E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha përshëndeti Konferencën Rajonale me temë “Sfidat e Sigurisë Detare në Adriatik dhe Jon”

Kryeministri Berisha përshëndeti sot punimet e Konferencës rajonale me temë “Sfidat e Sigurisë Detare në Adriatik dhe Jon”, e cila po zhvillohet në Tiranë, organizuar nga Qendra Kombëtare e Sigurisë dhe Mbrojtjes (QKSM) në bashkëpunim me ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë.

Kryeministri Berisha përshëndeti organizatorët për zhvillimin e kësaj konference për një çështje shumë të rëndësishme, si dhe u shpreh se Shqipëria përpiqet në mënyrën më serioze për një luftë me tolerancë zëro ndaj dhunimit të ligjit në ujërat e saj territoriale. “Ky rajon, - tha Kryeministri, - ka potenciale të jashtëzakonshme, por në qoftë se e vështron, ky është rajoni ku mungojnë më shumë se në çdo rajon tjetër projektet e mëdha evropiane. Konsolidimi i konceptit do të bindë vendimmarrësit se zhvillimi i këtij rajoni është interesi jetik më i mirë i të gjitha rajoneve të tjera të Evropës, pasi këtu potencialet janë ndoshta më të mëdha se kudo, por këto janë për t’u shfrytëzuar dhe për t’u zhvilluar”.

Gjithashtu, Kryeministri u shpreh se anëtarësimi në NATO i Shqipërisë dhe Kroacisë e ka bërë më të sigurt rajonin. “Uroj dhe dëshiroj që vendet fqinje të rajonit, të ecin me hapa të shpejta dhe kanë mbështetjen e plotë të Shqipërisë në rrugën e anëtarësimit të tyre në Aleancën e Atlantikut të Veriut, çka vetëm do ta bënte rajonin më të sigurt dhe do të ishte një hap i rëndësishëm në sigurinë e mëtejshme të krahut juglindor të Aleancës së Atlantikut të Veriut”, tha Kryeministri Berisha.

Në këtë konferencë merrnin pjesë dhe përshëndetën ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, z. Aleksandër Arvizu, Presidenti i Fondacionit “Alcide De Gasperi” dhe President i Shoqërisë Italiane për Organizatat Ndërkombëtare z. Franko Frattini, ministri i Mbrojtjes së Maqedonisë, i Kosovës, përfaqësues të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes së Greqisë, Bosnje-Hercegovinës, Malit të Zi, Kroacisë, si dhe të ftuar të tjerë.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

I nderuar zoti Frattini,

Zotërinj ministra,

Atashe ushtarakë,

Studiues,

Shkëlqesi ambasadorë,

Të nderuar pjesëmarrës,

Së pari, dëshiroj përshëndes përzemërsisht organizatorët e kësaj konference për një çështje shumë të rëndësishme, e cila ka të bëjë me sigurinë e këtij rajoni, por edhe më gjerë se ky rajon.

Detet e rajonit bashkojnë të gjitha vendet, nga veriu në jugun e Ballkanit dhe janë dete në të cilat lundron një fluks i jashtëzakonshëm tregtar nga e mbarë bota në drejtim të Evropës dhe nga mbarë Evropa në drejtim të kontinenteve të tjera. Këto dete bashkojnë disa vende që kanë ndër potencialet më të jashtëzakonshme turistike të planetit. Trashëgimia historike i ka bërë këto vende të lakmuara nga e gjithë bota, për t’u vizituar për pasuritë mahnitëse kulturore që kanë. Detet e këtij rajoni janë ndër më të pasurat e planetit.

