Bashkëbisedim i Kryeministrit Berisha me qytetarë të Urës Vajgurore

Së pari, ju përshëndes përzemërsisht dhe shpreh kënaqësinë time të madhe që jam sot këtu me ju, në këtë bisedë të hapur, një bisedë midis qytetarëve, mes atyre që flasin hapur me njëri-tjetrin. Unë ju garantoj se jam këtu jo për miting, por për zërin tuaj. Në mitingje ju dëgjoni zërin tim, këtu Sali Berisha do të dëgjojë zërin tuaj. Ju siguroj se mendimet tuaja janë shumë të çmuara për mua. Përpiqem të përfitoj maksimalisht nga ata të cilët ndërtojnë, prekin çdo ditë realitetin shqiptar ashtu siç është, nga ata të cilët realitetin e këtij vendi e vlerësojnë dhe gjykojnë , e vlerësojnë nga ndjesitë e tyre, jo nga qilimi i kuq, jo nga zyrat luksoze, por nga mundi, djersa, puna që bëjnë në tokat e tyre, në fermat e tyre dhe kudo.
Pra për mua është me interes shumë të madh mendimi juaj. Keni realizuar shumë arritje dhe kjo është e pamohueshme, çdonjëri prej nesh, çdo shqiptar e kupton se Berati dhe Shqipëria në NATO, me Beratin dhe Shqipërinë jashtë NATO-s, janë një ndryshim shumë i madh për Shqipërinë dhe shqiptarët. Çdo shqiptar e kupton se lëvizja lirë dhe pa viza , me radhët e gjata të vizave dhe taksat e mëdha që paguheshin për të nxjerrë viza, janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme, është një ndryshim i madh.
Çdo njeri e sheh përpjekjen tonë të jashtëzakonshme për ti bërë shqiptarët me një infrastrukturë të re, dinjitoze, për ti respektuar ata, për ti trajtuar ata në mënyrë të barabartë para ligjit, pavarësisht se ku jeton , jeton në qendër të Tiranës, jeton në Berat, jeton në Lumas, në Qereshnik , apo në çdo vend tjetër dhe me këtë do të vazhdojmë.
Ne kemi dëshmuar se sado i vështirë, sado i kushtueshëm është ky projekt ne i kemi qëndruar atij. Ne kemi asfaltuar dhe shtruar në Berat qindra kilometra rrugë. Ne jemi zotuar për boshtin e Jugut dhe po ndërtojmë segmentin më të vështirë të tij, Tiranë Elbasan, i cili nuk ishte parashikuar, ishte parashikuar të kalonte Baldushk-Papër, por ky e përmirëson në mënyrën më cilësore boshtin e Jugut dhe po ecim nga Dumreja në drejtim të Kuçovës. Do të ndërtojmë nga të katër nate e vendit rrugë, me vendosmëri të hekurt, në mënyrë që qytetarët kudo që të banojnë të kenë një infrastrukturë të njëjtë me lagjet e qyteteve.
Jemi angazhuar për rritje rrogash dhe pensionesh. Sot, nuk ka mësues, nuk ka pensionist, nuk ka infermier, nuk ka punonjës administrate, që të mos ketë patur rritje thelbësore të rogës dhe të pensionit.
U angazhuam për një klimë të mirë për biznesin. Secili nga ju mund të shkojë në zyrën e tatimeve dhe të marrë biznese të regjistruara. Bizneset sot në Berat janë pothuajse dy herë më shumë krahasuar me vitin 2005 dhe kjo fale një klime të favorshme që krijuam ne për biznesin, falë taksës së sheshtë, e cila është faktuar si një nga mekanizmat kryesorë për të tërhequr investimet e huaja dhe ky është një realitet.
