E Diel, 1 Nëntor 2026

Fjala e Kryeministrit Berisha në prezantimin e kandidatëve për deputetë në Peqin

“Të dashur qytetare dhe qytetarë, banorë të qytetit dhe komunave të Peqinit,

Përshëndetjet më vëllazërore, mirënjohjen time më të thellë për mbështetjen tuaj të madhe gjatë këtyre viteve, por edhe zotimin tim solemn se sëbashku me deputetin tuaj kemi punuar shumë ngushtë dhe do të vazhdojmë të punojmë, në interesin më të mirë të të gjithë qytetarëve të këtij rrethi.

Unë kam nder të madh të paraqes para jush sot deputetët e qarkut të Elbasanit, të paraqes sot para jush birin tuaj, deputetin tuaj Dash Sulën dhe t’ju rrëfej këtu se çdo projekt që është zbatuar në këtë qytet dhe në fshatrat anekënd këtij rrethi ka pasur angazhimin total, kërkesën e vazhdueshme dhe insistimin e pandërprerë të Dash Sulës, i cili nëse ka ndonjë teprim, ka dashurinë e pakufishme për ju dhe për qytetin e tij. Për këtë unë e përgëzoj.

Unë kam ardhur këtu rreth 6 vite më parë dhe një nga rrugët e para rurale që ne kemi shtruar ka qenë në Peqin, rruga që lidh qendrën e komunës Pajovë me aksin automobilistik. Ajo ishte rruga e parë që ndërtohej dhe asfaltohej përmes aksit kombëtar në tërë rrethin e Peqinit, rreth që kufizohet me kryeqytetin.          

Këto vite, pavarësisht nga problemet dhe pavarësisht nga dallimet edhe bindjet, besoj biem dakord se ne, se peqinasit dhe se shqiptarët kanë ndryshuar këto vite më shumë se kurrë. Sëbashku, me punë të madhe, me përkushtim dhe me vendosmëri ne ia dolëm të anëtarësohemi në NATO. Ne nuk jemi kurrë më ata që ishim më parë, tani ne jemi qytetarë të një vendi anëtar të NATO-s. Me punë të përbashkët, me djersë dhe dinjitet, ne ia dolëm të firmosim Marrëveshjen e Stabilizim Asoccimit; ia dolëm së bashku të firmosim heqjen e vizave dhe lëvizjen e lirë në mbarë Evropën. Pra nuk jemi më si më parë, qytetarë të varur nga vizat dhe radhët. Me punë të përbashkët, me arritje të padiskutueshme, ne ia dolëm që Komisioni Evropian në tetor të vitit 2012 të rekomandojë Shqipërinë për statusin e vendit kandidat. U ndala në këto, se për ne integrimi në NATO dhe integrimi në Bashkimin Evropian janë projektet më kryesore të së ardhmes tonë dhe fëmijëve tanë.

Këto vite Peqini ka ndryshuar dhe ka ndryshuar pothuajse në çdo skaj të tij. Unë kam kënaqësinë që rruga e parë që inauguruam, e cila ishte një rrugë e shkurtër, u zgjat, kaloi nga komuna në komunë, po shkon nga fshati në fshat dhe sot në këtë rreth ne kemi ndërtuar anekënd një infrastrukturë moderne, të denjë për gratë dhe burrat punëtorë, njerëzit e mrekullueshëm të këtij rrethi.

Në angazhimin tonë, ne sëbashku ndërtuam dhe rindërtuam 19 shkolla të rrethit të Peqinit, në mënyrë që fëmijët tuaj të ulen në bankat e shkollave njësoj si në Elbasan, si në Durrës, si në Tiranë, pavarësisht se ku jetojnë. Në qytetin Peqinit, në fshatrat dhe komunat e tij ne kemi ndërtuar 12 ujësjellës dhe kanalizime. Vetëm ujësjellësi i Peqinit ka kushtuar 1.8 miliardë lekë.

Në Peqin dhe në mbarë Shqipërinë ne financuam fermerët shqiptarë. Qindra milionë lekë janë investuar në sistemet e vaditjes së fushave të Peqinit. Qindra hektarë ullishta, vreshta, dru frutorë, sera dhe ferma blegtorale janë financuar nga qeveria në rrethin e Peqinit. Këto janë arritjet tona. Këto arritje i ndjejnë dhe i prekin të gjithë qytetarët e Peqinit, qofshin ata socialistë, të paparti, demokratë dhe të çdo bindje. Ne jemi krenarë se së bashku i kemi realizuar ato.

Sonte vij tek ju për të kërkuar votën tuaj, sepse ne duam të ecim më shpejt përpara, drejt integrimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Unë zotohem para jush se në mandatin që vjen do të marrim statusin e vendit kandidat, i cili shoqërohet me qindra e qindra milionë euro, dhe do të hapim negociatat për vend anëtar në Bashkimin Evropian.

