Bashkëpunëtorët e pushtuesve, opozita kundër dëmshpërblimit

Dëmshpërblimi i bashkëpunëtorëve të pushtuesit gjatë luftës së dytë botërore përmes një drafti të hartuar nga qeveria kundërshtohet ashpër nga opozita në komisionin parlamentar të ligjeve. Ndërsa diskutohej shtesa në ligjin për dëmshpërblimin e të përndjekurve politike, opozita parlamentare tha se është e patolerueshme që të dëmshpërblehen ish bashkëpunëtorët që kanë bërë krime ndaj bashkëqytetarëve të tyre. Qëndrimi është kundërshtuar nga mazhoranca e cila përmes deputetit Aldo Bumçi tha se bashkëpunëtorët më të mëdhenj të Stalinit, Hitlerit kanë qenë komunistët. Projekligji i propozuar nga mazhoranca parlamentare synon korrigjime ligjore për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politike të regjimit komunist. Drafti mundëson dëmshpërblimin e ish të dënuarve që nuk kanë lënë pasardhës të drejtpërdrejtë. Ndryshimet gjithashtu saktësojnë kriteret ligjore që ish të dënuarit duhet të plotësojnë për të përfituar dëmshpërblimin. Projektligji parashikon gjithashtu shtyrjen edhe me 6 muaj të afatit për aplikimin për dëmshpërblim.