Sot në Shqipëri, gjatë katër viteve të fundit u investuan 4,2 miliard dollarë dhe këto nuk janë të dhënat tona, janë të dhënat e Organizatës Botërore të Tregtisë, e cila ndër të tjera deklaron viti e fundit se Shqipëria moti investime të huaja, mbi kapacitetin e saj. Kemi dëshmuar një ndryshim të qartë në qëndrimin ndaj fermerëve dhe ju besoj e shihni këtë ,e prekni këtë. Në Berat, ndofta më shumë se kudo ka mbjellje masive të ullinjve, hardhive, vreshtave e drurëve të tjerë frutorë.
Ne kemi investuar këtu me mijëra fermerë. 4 vitet që vijnë ne do të trefishojmë këtë ndihmë. Por ama kemi të drejtë të kërkojmë besimin sepse ne kemi shpallur grantet dhe janë mijëra fermerë në Berat, janë mijëra ulishte, vreshta, drurë të tjerë frutorë, ferma blegtorale të subvencionuara me këto para. Është një rrugë që bazohet në këto realitete të prekshme, ndryshime të prekshme, të cilat kanë nevojë të thellohen edhe më tepër në të ardhmen. Ky është qëndrimi ynë. Ne jemi persistentë në ato që premtojmë.
Pak kohë më parë unë inaugurova fillimin e punimeve të një rruge, e cila ishte kërkuar me insistim nga banorët e Urës Vajgurore dhe kur unë kërkova njëherë se këtë rrugë e kërkojnë edhe për qëllime turistik, juve ju kujtohet se përfaqësuesi socialist të Beratit u ngrit dhe tha edhe aty ku flitet për turizëm, sikur Shpiragu i kishte zënë sytë. Ja ku është Shpiragu, një nga malet më të bukura, një mal me çati. Po të shkosh aty ka një fushë të mrekullueshme. Ndaj dhe unë kam shumë dëshirë tu dëgjoj ju për çdo mendim , për çdo sugjerim që ju keni se si ne mund të përmirësojmë punën.
Ju faleminderit.
Pyetje: Quhem Dule Hajdaraj. Në tetor ju kam bërë një mesazh celular për legalizimin e shtëpive. Janë 14 shtëpi të ndërtuara në vitin 1997, në truallin i cili i takonte ushtrisë. Ju më kthyet një përgjigje nëpërmjet sekretarit, i cili ia delegoi si detyrë prefektit. Prefektin erdhi na takoi së bashku me përfaqësuesin e ushtrisë dhe tha se ato do të legalizoheshin brenda muajit. Pritëm disa muaj, por asgjë nuk është bërë.
Kryeministri Berisha: Problemi qëndron se duhen bërë disa veprime burokratike, pasi trualli është në pronësi të ministrisë së mbrojtjes. Ju garantoj se kjo do të bëhet, por duhet të transferohet trualli nga njëra ministri tek ministria tjetër pasi të bëhet vlerësimi i truallit. Unë kam ngarkuar një nga këshilltarët e mi për ta ndjekur, pasi një qytetar tjetër, jo ju, ndofta dy ose tre javë më parë më ka dërguar një mesazh të ngjashëm për këto shtëpi. Kjo çështje do të ndiqet dhe do të zgjidhet sipas të gjitha rregullave. Kudo raste analoge i kemi zgjidhur. Absolutisht në çdo rast që është e mundur, ne qëndrojmë në anën e qytetarit. Kjo çështje është në shqyrtim e sipër.
Shqetësimi i dytë është se uji në Urën Vajgurore është i ndotur, nuk pihet, dhe ky është një shqetësim për të gjithë komunitetin e Urës Vajgurore.
Kryeministri Berisha: Së pari aty do të nis specialistët më të mirë që të shohin se çfarë ka, pasi aty ujësjellësi është, tubacionet janë. Në raste si kjo ose ka përzierje me ujëra të tjera, ose nuk punon mirë filtri i depos. Këtë përgjigje mund ta japin më mirë specialistet, pasi ky është një problem shumë serioz. Gjithashtu, unë jam dakort të shikojmë edhe ujin e Bogovës. Në qoftë se është e mundur dhe ën qoftë se uji i Bogovës e përballon , atëherë le të përdoret ky ujë.
