E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkëbisedim i Kryeministrit Berisha me banorë të njësisë bashkiake, nr.5, në Tiranë

Kënaqësia e madhe është e imja ndaj unë së pari dua tu shpreh ju, mirënjohjen time më të thellë nderimin më të madh për praninë tuaj sot këtu.

Ne kemi hyrë sot në startin përfundimtar drejt fitores së sigurt, e cila po pret me padurim datën 23 qershor  që me dashurinë tuaj ,me përkushtimin tuaj, entuziazmin tuaj ajo të pushtojë mbarë Shqipërinë, por entuziazmi i fitores, përkushtimi ynë ndaj saj janë të një rëndësie përcaktuese dhe po kaq të rëndësishme janë përpjekjet tona për një betejë me ide, për një beteje me projekte, për një beteje me projekte dhe ide,  të cilat kanë si qëllimin më themelor ndryshimin e jetës për mirë të qytetarëve, kanë si qëllim më themelor përgjigjen më të mirë ndaj problematikës së tyre imediate dhe perspektive, kanë si qëllim themelor rritjen e kontributit për çdonjërin prej nesh për zhvillimin e këtij vendi, rritjen e potencialeve për mirëqënie më të madhe, për rroga më të mëdha, për integrim më të shpejtë në BE. Kjo alternativë është përpunuar gjatë këtyre muajve më gjerësisht se kurrë dhe më në thellësi se kurrë, nga mendimi i qytetarëve, por kjo alternativë duhet të vazhdojë të pasurohet gjithnjë e më shumë, në mënyrë që të lëre alternativën tjetër, e cila e bazuar kryekëput në nihilizëm, në mohime, në sajime dhe trillime, alternativë ajo që është pa të ardhme, por alternativë që të shton përgjegjësinë ndaj nesh sepse në rast se kundërshtari do të kishte një alternativë serioze, natyrisht fusha në tërësi do të ishte më e plotë, por kur alternativa është një kaos dufesh, mllefesh ,urrejtjesh, sharjesh, trillimesh, atëherë ne duhet të jemi edhe shumë më të vëmendshëm në alternativën tonë, të cilën duhet ta bëjmë edhe shumë më të përshtatshme për çdo qytetar.

Këto 10 ditë, beteja jonë është të pushtojmë mendjet dhe zemrat e sa më shumë socialistëve shqiptarë, me të cilët ne duhet të ndajmë projektin tonë për të ardhmen e tyre, të ardhmen europiane. Historia është histori dhe ne nuk kemi punuar për historinë, por e vërteta është se dy gishtat janë ata që përmbysën diktaturën, janë ata të cilët anëtarësuan Shqipërinë në KE, janë ata të cilët anëtarësuan Shqipërinë në NATO, janë ata të cilët hoqën vizat, janë ata, të cilët do ti japin Shqipërisë statusin e vendit kandidat.

Ndaj dhe duhet që në këtë udhëtim tonin, në këtë projekt tonin, që pothuaj është projekt i të gjithë shqiptarëve, të bashkohemi me sa më shumë qytetarë shqiptare, të ulemi, të debatojmë, të dëgjojmë të pranojmë vërejtjet e tyre, të paraqesim argumente tona dhe këto do të na pasurojnë gjithnjë e më shumë.

Unë jam këtu mes jush për të dëgjuar mendimet tuaja, për të dëgjuar vërejtjet tuaja, të cilat kanë dhe do të kenë objektiv më madhor, një zhvillim më të shpejtë të vendit, një qeverisje më të mirë për ju.

Ju faleminderit shumë

-Unë jam një banor i njësisë nr.5 me profesionin mjek, i licensuar. Pyetja ime është se çfarë do të bëhet për punësimin e mjekëve të rinj dhe për specializimin e tyre të mëtejshëm në fusha t ndryshme të mjekësisë.

