Fjala e Kryeministrit Berisha në prezantimin e kandidatëve për deputetë të rrethit të Kuçovës

Të dashur qytetare e qytetarë të qytetit dhe rrethit Kuçovë,
Vëllezër e motra,
zonja e zotërinj,
mirënjohjen time të pakufishme për këtë uragan madhështor, sot, në hapjen e fushatës suaj elektorale, uragan të fitores që përcjell në zemrat e mbarë shqiptarëve, mesazhin e madh të Kuçovës, të Beratit fitimtar më 23 qershor, mesazhin e madh të Kuçovës, të Beratit, të të gjithë qarkut për fitimtarë dhe shumicë më 23 qershor. Sot jam tek ju, për t’ju dhënë fjalën se katër vitet që vijnë me deputetin tuaj do të bëjmë gjithçka, për të ndërtuar në Kuçovë infrastrukturën më moderne.
Qytetare e qytetarë të Kuçovës,
Në pak vite, sëbashku, me mundim e djersën, por, mbi të gjitha, me seriozitet të madh u bëmë anëtarë të aleancës së lirisë më të fuqishme të kohërave, Aleancës së Atlantikut të Veriut. Sëbashku, me përpjekje të mëdha, me përkushtim, me ndryshime serioze në Shqipëri, ne firmosëm me Bashkimin Europian, kontratën historike të Stabilizim Asociimit. Sëbashku, me punën e përkushtimin tonë, me ndryshimet e mëdha që arritëm, ne ia dolëm të bindim mbarë Europën që meritonim plotësisht të lëviznim të lirë në hapësirat e kontinentit si qytetarë të vjetër të saj. Sëbashku ia dolëm të meritojmë statusin e kandidatit, ndaj le të vazhdojmë përpara për statusin e kandidatit, për hapjen e negociatave për Shqipërinë e integruar në Bashkimin Europian. Të vazhdojmë përpara, në përpjekjen tonë fisnike, përpjekjen tonë të ndershme për të liberalizuar vizat me vendin e madh të lirisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këtë vend, ne kemi miqtë më të mëdhenj që na duan, na respektojnë e punojnë për ne, që ne të lëvizim të lirë në vendin e tyre.
Sëbashku, qytetare e qytetarë të Kuçovës, këto vite në të katër anët e Beratit, të Kuçovës, ne kemi ndërtuar e rindërtuar qindra kilometra rrugë, me mendimin e drejtë se aty ku jetoni duhet të keni rrugë dinjitoze, rrugë të mira, të udhëtoni të barabartë me qytetarët e qyteteve tona, të udhëtoni si qytetarë europianë.
Këto vitet e fundit, ne sëbashku ndërtuam dhe rindërtuam në Berat rreth 78 shkolla, ndaj ju ftoj të vazhdojmë përpara për të rindërtuar çdo shkollë, për të shtrirë internetin në çdo klasë, në mënyrë që fëmijët tanë të shkollohen në shkolla moderne aty ku banojnë, në qytet apo fshat, në fushë a mal kudo ku jetojnë. Në pak vite, ne ia dolëm të rrisim si asnjë vend tjetër rrogat e pensionet. Mësuesja, që pak vite më parë merrte 150 mijë lekë, sot merr rreth 400 mijë lekë, merr jo një, por rreth 20 rroga më shumë sesa merrte në vitin 2005.
Fermeri shqiptar, që pak vite më parë merrte gjithsej 3400 lekë, sot merr rreth 8 mijë lekë, pra, 13 pensione më shumë sesa merrte gjashtë vjet më parë. Sëbashku në rrugën tonë jo të lehtë ia dolëm në Kuçovë, në Berat, në mbarë Shqipërinë të rrisim me 2 e 3 herë bizneset e mesme e të mëdha, ia dolëm të rrisim pothuaj dy herë bizneset e vogla.
Unë e di se ka mjaft qytetarë në vështirësi, por nga na tjetër u them këtyre vëllezërve dhe motrave, se reformat tona kanë funksionuar e funksionojnë, se ne ulëm taksat e morëm në katër vite mbi 4 miliardë dollarë investime, ne ulëm taksat e bëmë të mundur të punësohen në katër vitet e fundit mbi 200 mijë vetë. Jo se themi ne, por se e thotë Komisioni Europian, e thotë Fondi Monetar, e thotë Banka Botërore, se Shqipëria është i vetmi vend me rritje që pati ulje të papunësisë dhe jo rritje të saj. Sëbashku kemi vendosur që katër vitet që vijnë t’i çlirojmë bizneset nga çdo taksë për makineritë e çdo gjë tjetër që ata do të përdorin për prodhimin e tyre, kemi vendosur që fermerëve tanë t’u kompensojmë me para në dorë akcizën e naftës, TVSH-në e të gjitha makinerive, inputeve dhe çdo gjëje që ata përdorin për fermat, serat, blegtorinë, bletarinë, peshkimin e çdo gjë tjetër.
