I ndërrojnë fjalët
Për 10 vite, anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Byrove në Bruksel ka qenë i lidhur me ulësen në OKB. Ky ka qenë argumenti kryesor që kanë përdorur drejtuesit e Bankës Qendrore si arsyetim për mospranimin e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë të sigurimeve.
Megjithatë, kështu nuk do të jetë tash e tutje. Doli që ky nuk paska qenë kushti i vetëm që kosovarët të lëvizin lirshëm.
Atë që ka mundur ta bëjë që 10 vite, Banka Qendrore paralajmëron se do ta bëjë në shtator, kur do të parashtrojë kërkesë për pranim në Këshillin e Byrove në Bruksel, pavarësisht se ulësja në OKB është shumë larg. Këto deklarata të drejtuesve të BQK-së erdhën pas një takimi me një delegacion nga ky mekanizëm ndërkombëtar ditë më parë.
Ekspertët e sigurimeve thonë se kjo është absurde, që për 10 vite të përdoret diçka si argument e më vonë të hidhet poshtë.
Sipas tyre, edhe aplikimi i paralajmëruar për shtator duket i pakuptimtë, kur dihet se mungon infrastruktura ligjore në sigurime. Kësaj pune do t’i hyhet edhe pse ende nuk ka ligj për sigurimet e as byro nacionale, dy kushte këto të pakalueshme për t’u anëtarësuar.
“Deri tash arsyeja kryesore për pengesë në anëtarësim nga BQK-ja dhe institucionet ka qenë anëtarësimi i Kosovës në OKB. Është çudi se si në kumtesën për këtë vizitë kjo nuk përmendet fare”, ka thënë Besnik Nikçi, ekspert i sigurimeve dhe i autorizuar për trajtimin e dëmeve ndërkombëtare.
Sado që tingëllon lajm i mirë, Nikçi thekson se nuk është real, pasi asnjëra nga kushtet për anëtarësim nuk është plotësuar. Posaçërisht pengesë paraqet imazhi i dobët i Kosovës në industrinë e trajtimit të dëmeve ndërkombëtare.
“Likuiditeti i kompanive të sigurimit dhe raportet pozitive në kërkesa për kompensim të demit janë gjithashtu elementare për anëtarësim”, shpjegon ai.
Për më tepër, Nikçi thotë se seancat në Asamblenë e Këshillit gjatë këtij viti mbahen në maj, eventualisht në qershor, gjë që nuk pritet të ketë diçka konkrete këtë vit. Andaj ka rrezik që edhe ky aplikim ta ketë fatin e një aplikacioni për anëtarësim para katër vitesh, i cili ishte refuzuar.
Nga ana tjetër, në njoftimin e BQK-së, të lëshuar pas takimit me delegacionin e Këshillit të Byrove, thuhet se në shtator pritet të shtrohet kërkesa e Kosovës në Asamblenë e Përgjithshme të Kartonit të Gjelbër. Takimi qe organizuar me ftesë të BQK-së dhe në të merrte pjesë presidenti i Këshillit, Mariusz Wichtowski.
“Në mënyrë që Kosova të pranohet apo eventualisht të gjendet një zgjidhje kalimtare, e cila do të hapte rrugë që makinat me targa të Kosovës të lëvizin lirshëm edhe në vendet e tjera dhe po ashtu të njihet edhe Kartoni i Gjelbër i të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe shtetasve që vizitojnë Kosovën”, thuhet në këtë njoftim.
Ndërkaq, në mungesë të Kartonit të Gjelbër dhe infrastrukturës ligjore, tregu i sigurimeve funksionon me rregullore dhe disa marrëveshje që nga Komisioni për Konkurrencë janë cilësuar si monopolistike. Bëhet fjalë për vendimin e këtij Komisioni, me të cilin u konstatua monopol me rastin e çmimeve dhe shitjes se policave kufitare.
Një vit pas këtij vendimi, kompanitë e sigurimeve vazhdojnë ta shesin policen kufitare si tarifë unike. Por, Komisioni nuk u ndal me kaq. Dënoi me 1 milion euro kompanitë. Tash jo për policat kufitare, por ato të brendshme nga auto-përgjegjësia - TPL. Bazë për marrjen e këtij vendimi ishin sërish mbajtja e tarifave fikse.
Një problem tjetër, sipas ekspertëve të kësaj fushe, është edhe mungesa e liberalizimit të tregut.