E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Bashkepunimi dhe partneriteti me Italine, prioriteti yne

Tiranë, 10 mars, 12:27, NOA- Italia është partneri gjeo-strategjik dhe investitori më i rëndësishëm për Shqipërinë.

Bashkëpunimi dhe partneriteti me të janë dhe do të vazhdojnë të jenë prioriteti i Qeverisë.

Një fakt i tillë është theksuar dje gjatë takimit që Presidenti i Republikës, Bamir Topi zhvilloi në mjediset e Pallatit të Brigadave me ministrin italian për Zhvillimin Ekonomik, Klaudio Skajola dhe delegacionin, që e shoqëronte në kuadër të vizitës së tij zyrtare në vendin tonë.
Në bashkëbisedim e sipër, Presidenti Topi dhe ministri Skajola vlerësuan lart nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit në të gjitha sferat mes dy vendeve dhe popujve tanë, si dhe shprehën interesimin e përbashkët për thellimin dhe intensifikimin e tyre të mëtejshëm.
Në këtë kontekst, Presidenti Topi shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë italiane për vendin tonë, edhe në kuadër të realizimit të suksesshëm të aspiratës tonë për integrimin në Bashkimin Evropian dhe anëtarësimin me të drejta të plota në NATO.
“Ne ju ofrojmë seriozitetin e miqësisë tonë duke qenë të interesuar dhe të angazhuar maksimalisht në nxitjen e bashkëpunimit në fushat e turizmit, fushën e energjisë, infrastrukturës, transportit, tregtisë, bujqësisë, etj.” – u shpreh Presidenti Topi.

Nga ana e tij, Ministri Skajola shprehu mirënjohjen për “mikpritjen e përzemërt dhe miqësore” të rezervuar nga Presidenti Topi. Ai vlerësoi disa prej zhvillimeve të ekonomisë shqiptare sipas standardeve të tregut të lirë, gjë që ilustrohet edhe nga prania e madhe e mjaft sipërmarrësve të vegjël, të mesëm dhe të mëdhenj në vendin tonë, të cilët kanë investuar dhe zhvillojnë aktivitetet e tyre në prodhimin e çimentos, tekstileve, mekanikës, dhe shprehu besimin në ecurinë pozitive të mëtejshme ekonomike të vendit, duke u bazuar në resurset ekonomike, natyrore dhe njerëzore që Shqipëria disponon.

Në këtë prizëm, Ministri Skajola vuri në dukje se në funksion të rritjes së shkëmbimeve tregtare dhe bashkëpunimit ekonomik më efiçent, “do të nënshkruhet sot një marrëveshje mjaft e rëndësishme në fushën e energjitikës – Marrëveshja për zhvillimin dhe integrimin elektrik dhe të gazit natyror”.

z.b/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›