë këtë akt radikal i ka sqaruar në letrën e shkruar para se me revolen e tij t’i jepte fund jetës. Por, atë letër e ka policia që është duke kryer hetimet. Familja shpreson në një shpjegim të shpejtë të organeve për përmbajtjen e letrës, që sadopak t’u lehtësohet dhembja. Nga Jeton Musliu më 20 shkurt 2011 në ora 10:46

Enigma për të ditur arsyen përse Luan Ademaj, pjesëtar i Policisë Kufitare, vendosi t’i japë fund jetës duke u vetëvrarë me pistoletën zyrtare, nuk po e lë të qetë familjen e tij.

Tash, Zeneli dhe Zeka, dy vëllezërit e Luanit, të gjitha shpresat për të zgjidhur enigmën e kësaj vetëvrasjeje i kanë varur në letrën që i ndjeri e ka shkruar para se ta vriste veten.

“Po presim edhe ne se çfarë do të thonë policia pasi t’i bëjnë hetimet”, thotë Zeneli, vëllai i madh i Luanit të ndjerë, i cili ka udhëtuar nga Kanadaja për në Loxhë.

Përveç zbardhjes së enigmës së përse Luani i ka dhënë në këtë mënyrë fund jetës së tij, pengu tjetër për Zenelin është pamundësia që ai ta shihte për herë të fundit vëllanë më të vogël.

Kështu familja Ademaj duket ende në gjendje shoku dhe nuk arrin të kuptojë përse 37 vjecari, babai i tre fëmijëve, i ka dhënë fund jetës.

“Atë natë, gruaja e tij ka qenë mysafir te babai i saj së bashku edhe me tre fëmijët”, tregon Zeneli momentet e fundit të 13 shkurtit, ashtu siç familjarët i kanë rrëfyer.

“Kur gruaja e tij me fëmijë dhe babanë e saj dhe tonin kanë ardhë në shtëpi, në mbrëmje, i kanë gjetur dyert e mbyllura dhe pasi kanë hyrë, e kanë parë çfarë ka ndodhur”, rrëfen për Express vëllai i madh i Luanit të ndjerë.

Pastaj është lajmëruar policia, e cila në vendin e ngjarjes duket se ka gjeture dhe letrën e cila pritet të qartësojë më shumë rreth motiveve që kanë shtyrë Luanin të vrasë veten.

Sigurisht, në ato momente të rënda duket se askujt nuk i ka shkuar në mendje të shikojë letrën e shkruar nga Luani, pjesëtari i Policisë Kufitare të Kosovës, që ka shërbyer në pikën kufitare të Kullës, ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

“Ndoshta policia di më shumë sesa ne për motivet e rastit”, thotë Zeneli, të cilin në bisedë e plotëson vëllai i tij më i vogël, Zeka.

“Ne besojmë se ajo letër mund të jetë çelësi i misterit për vetëvrasjen e vëllait tonë”, thotë Zeka për Express, vëllai më i vogël.

Lidhur me spekulimet se Luani ka vrarë vetën për shkak të presioneve të ndryshme, vëllezërit Ademaj nuk e besojnë këtë.

“Ne nuk dimë asgjë sepse ai nuk na ka thënë diçka të tillë dhe nuk kemi vërejtur diçka ndryshe tek ai. Por, nuk besoj se kjo mund të jetë e vërtetë sepse ai nuk ka qenë i vetmi që ka punuar në atë pikë kufitare”, thotë Zeneli për Express.

Ndërkohë, zyrtarë të Policisë së Kosovës nuk janë në gjendje të japin tash për tash asnjë informacion më shumë në lidhje me këtë rast.

Sipas tyre, hetimet ende janë duke vazhduar dhe se detajet nuk mund të bëhen publike për shkak të mundësisë së dëmtimit të tyre.

Pavarësisht kësaj, Xhevat Ibra, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, ka treguar një ditë më parë për Express se janë duke u hetuar të gjitha pistat e mundshme.

Por, sipas familjarëve, nëse të gjitha motivet mund të hetohen, ata janë të sigurt se Luani nuk është vetëvrarë për arsye familjare.

“Krejt çfarë dimë është se vëllai ynë nuk ka pasur kurrë probleme me familjen e tij”, thotë Zeka për Express, duke hedhur poshtë mundësinë që arsye të tilla ta kenë çuar të vëllanë në vetëvrasje.

Kjo është hera e parë që një pjesëtar i Policisë së Kosovës vetëvritet, ndërkohë që numri i tyre që janë vrarë në rrethana të ndryshme që nga krijimi i saj është njëmbëdhjetë persona.

Aktualisht, hetimet për këtë rast është duke i kryer Njësiti i Hetimeve Rajonale, sektori për Krime Serioze.

I ndjeri ka lënë pas vetes gruan dhe tre fëmijë, djalin 9 vjeç dhe dy vajza, njërën 5 dhe tjetrën 12 muajsh.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›