Fillimisht ju uroj mirëseardhjen tuaj në qytetin tonë. Unë jam maturante dhe sivjet do të votoj për herë të parë për Partinë Demokratike. Shqetësimi im është se në qytetin tonë mungojnë aktivitet kulturore si biblioteka ose kinemaja. Çfarë mund të bëni ju për hapjen enje aktiviteti të tillë, në mënyrë që ne të rinjtë të kemi ku të kalojmë kohën tonë të lirë.
Kryeministri Berisha: Për sa i takon bibliotekës është detyra e qeverisë dhe e bashkisë që të ndërtojnë bibliotekën dhe unë të siguroj se ndërtimi i bibliotekës do të jetë një përparësi e jona , pasi kërkesa juaj është jashtëzakonisht e drejtë dhe ne do të ndërtojmë jo vetëm një bibliotekë me libra, ashtu siç janë të gjitha bibliotekat, por do të përpiqemi shumë ta keni dhe virtuale. Të marrim materiale nga biblioteka të tjera dixhitale, të cilat mund të ofrojnë me qindra e mijëra tituj.
Për sa i përket kinemasë, është një kërkesë shumë e drejtë, por në tërësi kinematë janë private dhe funksionojnë në bazën e tregut. A do të ketë biznesmenë që duan të hapin një kinema këtu? Ajo që mund të bëjmë ne, në bazën e një studimi, në partneritet publik, privat , me financim ta supozojmë 40 me 60, ne mund të ndërmarrim ndërtimin e një kinemaje këtu,bashkë me bashkinë, çka përbën një kuptim për gjallërimin e jetës në Urën Vajgurore.
Përshëndetje zoti kryeministër. Dua të ngre këtu një shqetësim, i cili nuk po gjen zgjidhje prej shumë kohësh. Në qytetin tonë ka shumë ndotje mjedisi nga guroret dhe furrat e gëlqereve. Shumica prej banorëve vuajnë nga bronkiti paraazmatik dhe alergjia. Ju si mjek mund ta kuptoni shumë mirë këtë problem dhe ne kërkojmë një zgjidhje sa më shpejt. Çfarë mund të bëhet që bizneset të zhvillojnë punën e tyre normale duke përdorur filtra thithës.
Kryeministri Berisha: Pyetje që shtruat është shumë i drejtë. Beratit dhe kësaj zone i takoi të përballojë një kërkesë shumë të madhe, pothuajse të të gjithë Fierit dhe Lushnjës, por dhe më gjerë, për gurë, sepse gurët e disa zonave të tjera nuk dolën të përshtatshme për rrugët , për shkak të strukturës së tyre gjeologjike. A do të thotë kjo që meqënëse nuk dolën atje, duhet të dëmtohet mjedisi këtu? Jo, kjo nuk do të thotë këtë. Ky dëm është një dëm serioz, por i bërë gjatë 20 viteve. Ky problem do të rikuperohet duke ndjekur një politike rehabilitimi të zonave të shkëmbëzuara nga marrja e gurëve.
Përsa i përket furrave të gëlqeres, drejtoria e mjedisit me urgjencën më të madhe duhet të diktojë rregullat më të rrepta në funksionim e tyre. Pak vite më parë, zona midis Krujës dhe Fushë-Krujës ishte shndërruar në oxhaqe që tymëzonin tym të zi. Ato i ndaluan. Natyrisht gëlqerja duhet të piqet, por mbi bazën e rregullave që nuk dëmtojnë jetën e njerëzve. Kështu që unë ju siguroj se do ti kërkoj autoriteteve të mjedisit të vendosin rregullat më të rrepta për këtë çështje të rëndësishme për shëndetin e njerëzve.
