E Shtunë, 31 Tetor 2026

Keq me imazh

Nga Express më 19 shkurt 2011 në ora 21:25

Me gjithë fushatën disa milionëshe për përmirësimin e imazhit të Kosovës dhe reklamat që u dhanë në televizionet me renome ndërkombëtare, analistët vlerësojnë se Kosova sot nuk mund të mburret me reputacionin e saj.

Imazhi ndërkombëtar i vendit, sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, është dëmtuar mjaft kohëve të fundit dhe kontribut për këtë kanë dhënë manipulimet gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare dhe raporti i Dick Martyt.

Që këto dy ngjarje, sipas ushtruesit të detyrës së drejtorit të Institutit KIPRED, Krenar Gashi, kanë goditur rëndë imazhin e shtetit të ri.

“Parregullsitë në zgjedhje e kanë dëmtuar imazhin e Kosovës më shumë sesa raporti i Dick Martyt. Një gjë duhet të kihet parasysh, se mediet ndërkombëtare fokusin në Kosovë e kanë zakonisht në çështjet makro-politike, e jo stabiliteti politik në vend, te misionet e shumta ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë dhe të gjitha këto ndikojnë që nga Kosova të mos ketë lajme të tjera nga kultura, por vetëm lajme makro-politike, të cilat nuk janë të mira dhe nuk i kontribuojnë imazhit të Kosovës”, tha Gashi për Radion Evropa e Lirë.

Edhe përfaqësuesit e Klubit për Politikë të Jashtme konsiderojnë se reputacioni ndërkombëtar i Kosovës ka pësuar goditje të rëndë, sidomos pas raportit të Martyt dhe zgjedhjeve të fundit.

Ardian Arifaj konsideron se për të ndërtuar një imazh të duhur, Kosovës do t’i nevojitet shumë kohë. E, fajtorët kryesorë, sipas Arifajt, janë përfaqësuesit e institucioneve.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›