E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kronikë e një vetëvrasjeje të paralajmëruar

AGIM BAÇI

Largimi i Ardian Klosit nga kjo botë me një vendim që kish kohë që e kish tentuar, solli një reagim të fortë publik ndaj një njeriu që në 20 vitet e fundit ka lënë gjurmë në jetën publike. Personalisht për mua, por edhe për shumë të tjerë që njoh, do të mjaftonte që ai të mbetej thjesht në kujtesë pasi na ka sjellë Tom Sojerin e mrekullueshëm të Mark Tuenit. Por ai ka prurë në mënyrë mjeshtërore Zanfonin, Henji Belin, Tomas Manin e shumë shkrimtarë të tjerë, duke na hapur një dritare të rëndësishme me mendje brilante botërore. Ky mendoj se është kontributi më i padiskutueshëm nga të gjithë, ndërkohë që hullia e shumë angazhimeve apo detyrave publike në këto vite e bëjnë një njeri që ka shënuar kontributin e tij sipas një njeriu të angazhuar.
Në varrimin e tij u panë, në fakt, mjaft figura të rëndësishme publike, miq të tij, të cilët nuk e shmangën tronditjen. Por, fatkeqësisht askush prej tyre nuk tha asgjë për atë që duhej të kish bërë në këta katër muaj, ku ai kish pasur edhe dy tentativa të tjera për ti dhënë fund jetës në këtë botë.
A i zgjati dorën ndonjëri prej atyre që foli për të mos e lënë ti dorëzohej humnerës, rrugës së moskthimit? E nëse jo, atëherë përse duhet që në këtë ditë, kur ai nuk mundet më të bëjë hapin pas, të thonë të gjitha gjërat e botës? Madje të fajësojnë situatën e shoqërisë, situatën vulgare, banalitetin apo edhe të tjera dritare nga ku nuk sheh asgjë që të të bëjë për vete apo të ndjehesh mirë. Atëherë, çfarë sugjeruan mjaft nga ata që folën për të, që ta kthejmë në një monument vetëvrasjen, si model për betejë në shoqëri? E kur askush nuk rrëfeu as përpjekjen më të vogël për ta bindur që të zgjasë sytë nga jeta e ta lërë vdekjen të vijë vetë, atëherë përse duhet tu besojmë në atë pamjen e tyre të pikëlluar, gjithsekush me fjalimin e përcaktuar për numrin e lotëve që kërkon të korrë fill pasi gjuha të ketë lëpirë edhe germën e fundit?
Si një person që besoj se jetën e fal Zoti dhe duhet ta marrë Ai, u përkas atyre që kulturën e vetëvrasjes e përjashtoj nga modeli i zgjidhjeve. Por ajo që ndodhi me Klosin është një kambanë edhe për një këndvështrim që gjatë gjithë këtyre ditëve nuk kemi dashur ta prekim: atë të një shifre jo zyrtare të çuditshme të deklarimit të besimit gjatë regjistrimit për censusin.
Lidhur me këtë fakt mjafton të kujtojmë intervistën e fundit të Ardian Klosit me Mustafa Nanon, kur teksa pyetej lidhur me besimin në Zot, deklaronte se kur rritesh në ateizëm, e ke vështirë të besosh më pas. Një pikturë krejt e qartë e një njeriu që pasi është goditur për vite e vite me radhë për mungesën e Zotit, nuk di më orientimin, nuk është më i aftë të kthejë përgjigje. Dhe, edhe pse anon më shumë nga e pabesueshmja shifra e deklarimit të besimit, sërish ajo duhej të ishte një kambanë, pasi do të ktheheshim në një nga vendet më ateiste në planet.
Pa dyshim që do të ishte mëkat të hamendësonim se vetë Klosi kishte idenë e mbjelljes së ekzistencializmit në shoqëri një rrymë që sugjeron zgjedhjen e vdekjes dhe jo pritjen e saj sipas asaj që është shkuar. Mirëpo, kur një pjesë që ka një peshë jo të vogël në krijimin e opinionit publik, e lexon veprimin ekstrem si një rrugë për të mos bashkëjetuar me vulgaritetin, me të papërsosurën, me atë që nuk kemi mundur të ngremë si duhet, atëherë nuk kemi veçse një thirrje për të parë kulturën e vetëvrasjes si shmangie nga mungesa e kulturës së shoqërisë. E jo rastësisht, një pjesë e opinionformuesve ka qenë për një figurë besimi në Zot sa më të ngushtë në publik, duke rrezikuar kështu që në vend që ti hapim shoqërisë duart e shpresës, i kemi hapur derën e vdekjes
Zot na ruaj nga kjo skenë që u përket atyre që kur nuk munden, na e shesin sikur nuk duan!

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›