Jam nga një këtu afër Tapi. Ju jeni një kryeministër i të gjithë shqiptarëve dhe për këtë ju përgëzoj. Kemi shumë probleme me vaditjen, pasi uji nuk vjen fare në fshatin tonë. I kemi bërë një letër qeverisë për lumin Osum, i cili në fshatin tapi ka ngrenë toka, sera dhe askush nuk e ka vënë ujin në zjarr. Për këtë çështje kërkojmë zgjidhje emergjente. Gjithashtu, problemi pronë-tapi është bërë gangrenë në gjykatë. Nuk e zgjidh dot hallin në qoftë se ke një pronë. Psh punishtja ime e miellit është regjistruar gabim. Jam në seancë gjyqi. Unë këtë pronë e kam blerë në vitin 1991.
Kryeministri Berisha: Lidhur me deputetet, unë ju garantoj se është në tagrin dhe detyrën e çdo deputeti të zonës që të jetë në mënyrë konstante i pranishëm në hallet tuja dhe do të them një gjë. Mua më vijnë, në ditë, shumë ankesa. Nuk ka ankesë që unë nuk ja delegoj dhe deputetit, sepse ai është i votuari yt dhe deputeti duhet ti dalë zot problemit tënd. Natyrisht unë kam dhe administratën dhe institucionet dhe unë e përcjell atë në dy drejtime.
Vaditja përbën një problem madhor jo vetëm tek ju, por edhe në shkallë vendi. Shumë vite më parë dhe tani vazhdojmë përpjekjet për vaditjen. Skema e paraqitur në shoqata dështoi, nuk mund të them këtu, por në tërësi dështoi. Ajo skemë është shumë e drejtë sepse bazohet në ujdinë e ujit të midis atyre që përfitojnë, por dhe detyrimet. Po të kthehesh në kohet ë mëparshme, ujdia funksiononte në mënyrë të kronometruar, asnjeri nuk e mbante dot ujin më shumë se sa ishte caktuar dhe secili përmbushte detyrimet ndaj ambientit të vaditjes, deri tek roja që u bëhej kanaleve gjatë muajve të verës që të mos i dëmtonte njeri. Kjo skemë na falimentoi sepse shumë mundësi ka që psikologjia e kolektivitet në një farë mënyre tek njerëzit, në disa aspekte dobësoi përgjegjësinë individuale.
Tani përgjegjësinë nuk do ta lëmë vetëm tek shoqata , por edhe tek kryetari i komunës dhe i bashkisë, me shpresë se do ta përforcojmë përgjegjësinë.
Ne 4 vitet që vijnë kemi programin më madhor vaditjen, pasi ne po shkojmë drejt finalizimit të rrjetit rrugor. Ne na ka mbetur rruga e Arbërii dhe boshti i jugut si projekte të mëdha, ndërsa të tjerat janë projekte pakrahasimisht më pak të kushtueshme se këto që kemi bërë. Dhe ne po përpiqemi që këto që kemi bërë me rrugët do të shkojmë me vaditje kudo. Do të fillojmë në shtator me një projekt 60 milion euro. Por edhe 600 milion, edhe 2 miliard, po investuam ne qoftë se përfituesit nga vaditja, nuk bëhen zotër dhe të kujdesen për mirëmbajtjen , atëherë kjo është e vështirë.
Lidhur me lumin Osum, kjo ankesë ka ardhë në mënyrë të përsëritur. Unë këtë kërkesë e kam marrë personalisht 2 ose tre here nga banorët. Ia kam përcjellë ministrisë së bujqësisë, kam kërkuar që të vijën dhe natyrisht ndërtimi i argjinaturës do njëfarë planifikimi. Jo se ne nuk kemi fond emergjence, por ai shkon në rradhë të parë atje ku është emergjenca. Këtë nuk e zgjidh dot bordi i kullimit. Ajo është përgjegjësi e ministrisë. Kjo ministri e cila është përgjegjëse për territorin do të vijë dhe ne do të ndërhymë në mënyrë të padiskutueshme për mbrojtjen e tokës.
Lidhur me çështjen e tapive, unë do ta shqyrtoj, por ka një moment. Ju jeni paditur nga një palë tjetër.
