E Diel, 1 Nëntor 2026

Pacolli s' merr pjesë nëdorëzimin e detyrës,Krasniqi:Të ndryshohet Kushtetuta

PRISHTINE- Është anuluar takimi i paraparë për sot në zyrën e presidentit, ku do të bëhej dorëzim-pranimi i postit të presidentit të Kosovës nga Behxhet Pacolli tek Jakup Krasniqi.

Këshilltari i Pacollit, Arbër Geci ka njoftuar se Behxhet Pacolli nuk do të merr pjesë në ceremoninë e dorëzim-pranimit të detyrës së presidentit. Duke u bazuar në nenin 90 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe në aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese të prillit, Behxhet Pacolli nuk mund te bëjë dorëzimin e detyrës së presidentit tek kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi. Sipas Gecit, ky vendim vjen edhe për faktin se Jakup Krasniqi tashmë ka filluar ta ushtrojë detyrën e presidentit, andaj Behgjet Pacolli e sheh të panevojshme të marrë pjesë në këtë ceremoni.

Lajmi konfirmohet edhe nga zyra e Presidencës. Në një komunikatë për media thuhet se takimi i paraparë për sot në Presidencë nuk do të mbahet. Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, që nga momenti i marrjes së sqarimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, vazhdon të ushtrojë detyrën e Presidentit të vendit.

Në një intervistë  për Raditelevizionin e Kosovës,Krasniqi, e ka quajtur “proces të ngutshëm” zgjedhjen e Behgjet Pacollit për president, ngase, sipas tij, nuk kishte një komunikim midisi subjekteve politike, që janë pjesë e Kuvendit.
Krasniqi ka kërkuar që brenda gjashtë muajve, sa do të jetë shef i shtetit, të ndryshohet neni 86 i Kushtetutës, që ka të bëjë me zgjedhjen e presidentit.
(koha ditore/Balkanweb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›