Kryeministri Berisha: Pyetje me shumë vend. Duhet të dimë një gjë, a jemi ne, në nivelin e duhur në mjek për frymë të popullatës? Jo nuk jemi. Ne kemi mbetur mbrapa dhe s kemi qene, por gjithnjë me rritjen e standardit, del në pah një numër më i vogël mjekesh se sa duhet të jetë. Ne nuk kemi në rregull shpërndarjen e tyre dhe kjo shpërndarje nën një vend të lirë është e vështirë të behet  në diktat. Kjo shpërndarje duhet të bëhet me stimuj. Kjo shpërndarje duhet të bëhet me krijim kushtesh, por në çdo rrethanë rajonizimi i sistemit shëndetësor ka një rëndësi kapitale për kujdesin shëndetësor.

Ne kemi  një rajonizim, por nuk kemi një shpërndarje të forcave, të mjekëve në mbarë Shqipërinë. Në mënyrë të përsëritur i kam kërkuat ministrisë së shëndetësisë dhe i kërkoj që të organizojë të gjithë sistemin e stimujve, që mjeku ë qëndrojë për kohën që i intereson atij, jo i detyruar, por mbi bazën e një kontrate sipas vullnetit të lirë, në çdo skaj të Shqipërisë , në përputhje me shpërblimin që i akordohet.

Përsa i përket specializimit ka një debat. Në cdo spital rajonal, në  çdo qendër shëndetësore ka një organikë, e cila përballohet me taksat  e taksapaguesve, organikë  e cila synon të plotësojë në atë nivel rajoni, nevojat e qytetarëve dhe natyrisht ajo organikë nuk mund të ketë 10 kardiologë, se vetë incidenca  e sëmundjeve të zemrës nuk është më e madhe se sa për dy dhe qeveria nuk mund të paguajë më shumë se dy, sepse do të ishte një abuzim me taksën e qytetareve. Tani janë një numër shumë i madh mjekësh që duan të bëhen kardiolog, gastrolog apo të tjera, jashtë çdo lloj kapaciteti të organikave. Diskutimi është ky, qeveria duhet të paguajë detyrimisht ata të cilët ajo ka nevojë të plotësojë organikat. Qeveria nuk mund të pengojë ata të cilët me dëshirën e tyre duan të bëhen kardiologë, por natyrisht nuk mund të marrë përgjegjësinë që shpenzimet  e tyre për shkak të dëshirës që ka. Në këtë rast mendimi im është që atyre dyert tu mbahen të hapura por shpenzimet të përballohen vetë. Ai ka të drejtë të kërkojë të bëhet specialist, sepse ai mund të kërkojë të hapë kabinet privat, së dyti ai mund të punësohet në ë spital privat. Së treti, ai mund ta kërkojë këtë profesion për të plotësuar veten e tij në njohuri. Të gjitha këto së bashku janë arsye për të mos e penguara atë brenda kapaciteteve që ka klinika. Ky është qëndrimi im ndaj këtij problemi. Si përfundim, fakulteti i mjekësisë duhet të shtojë në mënyrë të ndjeshme numrin e studentëve ,ose të hapi një fakultet të dytë sepse faktikisht kemi një numër të vogël mjekësh për frymë të popullsisë dhe këtë duhet ta korrigjojmë.

-Përshëndetje zoti kryeministër. Unë jam diplomuar për gjeografi dhe synimi im është të punësohem në arsim. Desha tu pyes se çfarë do të bëhet lidhur me pagat e arsimtarëve?

Kryeministri Berisha: Arsimtarët në piramidën e administratës janë nga 75 mijë punonjës që ka administrata qendrore, 45 mijë janë arsimtare. Ne një nga veprimet më të goditura që kemi bërë ishte rritja e madhe e rrogave të tyre, e cila u ndje në të gjithë administratën. Sot një mësuese merr 14 rroga në vit më shumë se sa merrte në vitin 2005. Ne do të vazhdojmë rritjen sepse ne besojmë se rritja  e rrogave dhe pensioneve është e domosdoshme, si investim në kapitalin njerëzor, rritja  e pensioneve është një çështje humane, e cila nuk duhet të ndërpritet kurrë sepse sado që ti rrisësh ato prapë të vogla mbeten. Ndaj dhe ne kemi vendosur rrogën 700 dollarë si nivel për të arritur gjatë mandatit që vjen dhe ne do ti përmbahemi kësaj.