Kam paditur zyrën e regjistrimit.
Kryeministri Berisha: Unë do ta shqyrtoj këtë çështje, të jeni i sigurt. Po të ishte zyra ajo që ka paditur, unë do të isha diçka më duarlirë, për t’i kërkuar zyrës ta shqyrtonte qëndrimin, ndërsa një qytetari nuk mund t’i them të mos paditë. Një qytetar do të padisë sa herë ta gjykojë. Por çështjen do ta shqyrtoj.
Përshëndetje zoti kryeministër, jam mësues në shkollën e mesme, e cila ka nxënës 530 nxënës dhe punon me dy turne. Unë jam një nga mësuesit që punon në turnin e pasdites. Sapo kam dalë nga mësimi dhe ju përcjell përshëndetjet e nxënësve të vitit të parë. Ata kishin një pyetje. Kanë dëgjuar premtimin tuaj në takimin e fundit në shkollën “Sali Gjuka” në Urën Vajgurore, për mbarimin e shkollës së mesme në Urën Vajgurore. Më thanë pyete Kryeministrin, për vitin e ardhshëm shkollor, kjo shkollë do të jetë gati apo jo?
Kryeministri Berisha: Shumica e shkollave këtu janë rindërtuar. Shkolla është ndërtuar, por duhet shpërblyer trualli. Absolutisht do të bëjmë gjithçka, për ta shpërblyer pronarin. Plotësisht dakord. Edhe kryetari i bashkisë e ngriti këtë çështje dhe unë do ta ndjek. Sigurisht që ia kam përcjellë ministrisë dhe do ta ndjek. Po ashtu nuk jam dakord edhe me mësimin me dy turne këtu. Por në qytete ku nuk dilet jashtë tyre, edhe vendi më i pasur i Europës që është Gjermania i shfrytëzon me dy turne. Dhe kjo sepse investimi duhet të jetë rentabël. Shkollat gjermane funksionojnë me dy turne në tërësi. Por nuk jam dakord për në Urën Vajgurore, pasi këtu vijnë nxënës edhe nga fshati dhe kjo nuk është e përshtatshme.
Në radhë të parë ju falenderojmë për investimin e rrugës Ura Vajgurore-Bistrovicë prej 13 kilometrash. Jeni kryeministri që na dhatë fjalën, unë ju kam shqetësuar edhe vetë me mesazhe dhe ju e mbajtët fjalën. Për këtë ju falenderoj. Kam edhe një kërkesë, në emër të banorëve të fshatit Bistrovicë. Për fat të mirë, ai fshat gjendet midis dy kalave. Një kala e para 3000 vjetëve e qytetit Dimal dhe kalaja tjetër që quhet kalaja xhaxhaj e para 1500 vjetësh që është përdorur edhe për fortifikatë nga Skënderbeu. Kërkojmë brenda mundësive që në mandatin e tretë të lidhen këto kala me qendrën e fshatit, me asfalt.
Kryeministri Berisha: Distanca e tyre sa është?
Distanca është rreth 4 kilometra.
Kryeministri Berisha: Padiskutim që do të lidhen. Do ta bëjmë Bistrovicën turistike.
Jam një banore nga Çifligu në Urën Vajgurore. Bashkëshorti im ka punuar 30 vjet ekonomist dhe ka dy vjet që është pushuar padrejtësisht nga puna. Kur vjen PS-ja e heqin, kur vjen PD-ja e marrin në punë, por ai që e ka pushuar tani është kryetari i PD-së.
Kryeministri Berisha: Të falënderoj për çështjen që ngrini dhe të siguroj se do ta shqyrtoj kërkesën tuaj me seriozitet, me autoritetet përkatëse.
Jam gjimnaziste dhe dua t’ju uroj mirëseardhjen në qytetin tonë. Shumë probleme janë zgjidhur, por një problem është ai për ujin e pijshëm. Para dy vjetësh kanë filluar punimet në ujësjellësin e Bistrovicës që do të furnizonte Urën Vajgurore dhe fshatrat përreth dhe punimet janë ndërprerë. Një zonë shumë e madhe ka mbetur pa ujë të pijshëm dhe është jashtëzakonisht i turbullt. Çfarë premtimi do të na jepni ju si kryeministër?