Natyrisht, me shumë probabilitet, në nëntokën e tyre ka rezerva shumë të mëdha hidrokarburesh, por ky rajon ka edhe një specifikë tjetër të madhe dhe kjo specifikë është se si krahu juglindor i Aleancës së Atlantikut të Veriut është direkt i kufizuar me zona të cilat ende nuk kanë stabilitetin e duhur dhe në këtë kontekst janë më atakuara apo mund të shfrytëzohen më shumë nga organizata dhe rrethe terroriste si baza për t’u nisur për të ndërmarrë veprime qoftë në këto dete, qoftë në vende të tjera të Evropës. Të gjithë këta faktorë së bashku bëjnë të domosdoshëm një përpjekje serioze të madhe. Pra gjithë kjo rëndësi e madhe dhe këto potenciale të këtij rajoni bëjnë të domosdoshëm sundimin e ligjit në detet tona, të ligjit kombëtar dhe ligjit ndërkombëtar. Ky është kushti më themelor për të garantuar sigurinë e tyre. Kjo kërkon një përpjekje shumë të madhe. Unë ju garantoj se Shqipëria përpiqet në mënyrën më serioze për një luftë me tolerancë zëro ndaj dhunimit të ligjit në ujërat e saj territoriale. Në këtë kontekst, ne për vite të tëra ndaluam disa mjete lundruese të vogla, skafet, të cilat nuk ishin gjë tjetër përveç se industri e krimit të organizuar. U shpëtuan me qindra e qindra jetë, por u bë edhe një koordinim më i shkëlqyer i përbashkët me autoritetet italiane në luftën e krimit të organizuar. Sot, falë një ndihme shumë të çmuar që Roja Bregdetare dhe qeveria e Shteteve të Bashkuara i kanë dhënë Shqipërisë, ndihmës që Italia mike i ka dhënë Shqipërisë, përpjekjes sonë për të prodhuar në vend anije bregdetare në një partneritet me autoritetet holandeze, ngritja e Qendrës Ndërinstitucionale Operacionale të Detit, të gjitha këto së bashku kanë forcuar fibrën e kontrollit të ujërave territoriale nga autoritetet shqiptare. Një koordinim në dy vendet fqinje funksionon dhe është i vazhdueshëm.

Mendoj se edhe më shumë duhet të bashkërendojmë përpjekjet për të garantuar flukset e mëdha tregtare, për të garantuar rrugët energjetike që mesa duket shpejtë do të fillojnë të lëshojnë shtat. Dhe ky është vetëm fillimi. Ky projekt është projekti i parë i madh, po flukse të tjera të mëdha energjetike nga Mesdheu, nga rajoni, janë potenciale të mundshme. Pra në këtë koordinim të përbashkët vendet tona duhet të marrin përgjegjësi dhe marrin përgjegjësi për rajonin, për dete për të sigurta në rajon dhe më gjerë.

Siç theksoi miku im Franko Frattini, ky është një rajon i madh evropian, rajon i cili në Evropën e rajoneve duhet të ketë vendin, peshën, rëndësinë dhe perspektiven e tij. Ky është një rajon me potenciale të jashtëzakonshme, por në qoftë se e vështron, ky është rajoni ku mungojnë më shumë se në çdo rajon tjetër projektet e mëdha evropiane. Konsolidimi i konceptit do të bindë vendimmarrësit se zhvillimi i këtij rajoni është interesi jetik më i mirë i të gjitha rajoneve të tjera të Evropës, pasi këtu potencialet janë ndoshta më të mëdha se kudo, por këto janë për t’u shfrytëzuar dhe për t’u zhvilluar.

Prej 20 vitesh diskutohet Korridori 8-të, e cila është rruga natyrale e njerëzimit. Kur them njerizimin, domethënë  2 kontinenteve dhe të tjera. E vërteta është që ai Korridor është segment i Egnatias, por është në një mënyrë segment i rrugës së Mëndafshtë. Unë ftoj që të bëjmë gjithçka për ndërtimin e tij. Qeveritë e vendeve tona, pavarësisht nga vështirësitë, duhet ta ndërtojnë atë korridor. Duhet ta ndërtojnë atë Korridor si në Korridor zhvillimi, promotor zhvillimi të fuqishëm për vendet e tyre, por edhe për rajonin dhe më gjerë.

Anëtarësimi në NATO i Shqipërisë dhe Kroacisë e ka bërë më të sigurt rajonin. Uroj dhe dëshiroj që vendet fqinje të rajonit, të ecin me hapa të shpejta dhe kanë mbështetjen e plotë të Shqipërisë në rrugën e anëtarësimit të tyre në Aleancën e Atlantikut të Veriut, çka vetëm do ta bënte rajonin më të sigurt dhe do të ishte një hap i rëndësishëm në sigurinë e mëtejshme të krahut juglindor të Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Edhe njëherë ju falënderoj shumë për këtë konferencë që keni organizuar dhe, në emër të qeverisë, ju përcjell urimet më të mira.”


29/05/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›