-Kam vite që është folur për statusin e mësuesit dhe u bënë vite që ne mësuesit nuk e kemi këtë status. Çfarë do të bëjë qeveria lidhur me këtë çështje?

Kryeministri Berisha: Qeveria është e vendosur ti japë statusin mësuesit pa asnjë lloj hezitimi. I vetmi problem që ka qenë dhe mbetet është se statusin nuk mjaftojnë  vitet e punës. Statusi kërkon edhe disa kushte të tjera si niveli i arsimit, shkalla e kualifikimit, etj. Ne po punojmë për të vendosur një sistem permanent kualifikimi dhe vendosja e këtij sistemi bën plotësisht të mundur statusin e tij. Nuk kemi asnjë lloj hezitimi apo kundërshtimi që mësuesi të ketë status. Në punën tonë ne jemi përpjekur që ti privilegjojmë në kuptimin që në tërësi në shkallaren e rrogave shumica e vendeve, mësuesit i vendosin nën mesataren, ndërsa ne i kemi vendosur mbi mesataren dhe me qëllimin e vetëm që çdo rritje rroge, ata të ruajnë pozicionin dhe të jenë të mirëshpërblyer. Sot për sot, këto nuk janë rroga kushedi se çfarë, por me kalimin e kohës këto do të ecin më tutje. Ne jemi në grupin e vendeve që i kemi vendosur mësuesit mbi nivelin mesatar të rogave të administratës.

Ne kemi thënë që çdo institucion duhet të ketë psikologun e tij. Rezultojnë institucione që nuk i kanë psikologët dhe të tilla janë edhe shumë shkolla, një prej tyre është edhe shkolla e Laknasit, ku unë kam pasur kënaqësinë që të shkojë. Çfarë do të bëhet me ta, pasi ka fluks psikologësh që dalin në treg dhe nuk kanë punë. Një tjetër institucion që nuk ka psikolog është edhe materniteti “Mbretëresha Geraldinë”. Unë nuk përfaqësoj të gjithë psikologët, sepse ka edhe psikologë që janë në punë, por mendoj se shkollat e kanë të nevojshëm psikologun. Ndaj do t’ju lutesha që në këtë mandatin e tretë që do të merrni, pasi është e sigurt që do ta merrni, të bëhet e mundur që psikologët të jenë të pranishëm në shkolla.

Kryeministri Berisha: Absolutisht jam shumë dakord me ju. Është një zë i domosdoshëm që akoma nuk dëgjohet sa duhet. Kjo ka shpjegimet e veta, për vetë faktin se para 20 vitesh nuk ekzistonte dhe drejtuesit ende nuk kanë vetëdijen se çfarë rëndësie kapitale ka ky profesion në çdo problem social. Në tërësi në universin e asaj që mund të quhet sociale, psikologu ka një rol të pazëvendësueshëm. Ky shqetësim është ngritur edhe nga të tjerë. Ne do të ngarkojmë një grup për të studiuar të gjithë organigramën dhe përfshirjen e psikologut si kusht i domosdoshëm në çdo pozicion që duhet të jetë. Kjo është zgjidhja. Kjo është një domosdoshmëri e madhe që nga kopshti deri në shkollë të lartë. Gjithashtu, janë edhe me dhjetëra institucione të tjera që e kanë të domosdoshëm psikologun dhe rolin e tij. Ne do të ngremë një grup që të hartojë një projekt të qartë të vendosjes së psikologëve.

Unë jam banorë e njësisë nr. 5 dhe jam pensioniste. Ne kemi nipa e mbesa. Çfarë do të bëjë këshilli bashkiak me zotin Basha për një park për fëmijët, se nuk kanë ku të luajnë nipat e mbesat. Ju uroj shëndet dhe fitore!

Kryeministri Berisha: E vërteta është se këtë problem e kemi diskutuar me kryetarin e bashkisë. Kjo është një mungesë shumë e madhe për Tiranën dhe jam i bindur se shpejtë do t’i jepet zgjidhja më e mirë. Tirana meriton një park ndër më të pasurit për fëmijët, jo vetëm të Tiranës, por edhe të të gjithë zonave përreth. Ne këto ditë bashkohemi me Elbasanin. Durrësi ja ku është. Kështu që do të bëjmë gjithçka për një park ndër më të pasurit në lodra për fëmijët.        