Kryeministri Berisha: Çështja e furnizimit me ujë është shumë e rëndësishme. E ngritën dhe bashkëqytetarët tuaj më parë dhe ju siguroj se do të dërgoj një ekip që ta shqyrtojë hollësisht dhe t’i japim zgjidhje. Kjo është çështje jetike. Ne përpiqemi t’i japim zgjidhjet më të mira furnizimit me ujë, me energji elektrike, kanalizimeve, rrugëve, vaditjes dhe shkollave. Do të bëjmë gjithçka që ujësjellësi të përfundojë dhe Bistrovica të marrë ujë të kthjellët, të pastër.
Ju falenderoj zoti Kryeministër që ndodheni në Urën vajgurore në këtë bashkëbisedim me ne qytetarët. Shqetësimi që ka dalë gjatë kohës ka qenë edhe specializimi i studentëve në fushën e mjekësisë. Ne kemi studentë që kanë dalë me rezultate të mira. Kërkoj që gjatë mandatit tuaj të ardhshëm të ketë një transparencë më të madhe në fushën e specializimeve në mjekësi.
Kryeministri Berisha: Ky problem është shqyrtuar e rishqyrtuar disa herë. Ku qëndron çështja? Së pari, qeveria është e detyruar mbi bazën e një rajonizimi t’ju garantojë qytetarëve një listë shërbimesh të specializuara, sipas popullatës, territorit etj.. Ky rregull që quhet rregulli i rajonizimit të sistemit shëndetësor është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe ne kemi përgjegjësi që Berati të ketë një numër specialitetesh në shërbim të qytetarëve. Mjekët që specializohen ne i paguajmë për specializimin e tyre, por na ndodh që nuk janë 30 kardiologë që duhet të specializohen, por janë 100 mjekë që kanë përfunduar studimet e që duan të specializohen për kardiologji. T’i pengosh nuk është mirë, por t’i paguash me paratë e taksapaguesve, në një kohë kur destinacioni është strikt personal dhe në kuadrin e rajonalizimit, qeveria duhet të paguajë me taksat tuaja, përgatitjen e 30 kardiologëve. Këta kardiologë që paguhen gjatë kohës së specializimit, sipas kontratës duhet të vijnë këtu 5 apo 7 vjet t’ju shërbejnë juve. Vështirësia jonë është se janë një numër shumë i madh mjekësh, edhe ata me legjitimitet, që kërkojnë të specializohen jashtë sistemit të kontratës. Ne po e studiojmë këtë çështje. Por, në këtë rast, si mjek që ke përfunduar studimet dhe pa një kontratë kërkon të specializohesh, ndoshta më e drejtë është të punosh 3 apo 5 vite dhe të përgatitesh për ta përballuar, nëse dëshiron të specializohesh jashtë sistemit të specializimeve. Ju e dini që Shqipëria ka gjithsej 11 spitale rajonale dhe 11 shërbime kirurgjikale apo shërbime të tjera. Mund të ngrihen të tjera, por problemi është se nuk ka punë. Kjo është çështja që na është krijuar dhe ne po e studiojmë. Ministri Halim Kosova po merret seriozisht, sëbashku me rektoratin e Universitetit të Mjekësisë, për t’i dhënë përgjigjen më të mirë.
Quhem Kristo Progo dhe jam administrator i një firme që merret me tregti karburantesh. Në vitin 2005 kam marr pjesë në një projekt tek Ministria e Bujqësisë, projekti 2KR. Nga vitit 2005, Ministria e Bujqësisë më detyrohet një shumë mua dhe një pjesë disa subjekteve të tjera. Po të llogarisësh vetëm shumën e interesave bankare nga viti 2005 e deri më sot e kapërcen detyrimin. Kam vajtur nga Jemin Gjana deri tek Genc Ruli, por nuk kam gjetur zgjidhje. Kërkojmë ndërhyrjen tuaj.