Qytetare e qytetarë të Kuçovës,
Kuçova, Berati kanë pasuri përrallore natyrore, kanë zona turistike nga më të bukurat e vendit, kanë trashëgiminë kulturore ndër më të çmuarat e kësaj toke. Në këto vite, Berati, që merrte gjithsej 30 mijë turistë e vizitorë, ka marrë 300 mijë turistë e vizitorë dhe ju garantoj se katër vitet që vijnë, Berati, Kuçova do të marrin 900 mijë turistë e vizitorë.
Këtu nga Kuçova, nga qarku i Beratit do t’i kërkoj zotit Rama: mos i fyej qytetarët shqiptarë, mos i fyej qytetarët e Berati, të Kuçovës, Vlorës, Gjirokastrës, Korçës, Elbasanit, Shkodrës, Tiranës, Lushnjes, Fierit, Kukësit, Peshkopisë, të Kosovës, Tetovës, Ulqinit, të Malit të Zi, të diasporës kudo ku janë. Ke ngritur në autobusin mavi një bandë dhe e krahason atë me rilindësit, shenjtorë të mendimit tonë kombëtar. Kujton se do t’i paraqesësh qytetarëve të Beratit, Fidelin për Babë Dudë Karbunarën, t’u paraqesësh elementë, të cilët janë problem madhor për veten e tyre, si Sami Frashërin, Naim Frashërin, Abdyl Frashërin. Mos i lëndo shqiptarët se këtë nuk jua ka bërë kush, kurrë! Çfarë e lidh Kokëdhimën me Naim Frashërin, Tom Doshin me Filip Shirokën apo Ndre Mjedën. Zoti Rama , këtë emërtim të këtyre shokëve mund ta bësh vetëm ti, për shkak të trashëgimisë tënde, të etërve të ty që e urrenin rilindjen. Është e freskët në memorien tonë, kur ata ndërmorën revolucionin kundër rilindësve tanë, ndërsa ti kërkon t’i poshtërosh për së vdekuri ata, duke i krahasuar me Tom Doshin, Fidel Yllin, Koço Kokëdhimën, Arben Ndokën të sapodalë nga burgjet për krimet e tij. Ndaj thirrja ime është për çdo qytetar shqiptar. Zotëria, shoku, me rilindje nënkupton rilindjen e bllokut hoxhist, nënkupton rilindjen e etërve të tij, por ajo për shqiptarët është një e shkuar që nuk kthehet më. 23 qershori do të jetë Vaterloja e bijve të tyre, e jotja shoku Rama në autobus dhe e shokëve që ke marrë mbrapa në këtë fushatë.
Qytetare e qytetarë të Kuçovës e Beratit, ju ftoj të shkojmë si shumicë, si fitimtarë në zgjedhjet e 23 qershorit, të votojmë për rrugën tonë drejt Bashkimit Europian, të votojmë për shpirtin tonë perëndimor, të votojmë për aspiratën e atyre që bënë Shqipërinë, Shqipëri, e atyre që mësuan shqiptarët se dielli i tyre lind nga perëndimi. Të votojmë për Kuçovën, Beratin e zhvilluar, me infrastrukturën më moderne, të votojmë për Kuçovën, Beratin e projekteve gjigande, Boshtit të Jugut, të gazsjellësit Trans-Adriatik dhe projekteve të mëdha turistike. Të votojmë për platformën tonë të punësimit të qytetarëve shqiptarë, për trefishimin e granteve për fermerët shqiptarë, për rritjen e mëtejshme, të madhe, të rrogave e pensioneve, për sistemin tonë modern arsimor, për një sistem modern të shëndetësisë, për Beratin e zhvilluar, Beratin europian, për Kuçovën e zhvilluar, Kuçovën europiane, Shqipërinë e zhvilluar, Shqipërinë europiane.
Rrofshi ju! Mirënjohjen më të thellë juve, djemve e vajzave, burrave e grave të Kuçovës, që sot përcollët anekënd kombit, mesazhin më të shkëlqyer të shpresës, të besimit, të fitores. Përpara! Përpara! Përpara!
29/05/2013