Unë jam banore e njësisë nr. 5 dhe kam ardhur nga Moska vetëm për të votuar. Unë kam mbaruar studimet për Marrëdhëniet Ekonomike Ndërkombëtare. Studentët që vijnë nga jashtë çfarë perspektivash do të kenë për punësimin?

Kryeministri Berisha: Njëherë të falënderoj shumë për vendimin që ke marrë, të vish edhe të votosh. Ky është një vendim jashtëzakonisht i rëndësishëm edhe i drejtë. Së dyti, ne bëjmë përpjekje serioze dhe ato janë jo pa rezultat për integrimin e tyre. Në këtë kontekst po të jap një të dhënë. Në vitin 2005 administrata shtetërore ka pasur vetëm 1 përqind të saj të shkolluar jashtë, sot ka 21 përqind. Natyrisht, administrata punëson një pjesë. Një pjesë të madhe e punëson sektori privat. Nxitja dhe inkurajimi i sektorit privat është i rëndësishëm, pasi ai është gjeneratori kryesor i vendeve të punës. Administrata ka bërë dhe bën përpjekje për përmirësimin e vazhdueshëm të shkallës së kualifikimit dhe shkollimit të punonjësve të saj.

Ju faleminderit për prezencën. Duke qenë se para tre viteve unë dola si një ndër studentet e rrjetit të ekselencës, sa prioritet kam unë për të qenë një mësuese definitive.

Kryeministri Berisha: Mendoj se prioriteti yt duhet të jetë absolut. Ju siguroj se po përpiqem dhe do të përpiqem. Më të mirëve duhet detyrimisht t’ua shpërblesh djersën. Ai që arrin ato nivele ka kaluar një proces privacie gjatë gjithë kohës së tij. Ai ose ajo me një përkushtim të madh kanë arritur në atë nivel. Unë personalisht jam përpjekur dhe do të përpiqem që ata të mbështeten sa më shumë. Sikundër, ne do të bëjmë çdo gjë që doktoratat të kenë vendin e vetë. Natyrisht, administrata ka një numër të kufizuar edhe kjo qëndron, por besoj se ajo ka kapacitet për të absorbuar ekselencat.

Zoti Kryeministër, unë jam kryetar i Sindikatës së Pavarur të Artistëve të Shqipërisë. Së pari ju falënderoj për vlerësimin që ju i keni bërë artistëve, pasi paga e tyre tashmë është rritur mbi 120 përqind. Ju i keni premtuar artistit për Statusin e tyre, i cili ka përfunduar nga ministria dhe së shpejti do të kalojë në qeveri. Ne kërkojmë që ta kaloni në qeveri, duke shpresuar që në Parlamentin e ardhshëm të miratohet. Së dyti, teatrot e rretheve çdo ditë e keqësohen. Bashkitë treguan se nuk janë të afta t’i mbajnë teatrot. Ne mendojmë që në ligjin aktual të futet një nen që për ata artistë me paga të ulëta, të cilët janë në Elbasan, Korçë, Shkodër, etj., t’u rriten pagat e tyre.

Kryeministri Berisha: Ne kemi komunikuar me mesazhe së bashku. Ju e keni ngritur këtë çështje në mënyrë të përsëritur dhe unë në mënyrë të përsëritur i kam kërkuar ministrit të Kulturës që të finalizojë sa më shpejtë ligjin për Statusin e Artistit. Unë jam plotësisht në favor të Statusit të Artistit. Gjithashtu, unë jam plotësisht në mbështetje të një mekanizmi më të favorshëm financiar për artistët, mekanizëm i cili duhet të shpërblejë talentin kryesisht, por edhe duhet të ekzistojë. Në mungesë të një mekanizmi të tillë, ne për institucionet kombëtare ndërmorëm një rritje të konsiderueshme të rrogave, të merituar plotësisht.

