Bashkëjetesa në Maqedoni, pranë vijës së kuqe?
Publikohet sondazhi për marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe maqedonasve
Rezultatet e sondazhit më të fundit të Qendrës për Tolerancën Ndëretnike dhe Refugjatët e Maqedonisë- sipas të cilit 78 për qind të atyre (maqedonas, shqiptarë, turq, boshnjakë, serbë, romë, vllahë) që u pyetën gjatë këtij sondazhi të zhvilluar kohët e fundit nga kjo organizatë joqeveritare, vlerësuan se marrëdhëniet ndëretnike janë shumë të këqija, ndërsa 71 për qind thanë se janë të pakënaqur nga bashkëpunimi mes grupeve etnike në Maqedoni -ndezën sirenat e alarmit në qarqet politike dhe publike të këtij vendi. Në këto qarqe vihet në dukje se reflektimi i realitetit, si rezultat i këtij sondazhi alarmant, tregon se marrëdhëniet ndëretnike përsëri po i afrohen “vijës së kuqe”, përtej së cilës u kalua në vitin 2001 në këtë vend që u përfshi në atë kohë nga konflikti ushtarak. Në analizën e qendrës së lartpërmendur, me këtë rast paralajmërohet se toleranca ndëretnike në këtë vend, si kurrë më parë që nga viti 2001, nuk ka qenë në nivel kaq të ulët dhe se nuk mund të përjashtohet që në një të ardhme të afërt të mund të ndodhin konflikte mbi baza etnike të përmasave të vogla që, sidoqoftë, do të mund ta destabilizonin seriozisht Maqedoninë. Partia kryesore në koalicionin qeveritar, ajo sllavo-maqedonase, VMRPO-DPMNE, sikurse bën të ditur gazeta e përditshme “Utrinski Vesnik”, deri më tani nuk ka komentuar as rezultatet e sondazhit të lartpërmendur dhe as situatën e përgjithshme të bashkëjetesës ndëretnike në vend, që momentalisht ndodhet përballë një sfide të re të fortë pas vendimit të fundit të Ministrisë së Arsimit për mësimin e gjuhës maqedonase nga të vegjlit e pjesëtarëve të bashkësive etnike që në klasë të parë. Sidoqoftë, përfaqësues të lartë të VMRPO-DPMNE-së e vlerësuan kohët e fundit si të tepruar prognozën e ambasadorit të BE-së në Shkup, Eruan Fuere, se vendi do mund të ndodhet përballë një destabilizimi eventual nëse nuk zgjidhet çështja e emrit të vendit dhe nëse shkallëzohen tensionet ndëretnike. Por, edhe raportuesi për Maqedoninë në Parlamentin Europian, Zoran Taler (slloven), doli në mbështetje të deklaratës së z.Fuere, duke kujtuar përvojën e hidhur të këtij vendi në vitin 2001. Tani deklarata, të cilën z.Rafiz Aliti, deputet i partisë shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), partnere në koalicionin qeveritar maqedonas, bëri para disa muajsh, se shqiptarët e këtij vendi janë të gatshëm të hyjnë në NATO dhe në BE me ose pa maqedonasit, duke trazuar pasionet politike në vend, nuk duket edhe aq skandaloze, nënvizon gazeta e lartpërmendur maqedonase, e cila gjithashtu citon kryetarin e Komitetit parlamentar për Marrëdhëniet mes Bashkësive Etnike, Xhevat Ademi, i cili deklaroi ditët e fundit se mesazhi që japin rezultatet e sondazhit më të fundit duhet të merret në konsideratë mjaft seriozisht dhe se, në këtë moment, më e pakta që i duhet vendit është keqësimi i marrëdhënieve ndëretnike. “Nuk duhet të lejojmë që të nxehen pasionet dhe të qëndrojmë indiferentë, sepse në këtë drejtim është bërë shumë që nga viti 2001 e këtej”, theksoi ai.
#