Bashkëpunim i mirë në mes FSK-së dhe KFOR-it
Komandanti i KFOR-it, gjeneral major Erhard Buhler ka premtuar të martën mbështetjen e vazhdueshme në rrugën për realizimin e objektivave dhe përmbushjen e kapaciteteve operacionale të Forcës së Sigurisë të Kosovës.
Deklarimet për mbështetjen ndaj FSK-së, gjenerali Buhler i bëri gjatë një takimi të gjerë punues në mes të MFSK-së dhe KFOR-it, ku ishte i pranishëm edhe ministri Agim Çeku dhe komandanti i FSK-së, Sylejman Selimi dhe drejtues tjerë institucional.
Takimi- konferenca në fjalë që u mbajt pa praninë e mediave kishte moton “Së bashku për progres”, por tema bosht ishte bashkëpunimi në mes MFSK-së dhe KFOR-it, si dhe zhvillimi i FSK-së gjatë këtij viti.
Në një komunikatë për media të lëshuar nga MFSK thuhet se të dyja delegacionet u pajtuan që gjatë këtij viti të mbajnë takime të përbashkëta, me qëllim të bashkëpunimit të mëtejmë dhe të vlerësimit rreth përmbushjes së kapaciteteve operacionale.
Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Sylejman Selimi e ka njoftuar delegacionin e KFOR-it për planin zhvillimor të FSK-së për këtë vit dhe shprehu gatishmërinë për fillimin e ushtrimeve të përbashkëta me KFOR-in.
Ndërsa komandanti i KFOR-it, gjeneral major Erhard Buhler ka premtuar mbështetje të vazhdueshme në rrugën në realizimin e objektivave dhe përmbushjen e kapaciteteve operacionale të Forcës së Sigurisë të Kosovës.