Problem serioz janë institucionet e qyteteve, të cilat është e vërtetë që nuk i mbështesin në shkallën e duhur artistët. Disa herë jam menduar, por po t’ua heqim nuk mund të konceptohet bashkia pa teatër. Bashkia duhet ta ketë teatrin. Ndaj dhe ne do ta shqyrtojmë.

Së pari, statusi do të kalojë në qeveri dhe në Parlament. Për këtë dua të sigurosh të gjithë komunitetin e artistëve. Së dyti, do të gjejmë mënyrat, ndonëse nuk është shumë e thjeshtë, për të përcaktuar një shpërblim tjetër për artistët, kudo që janë.

Të të them diçka. Ne ia trefishuam bashkisë së Tiranës grantet. Ne sa erdhëm në pushtet në vitin 2005 ndoqëm një tjetër koncept, i cili ka funksionuar shumë mirë në tërësi. Ne thamë që jemi partner me qeveritë vendorë, për të investuar bashkë me ta, të investojmë për qytetarët, por kjo nuk ndodhi në disa bashki. Kjo nuk ndodhi në Tiranë. Ne trefishuam paratë, ai trefishoi punonjësit me militantë partie. Kjo është e vërteta. Edhe ne po të donim mund të trefishonim administratën, por vjen një ditë edhe të bie çatia, po ece në atë mënyrë. Kështu që në këtë ligj mund të parashikohet një trajtim i veçantë edhe për ata, sepse me atë trajtim nuk përballon as jetën, as skenën. Ne do t’i mbështesim. Ne jemi përpjekur për këta kombëtarët. Akoma nuk është konsoliduar cirku, por do ta mbështesim më shumë. Edhe Teatri i Komedisë po shkon drejt konsolidimit. Çdo shtet mbështet institucionet e kulturës.  Këta dalin me një teori për tregun. Dakord për tregun, por kultura kudo subvencionohet. Edhe Hollywood-i subvencionohet. Filmat i bëjnë, por dikush i subvencionon, privat apo shtet.

Jam  një banor i njësisë 5 dhe desha të di se çfarë programi ka PD për infrastrukturën?

Kryeministri Berisha: Infrastruktura  e Tiranës është një nga problemet më madhore dhe ju e përjetoni vetë. Unë e di që Tirana jashtë qendrës ka një infrastrukturë të botës së tretë. Dal dhe vetë dhe e konstatoj këtë. Ka një infrastrukturë të papranueshme, pothuaj në çdo skaj jashtë akseve kryesore. Kam shkuar para dy vitesh tek një mik i imi tek 21 dhjetori dhe aty desh u thye makina, nga gropat e paimagjinueshme. Por e vërteta është që investimet janë shtuar në mënyrë të ndjeshme. Bashkia ka rritur buxhetin, ka përmirësuar performancën fiskale, nuk mashtron ashtu si ish kryetari që thoshte mbolla 5 mijë pemë dhe i bënte paratë rrush e kumbulla dhe pemë nuk mbillte fare.

Ne do të financojmë infrastrukturën e Tiranës, derisa Tirana të asfaltojë çdo rrugë dhe rrugicë të saj, derisa Tirana të rikualifikojë të gjitha sheshet e pallateve, sepse Tirana aktualisht ka 250 kilometra rrugë dhe rrugica të paasfaltuara, tërësisht në baltë.

Isha dje tek “Ali Demi” dhe  50 metra apo 100 metra mbi zonën ku po bisedonim një banor tiranas më tregoi rrugicat, të cilat ishin siç janë hapur në vitin 1950, pa vënë dorën njeri mbi to dhe si ato janë hë të 4 anët  e Tiranës, ndaj dhe këtë vit kemi shtuar fondin, edhe atij ia shtonim fondin, por ai e bënte rroga. Qeveria po ndërhyn me projekte të mëdha. Kjo unazë që po bëhet këtej do të ishte përfunduar 2 vjet më parë, në qoftë se zotëria  e tij nuk do e mbante peng. Kjo Unazë kalon në Farkë dhe në Tiranë, por Farka është komunë  e veçante  dhe për ta përfshirë në Tiranë Farkën, duhet bërë referendum, ka një seri procedurash. Atëherë Banka Evropiane i thoshte atij , ndërtoni një komision të përbashkët me qeverinë. Normalisht atë duhet ta ndërtonte qarku, por nuk pranonte kurrësesi për qarkun dhe as me qeverinë jo. Tani Unaza do të ndërtohet, do të ndërtohet e gjithë unaza, do të rindërtohet e tërë infrastruktura  e kryeqytetit.