Problemi i dytë. Paraqitemi pranë Drejtorisë Rajonale tatimore Berat, në të cilën kërkojmë dokumente. Sipas një udhëzimi të Ministrisë së Financave duhen 72 orë pasi të bëhet kërkesa që të marrësh përgjigje, ndërkohë që kjo periudhë më duket e gjatë.
Problemi i tretë është se kemi pasur gjyqe me Drejtorinë e Tatimeve, të cilat kanë përfunduar në Apel. Vendimi nuk zbatohet me pretendimin e drejtorisë tatimore se kanë bërë ankim në Gjykatën e Lartë, kur e dimë shumë mirë që vendimi i Apelit është i formës së prerë.
Kryeministri Berisha: Lidhur me 2KR duhet të më adresoni një memo dhe unë do ta ndjek deri në fund. Në qoftë se ministria të detyrohet, do të t’i shlyejë. Në tërësi kanë qenë debitorët në këtë projekt që nuk ia jepnin ministrisë, por nëse ministria është borxhlije ndaj jush, do t’ua kthejë borxhin në mënyrë të padiskutueshme.
Po, ka edhe debitorë, edhe kreditorë, siç ishim ne.
Kryeministri Berisha: E vërtetë dhe unë do ta ndjek çështjen. Ministria duhet të përgjigjet për detyrimin që ka. Çfarë përgjigje të kanë dhënë?
Përgjigja e tyre është se nuk i mbledhim lekët e debitorëve, ndërkohë që ka një vit që funksionojnë zyrat e përmbarimit privat, të cilat e kanë shumë të thjeshtë për ta zgjidhur.
Kryeministri Berisha: Edhe e para është e vërtetë, pasi kanë pasur shumë probleme për tërheqjen. Por edhe e dyta është shuam e vërtetë, ajo ka hapur rrugën dhe zotërinjtë janë të detyruar të zbatojnë ligjin.
Lidhur me udhëzimin e Ministrisë së Financave për kohën 72 orë besoj se me dixhitalizimin e sistemit, kjo kohë mund të shkurtohet shumë ndjeshëm. Edhe unë do t’ia përcjell shqetësimin tatimeve, me kërkesën për ta shkurtuar në maksimum këtë kohë prej 72 orësh.
Lidhur me gjyqin, në qoftë se Gjykata e Lartë nuk ka vendosur masë sigurie, pra, të thotë do të pritet vendimi im për t’u zbatuar ky vendim, tatimet do të jenë të detyruara të zbatojnë ligjin. Normalisht Gjykata e Apelit ka vendim të prerë e përfundimtar dhe për këtë do t’i kërkoj sqarime Drejtorisë së Tatimeve. Normalisht kështu duhet të jetë dhe është shumë e gabuar të veprohet ndryshe, duhet të mësohemi se çdo vendim i Gjykatës së Apelit të zbatohet. Ligji është zbatimi i tij.
Vij nga një fshat nga zona e Shpiragut. Keni folur për unazoren e Shpiragut. Unaza ka vajtur në Ura Vajgurore-Bistrovicë dhe Bistrovisë-Sinjë është ndërprerë. Fshati kërkon të hapet rruga për të kaluar.
Kryeministri Berisha: Nga Bistrovica kalohet në Mjeshovë?
Po, nga Bistrovica kalohet në Mjeshovë, është 4 kilometra dhe del nga ana tjetër e Shpiragut.
Kryeministri Berisha: Patjetër. Aty afër kemi edhe fshatin e Edi Ramës. Nuk i del zot. Shkon në Tropojë dhe u thotë se jam nga Gegyseni, shkon në Mirditë u thotë jam nga Proseku, nuk e kam dëgjuar kurrë të thotë nga Mbreshtani, kur rrënjët i ka nga Mbreshtani.