Miqtë e mi, katër vitet që vijnë ne do të asfaltojmë çdo rrugë dhe çdo rrugicë në rrethin e Peqinit edhe në qarkun e Elbasanit. Ne duam që ju, aty ku jetoni, të ndjeheni të respektuar, të ndjeheni të përfillur, të keni shërbime dhe infrastrukturën më moderne që ju meritoni.   

Në 4 vitet që vijnë në rast se biznesi në Peqin u rrit me 70 % me taksat që hoqëm, e me masa të tjera bizneset e Peqinit do të rriten së paku me 2 herë.

Vëllezër dhe motra,

Potenciali më i madh i Peqinit, pa dyshim më i madh janë gratë dhe burrat e tij, njerëz punëtorë të mrekullueshëm. 4 vitet ë vijnë  do të trefishojmë grantet për fermerët e Peqinit dhe të mbarë Shqipërisë. Do të rimbursojmë me para në dorë, Tvsh-ja e të gjitha makinerive, plehrave , kimikateve, fidanëve që do të përdorin në serat e tyre bujqësore blegtorale dhe të çdo natyre. 4 vitet që vijnë do të ndërtojmë dhe rindërtojmë të gjitha shkollat, të gjithë ujësjellësit dhe kanalizimet.

Peqini i zhvilluar, Peqini europian është motoja jonë.

Ndërtimi i tregjeve të frutave dhe tregjeve të tjera, bashkimi i Peqinit me Tiranën, me daljen e tij të veçantë nga komuna e Paprit në Baldushk është zotimi ynë. 12 km kanë mbetur. Ju jap fjalën se 2 vitet e parë të mandatit ju do të keni lidhjen direkte me Tiranën.

Qytetarë dhe qytetare te Peqinit,

Kjo është alternativa jonë. Alternativa  jonë është më shumë punësim për peqinasit, sukses më të madh dhe mbështetje më të madhe për bizneset e tyre, ndërsa për fermerët e Peqinit, infrastrukturë moderne në të katër anët e qarkut, integrim europian.

Alternativa tjetër është para së gjithash alternativa  e mashtrimit e mohimit, e atyre arritjeve që para së gjithash janë tuajat. Kur deklarohet se NATO-ja është natë, ose nga autobusi mavi dëgjon zërin e etërve, ose je tërësisht i papërgjegjshëm kur deklaron se 4 vitet e fundit nuk është bërë asgjë, qindra kilometra rrugë të asfaltuara në Peqin , në Gramsh në Dumre, në Librazhd deklaron se nuk janë asgjë.

Kur thua se 4 vitet e fundit nuk është bërë asgjë, mohon 181 shkolla, kopshte, ndërtesa universitare, të ndërtuara dhe të rindërtuara në qarkun e Elbasanit, ose kështu të thërret zëri i të parëve të tu dhe je i pashpresë, ose je i papërgjegjshëm.

Dje  e dëgjoja tek u fliste qytetarëve në Cërrik se universitet janë piramida dhe se Gjermania na paska gjithsej 6 deri në 10 universitete, Mbretëria e Danimarkës sipas tij , pas vizitës që bëri na paska gjithsej 6 universitete. Mashtrim total. Edhe Nastradini do ja kishte lakmi. Gjermania numëron 384 universitete. Cilido nga ju le të klikojë në internet dhe do të gjejë listën  e universiteteve gjermane. Mbretëria e Danimarkës ka jo 6, por 35 universitet. Betejat e ua me universitet, shoku i autobusit janë betejat me mullinjtë e erës, janë instinkti i fantazmave të të parëve që ke në autobus, ose papërgjegjshmëria jote totale.

Vëllezër dhe motra,

Këtu garojnë dy kushërinj të parë nga Peza. Për Dash Pezën nuk po flas se kemi një fjalë ne , atë që ta bën i yti , nuk ta bën njeri, atë që ja bëri Alfredi , nuk ja bëri njeri. Kurse për Alfredin do tu them dy fjalë, kur kandidoi  e dëgjova një natë në TV tek thoshte “regjimi i tmerrshëm i Berishës”. Alfred, në qoftë se karakteri i burrit ekziston dhe ai vërtetë ekziston, mund të them se ti nuk paske deficit të lindur. Në kohën kur Alfredi çirrej në TV për regjimin e Berishës, Alfredica, e shoqja ishte drejtoreshë në regjimin tim. Pra vota këtyre njerëzve nuk u jepet, sepse nuk kanë asnjë interes tjetër, përveç interesave personale.

Ju garantoj se me Dash Sulën do të ktheni në realitet të gjitha projektet për Peqinin e zhvilluar, të gjitha infrastrukturën moderne. Do të ecim të sigurt drejt integrimit të Peqinit, të Shqipërisë në BE.

Përpara, përpara, përpara,

Votoni 44, votoni Partinë Demokratike!

Votoni 44, votoni Shqipërinë e zhvilluar!

Votoni 44, votoni Shqipërinë evropiane!

Rrofshi ju!  Rroftë Peqini! Rroftë Shqipëria!


28/05/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›