Jam një ish punonjëse në fakultetin e shkencave të natyrës. Ju bashkova lëvizjes studentorë të viti 90 dhe sloganit të saj ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa. Ju na sollët zhvillimin dhe na hapët dyert  e Evropës. Ju na keni shpjeguar lidhur me taksën e sheshtë dhe taksa të tjera. Por unë dua të pyes A mund të zhvillohet një shtet pa taksa ashtu siç propozon kryetari i opozitës. Kam gjithashtu një lutje. Mos i lini të reja dhe të rinjtë pa punë se pastaj edhe ata marrin rrugën e mërgimit siç  e morën fëmijët tanë.

Kryeministri Berisha: Zonja Murraj unë ju falënderoj ju shumë për mbështetjen dhe çështjet që ngrite. Unë  e dëgjoj atë dhe është absolutisht klisheja e diktaturës. Të rinjtë këtu nuk e njohin, por ne të tjerët e mbajmë mend kur nga mëngjesi deri në darke dhe çdo ditë na thuhej se jemi i vetmi vend pa taksa. Dhe po të llogarisje me lapsin e ekonomistit që se shpallte dot kush, ne ishim të vetmit njerëz në botë që punonim 8 muaj për shtetin , i cili kishte gjetur një mekanizëm që inflacioni nuk ekzistonte dhe ai shpallej zero çdo vit. Vetëm inflacioni sa na rëndonte ne dhe plus çfarë merrnin në ushqim çdo taksë që merrej, ekonomistë të shquar kishin llogaritur se ne 8 muaj punonim për qeverinë dhe 4 muaj për veten tonë.

Ky zotëri është i zhveshur nga çdo koncept i ekonomisë dhe është jo vetëm kaotik, por është dhe shumë malinj sepse ky thotë do të rrisë taksën e të ardhurave personale. Taksa e të ardhurave personale është taksa, e cila është faktuar nga studimet më serioze që rrënon më shumë ekonominë, e rrënon sepse është taksë mbi personin. Dhe ai njeri i cili krijon thotë përse më shpall mua armik dhe ata ikin duke u përpjekur të shpëtojnë nga taksat e larta. Ky pikërisht këtë taksë ka kapur , do të risë taksën mbi të ardhurat personale. Unë do të bëj një sqarim këtu. Ne jemi parti e taksave të ulëta. Ne besojmë se paratë në duart e qytetarit dhe të sipërmarrësit janë më të dobishme për shoqërinë sesa në duart e qeverisë. Kjo është  filozofia jonë. Pse është më e dobishme? Kjo, sepse ai investon më shumë se qeveria; krijon më shumë vende pune; gjeneron më shumë pasuri me to dhe ajo pasuri kthehet në taksa për shoqërinë. Ne këtij mekanizmi i besojmë. Kjo praktikë është faktuar një sukses absolut i padiskutueshëm dhe një sukses i qëndrueshëm. Njeriu që e aplikoi më me sukses këtë ishte Margaret Thatcher dhe më vonë Regan. Ama diçka, ajo s’është më sot. Britania e Madhe mund të ketë pasur shumë kryeministra, por vetëm njëri prej tyre ka lenë izmën mbrapa. As Churcill se ka lenë. E ka lënë Thatcher-izmi. Thatcher-izmi është besimi tek liria e individit. Respekto lirinë e tij, sepse ai krijon. Në këtë mënyrë, Britaninë që po rrokullisej nga ana ekonomike e ngriti dhe e bëri përsëri fuqi botërore ekonomike të klasit të I-rë. Ne këta jemi. Ne i besojmë kësaj filozofie. Kur ne vendosëm taksën e të 10-vë, qëllimi më kryesor ishte që biznesmenët të deklarojnë të ardhurat, të mos i fshehin. Kjo funksionoi kaq shumë, saqë në vitin 2012 ne kemi pasur të ardhura dy herë më shumë se në vitin 2006. Kjo funksionoi, sepse në 6 vite ne kemi pasur të ardhura 9.2 miliardë dollarë më shumë. Se me çfarë ndërtuam rrugët dhe shkollat, me çfarë i  rritëm rrogat? Ne i besojmë.

