Integrimi dhe media
Një diplomat perëndimor nga ata të rëndësishmit në Tiranë ka një ëndërr: të bëhet diktator për një ditë dhe ti detyrojë politikanët shqiptarë të lexojnë progres-raportin. Për shkak se këtë deklaratë ai e bëri në prani të disa gazetarëve, mesazhi është edhe për median. Gazetarët duhet të lexojnë para se të shkruajnë.
Në të vërtetë, ëndrrat e mëdha janë pak të realizueshme. Një ëndërr më realiste do të ishte që gazetarët të lexonin jo dhjetëra faqe analizë dhe rekomandime të progres-raportit, por një faqe të vetme format A5, ku janë shkruar 12 rekomandimet e BE-së. Raportimi për integrimin në BE në media ndjek linjat politike dhe përgjithësisht i qëndron besnik asaj që quhet raportim pasqyrë, që të kujton në kanun pasthirrmën lajmësi nuk ka faj. Për shembull, nëse përfaqësuesi i qeverisë raporton se fajin për mosmarrjen e statusit e ka opozita, kjo raportohet e plotë. Nëse përgënjeshtron në konferencë shtypi apo në Twitter lideri i opozitës, edhe kjo transmetohet e plotë.Mungon një raportim profesional, ku gazetari kontrollon, pyet (kam përshtypje që po vijmë në një ditë që reporterët të kenë turp të pyesin), merr një mendim të specializuar, ballafaqon dhe, për më tepër, e jep lajmin në një kontekst të gjerë ku publiku të marrë vesh se për çfarë bëhet fjalë.
Pak ditë më parë po ndiqja në disa kanale televizive debatin për integrimin. Formati i zakonshëm: dy nga të pozitës, dy nga të opozitës. Politikanë të trajnuar për debate elektorale, të cilët marrin fjalën, e tjerrin sa të mundin (sepse këshilla e trajnuesve është që të mos i përgjigjesh pyetjes nëse nuk të intereson, të sulmosh dhe të mos pranosh asnjë përgjegjësi) dhe në fund të dy orëve debat je më pak i informuar se para nisjes së debatit dhe, sigurisht, më shumë konfuz. Edhe në çështjen e integrimit nuk ndiqet linja e informacionit, por e propagandës. Debati i munguar për integrimin në BE ka anën e vet pozitive. Të dyja forcat kryesore politike, bashkë me 104 partitë e tjera politike, janë në një emërues të përbashkët për interesin strategjik të Shqipërisë për tu anëtarësuar në BE. Në këtë kontekst, mungesa e debatit është pozitive, por fakti është se punët nuk ecin shpejt edhe atëherë kur të gjithë janë dakord.
Një sondazh i Institutit Shqiptar për Studime Ndërkombëtare thotë se administrata publike, media, OJQ-të dhe grupet e biznesit duhet të informohen më shumë për procesin e integrimit në BE. Duhen artikuluar më shumë dhe më qartë përfitimet, sepse nga rezultatet e sondazhit dilte se përfitimi më i madh i vendit është lëvizja e lirë! Barazimi i procesit të integrimit me vizat është një gjë që nuk e nderon median. Barazimi me vizë është ti vësh vizë apo kryq procesit.
Çfarë e bën bashkë BE-në – vende me gjuhë të ndryshme e të kaluar problematike në marrëdhënie me njëri-tjetrin – një nordik me një spanjoll, një britanik me një bullgar apo rumun? The rule of law (shteti ligjor), media e pavarur, ekonomi funksionale tregu, luftë pa kompromis ndaj korrupsionit, dhënie fund të kulturës së pandëshkueshmërisë, rregulla të njëjta.
Integrimi nuk është kuptuar si një rrugë e gjatë, e mundimshme, që kërkon reforma të thella ekonomike, politike, sociale, një proces që do të ndryshojë për mirë të gjithë vendin. Nuk është kuptuar ende si duhet, si një proces që fillon në Tiranë dhe përfundon në Bruksel dhe jo anasjelltas, një proces që strikt ka të bëjë me detyrat e (pabëra) të shtëpisë.
Mungesa e qasjes krahasuese
Një qasje interesante për fazën ku ndodhet Shqipëria do të ishte qasja krahasuese. Ne ndodhemi në një fazë në të cilën janë ndodhur dikur Sllovenia dhe Kroacia - Sllovenia anëtare prej 2004-s dhe Kroacia pritet të bëhet anëtare me të drejta të plota vitin e ardhshëm. Procesi, koha e marrë, sfidat dhe ndikimi që kanë pasur reformat në vendet e sipërpërmendura do të shërbenin si një pasqyrë për të parë deri diku të ardhmen tonë. Mund të mësonim shumë nga sukseset dhe dështimet e të tjerëve. Të paktën do të kuptonim se, që nga hapja e negociatave duhet e pakta një dekadë.E vetmja qasje krahasuese që po vihet re këto ditë është lajmi se Serbia e mori statusin e vendit kandidat dhe Shqipëria ende nuk e ka marrë.
Një tjetër problem që shfaqet në raportimin për Bashkimin Europian është mungesa e gazetarëve të specializuar për BE-në. Rëndom ndodh që Komisioni Europian ngatërrohet me Këshillin e Ministrave, Këshillin e Europës; përcjellja e debateve të Parlamentit Europian ka prirjen e raportimit të debatit në Kuvend. Me gjithë vërejtjet për punën e medias, duhet thënë se media, si burim kryesor informimi, është aktori që ka kontribuuar më shumë në mbajtjen gjallë të entuziazmit dhe deri diku qartësimit të procesit. Raportimet e gazetarëve shqiptarë nga Brukseli kanë qenë një mundësi për të dalë nga pingpongu i akuzave politike në Tiranë. Përmes tyre publiku është informuar se dera e Brukselit mbetet e hapur, se shpejtësia e procesit varet nga Shqipëria dhe jo nga Bashkimi Europian, se ka disa detyra që duhet ti bëjmë vetë dhe nuk mund të na i bëjnë të tjerët.
Në përfundim mund të thuhet se për procesin e integrimit është ora e medias jo vetëm për të mbajtur shënim kohën, por edhe për të raportuar, për të hapur një debat të munguar për sfidat, për avantazhet dhe disavantazhet. Për të përdorur një togfjalësh të vjetër: për të kërkuar llogari.