***
Ju falënderoj shumë përzemërsisht për problemet, shqetësimet serioze që ngritët, shqetësime të jetës suaj të përditshme, të shkollimit të fëmijëve tuaj, të furnizimit me ujë, të ecurisë më të mbarë të fermave, shqetësimeve të krijuara nga defekte të sistemit burokratik apo nga cenime serioze të mjedisit, të mungesës të institucioneve kulturore në Urën Vajgurore dhe unë ju garantoj se do të trajtohen me seriozitetin më të madh. Unë ju ftoj ju, ftoj banorët e Urës vajgurore të mendojnë për arritjet e këtyre viteve. Arritje të pamohueshme nga çdo qytetar, pavarësisht nga bindjet partiake. Këto ditë, kryetari i Partisë Socialiste ka leshura tezën se asgjë e mirë nuk është bërë këto katër vjet. Ky nihilizëm fondamentalist është jashtëzakonisht i papranueshëm. Sot e dëgjoja tek fliste në Bradashesh. Komuna Bradashesh është komuna e parë ku vjen autostrada nga Tirana. E vërteta është se autostrada Tiranë-Elbasan, pasi del nga tuneli, e tëra kalon në territorin e komunës Bradashesh. A mund të flitet në këtë mënyrë, se në këto katër vite asgjë e mirë nuk është bërë? Kështu flitet kur je i ngujuar në bunkerin apo autobusin mavi, të rrethuar me xhami të zinj, që nuk të lë të shohësh. Këtu nuk është problemi se lëndon një qeveri. Çfarëdo të bëjë qeveria, cilado qoftë ajo, nuk arrin kurrë të bëjë as 1/10, 1/30 që bëjnë qytetarët. Marrin një nga zhvillimet më pozitive, më të mrekullueshme në këtë vend, që është ndërtimi i shtëpive të reja. Nuk janë 100 apo 200 mijë, por mbi gjysmë milioni dhe këto i kanë ndërtuar njerëzit, duke djersitur nga mëngjesi deri në darke dhe me to kanë nxjerrë Shqipërinë në një stacion tjetër dhe kanë bërë që shqiptarët të kenë sot, shtëpi për një mijë banorë më shumë se 5 vende të zhvilluara të Bashkimit Europian, kanë bërë që sot shqiptarët të kenë klasën e tyre të mesme, e cila përbën edhe palcën, të gjithë strukturën e stabilitetit të shoqërisë shqiptare. Këtë nuk e ka ndërtuar qeveria, e kanë ndërtuar qytetarët. Sigurisht, qeveria ka ndikuar me reformat e saj.
Ndaj, duke vlerësuar këto që kemi arritur, na shërbejnë për diçka, për të projektuar të ardhmen dhe nuk e kemi të vështirë. Në këto vite, ne arritëm të anëtarësohemi në NATO, të lëvizim të lirë pa viza, jemi në përpjekjen tonë të ndershme për integrim të plotë në BE, arritëm një infrastrukturë moderne, ndonëse jo kudo, por në shumë zona dhe do të vazhdojmë ta finalizojmë atë, në të katër anët e vendit, arritëm të shënojmë një kapitull të rëndësishëm në ekonominë shqiptare, të rriten bizneset. E vërteta absolute është se ne i qëndruam kësaj sfide shumë të madhe të kësaj kriza rajonale e europiane dhe këtë nuk e themi ne, por e thotë e gjithë bota se Shqipëria nuk ra në recesion. Me taksat që po heqim, me masat që po marrim në biznesin e sektorit bujqësor e jo bujqësor, të ecim përpara në projektin tonë. Ndaj, ju ftoj që sëbashku të vazhdojmë këto ndryshime, të vazhdojmë rrugën e zhvillimit dhe ju garantoj se pjesët më të vështira të saj i kemi bërë. Ajo nuk është bulevard me lule, por prapë ato më të mundimshmet, ato më me sakrifica i kemi lënë mbrapa. Edhe një herë, përpara!
29/05/2013