Të dashur miq, secili prej jush le të marrë dhe të lexojë të gjitha raportet ekonomike për Shqipërinë. Duhet të dini se në qoftë se ka diçka që për çdo vend sot trajtohet me lupë nga institucionet kombëtare, ajo është ekonomia. Kjo është kohë krize. Juve mund t’ju vijë çudi, por absolutisht  dosja e Shqipërisë është trajtuar nga njerëzit më të shquar të ekonomisë në këto institucione. Dhe jo vetëm e Shqipërisë. Kjo, sepse është kohë krize dhe rreziku. Që të gjithë, pa përjashtim, deklarojnë se Shqipëria e ruajti rritjen, nuk ra në recension. Pa përjashtim, deklarojnë se kjo erdhi nga reformat që mori qeveria para fillimit të krizës.

Çfarë thotë ky? Ky kërkon që trendi i investimeve në Shqipëri të ndërpritet. Ai kërkon që investitorët e huaj të largohen. Këtu ka diçka. Edhe një herë them që ky është një piktor i dështuar dhe nuk ka një koncept ekonomik. Për t’u bindur për këtë, ju mund të pyesni çdo ekonomist që njihni. Ju lutem pyetini, sepse ekonomia është diçka serioze. Aq sa duket e pavarur nga politika, por nuk ka asgjë më të varur nga politika sesa ekonomia. Kjo, sepse ndikon në procesin e licencimeve, ndikon në transparencë, etj. Por ky nuk ka asnjë haber. Ky elaboron një qëndrim. Nga i vjen ky qëndrim? Ky qëndrim i vjen kryekëput nga Koço Kokëdhima. Unë e kuptoj që kjo është e vështirë për t’u besuar, por merrni gazetat e tij ku investimet e huaja quhen neokolonializëm. Dhe jo në një shkrim, por në një seri shkrimesh shpallen si forma të neokolonializmit. Vendi që merr për shumë kohë investime në një kohë më shumë se Evropa ishte Britania e Madhe. E paskan kolonizuar Britaninë e Madhe investimet? Këto janë koncepte arkio marksiste. Ky vetë është, nuk po them tabula rasa, por është aty afër. Ai është piktor, piktor i dështuar. Kaq është ky në ekonomi. Dhe të gjitha këto, një për një, ia dikton mentori i tij Koço Kokëdhima.

Unë u gëzova njëherë kur tha se kam një profesoreshë të shkëlqyer dhe foli për të shoqen. Epo mirë thashë, do ta dëgjoj, sepse ajo njeh privatizimet. Ajo ka punuar në administratën time. Përkundrazi, ai njeh vetëm Koçon dhe dogmën e Koços. Kjo është e vërteta.  

Unë jam pensioniste dhe vij nga SHBA për t’i dhënë votën Partisë Demokratike. Unë jam shumë e lumtur që ju shikoj ju dhe gjithë popullin shqiptar që është i entuziazmuar, si dhe të falënderoj nga zemra për të persekutuarit. Na ke ndihmuar shumë, aq sa ke pasur mundësi. Ne që vijmë nga jashtë shohim një ndryshim të mrekullueshëm. Tirana është zbukuruar. Faleminderit shumë për gjithçka  që keni bërë për popullin dhe për ne të persekutuarit.

Kryeministri Berisha: Edhe unë ju shpreh mirënjohjen më të thellë për vendimin tuaj për të ardhur për votime këtu. Ky është një mundim i jashtëzakonshëm për ju, por njëkohësisht është një mbështetje e jashtëzakonshme. Unë ju siguroj që Tirana është në prag të disa ndryshimeve epokale. Tirana, brenda një harku kohor të shkurtër mundi të ketë Planin e saj të Rregullimit, i cili i konsideron qytetarët të barabartë dhe i ka dhënë fund njëherë e mirë rrjepjes së  qytetarëve, sekserëve të neveritshëm që fusnin në xhepa 80 përqind të lejeve të ndërtimit dhe i shpërndanin duke i shitur poshtë e përpjetë. Me këtë plan të Tiranës sot, çdo banor do ta gëzojë pronën e tij, ndërtohet apo jo në të ose ngjitur me të. Sot çdo qytetar do të mund të marrë lejen e ndërtimit në një hark kohor nga 5- 45 ditë, nga 399 ditë që ka qenë gjatë qeverisjes së zotit Rama. Deklarata e tij se do t’i anulojë këto është jashtëzakonisht kërcënuese. Ai s’do mund të anulojë asgjë, sepse do të  mbetet aty në autobus, por vetë ideja  që duhet të anullojë një koncept që ka  dekada që është vendosur  në metropolet e Evropës dhe botës është jashtëzakonisht i rëndë. Së dyti, në Tiranë fillon së shpejti ndërtimi i pjesës së dytë të Bulevardit. Lumi, i cili është një dhuratë e jashtëzakonshme, e mrekullueshme do të shndërrohet në një zonë të madhe rekreative për kryeqytetin. Në të do ketë parqe lojërash dhe do të shtohet gjelbërimi. Tirana do të ketë një kapitull të ri, jashtëzakonisht  të  suksesshëm. Për sa u përket të përndjekurve, ju siguroj se do të bëjmë gjithçka që në afatin ligjor, në 2017, të bëjmë dëmshpërblimin e plotë.  Me ngadalë është bërë, por është më i drejti që është bërë deri më sot. Asnjë vend tjetër ish-komunist nuk ka aplikuar këtë parim të drejtë që aplikojmë ne sot. Edhe ne bëjmë shumë mirë. 

Mirëmbrëma, zoti Kryeministër. Unë jam një tregtar. Në autostradën Durrës Tiranë është bërë një treg i ri bashkëkohor. Ai treg nuk po funksionon akoma. Është edhe një treg ekzistues në  Uzinën Dinamo, por nuk është në parametrat e duhura.  Bashkia e Tiranës, a do ta hapë ndonjëherë këtë tregun e ri?

Kryeministri Berisha: Unë mendoj se bashkia e Tiranës, siç duhet të stabilizojë transportin, duhet të stabilizojë edhe tregun, edhe furnizimin dhe të gjitha modalitetet e funksionimit të tregut, i cili është edhe gjeja më gjigande e kryeqytetit. Unë nuk kam dijeni konkrete, por do ta bisedoj me kryetarin se si qëndron ky problem. Tirana ka edhe mungesa të tjera. Ajo ka mungesa thertoresh dhe një seri mungesash. Ai (Rama) e la Tiranën në një gjendje shumë të papërshtatshme. Unë do bisedoj me kryetarin (Basha) dhe do të marrësh përgjigje.

 Zoti Kryeministër, e di që ka edhe shumë pyetje të tjera, por ju keni edhe impenjime të tjera në këtë kohë fushate. Në emër të të gjithë banorëve të njësisë nr.5 dhe besoj në emër të të gjithë Shqiptarëve ju uroj fitore në zgjedhjet e 23 qershorit.

Në përfundim të bashkëbisedimit, Kryeministri Berisha u shpreh: Edhe unë dua t’ju falënderoj shumë përzemërsisht. Ju siguroj se mandati i ardhshëm do të jetë një mandat në të cilin ne do të shumëfishojmë përpjekjet,  por edhe  rezultatet. Mbi bazën e këtyre që ne kemi arritur, mbi bazën e procedurave, reformave dhe rregullave që po përcaktojmë, rezultatet do të jenë disa herë më të mëdha.

Ne do ecim drejt Bashkimit Evropian. Ne do të ecim të sigurt drejt Shqipërisë vend i zhvilluar.

Faleminderit shumë!

Fitore!

Përpara! Përpara! Përpara!


13/06/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›