Bashkëpunimi Shqipëri-Itali, shembull i mirë për Ballkanin
Takohen krerët e policive të të dy vendeve
TIRANE - Duke përdorur si model bashkëpunimin e suksesshëm ndërmjet Policisë Italiane dhe Policisë Shqiptare, Drejtori i Policisë Italiane, Prefekti Antonio Manganelli ka mbledhur në Beograd drejtorët e Policive të vendeve të Evropës Juglindore, për të diskutuar për luftën ndaj krimit të organizuar, krimit ndërkufitarë etj. Në këtë takim kanë marrë pjesë Drejtues së Policisë së Shqipërisë, Malit të Zi, Serbisë, Bosnje Hercegovinës, Kroacisë etj.
Si model bashkëpunimi ndërmjet dy policive, Prefekti Manganelli ka përmendur bashkëpunimin e suksesshëm të Policisë Italiane me atë Shqiptare, ku ky bashkëpunim në luftën ndaj krimit të organizuar duhet marrë si shembull nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.
Ndërkohë që pak kohë më parë Prefekti Manganelli, gjatë vizitës në Tiranë, kishte deklaruar se frytet e këtij bashkëpunimi do ti bënte publike edhe në arenën evropiane. Gjatë diskutimit për bashkëpunimin policor Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi bëri publike disa nga operacionet e përbashkëta të zhvilluara me policinë Italiane dhe atë të Malit të Zi.
Gjatë tre viteve të fundit Policia Shqiptare ka përfunduar me policinë Italiane 29 operacione, të përbashkëta gjatë të cilëve janë arrestuar 68 persona, janë sekuestruar sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike, armë, automjete etj.
Gjithashtu, edhe drejtues të Policisë së Malit të Zi, përmendën bashkëpunimin shumë të mirë që kanë me homologët e tjerë. Nga drejtues të Malit të Zi, si shembull i një bashkëpunimi shumë të mirë u morë Policia Shqiptare, ku pak ditë më parë si rezultat i këtij bashkëpunimi u godit një grup kriminal dhe u arrestuan 26 persona për trafik lëndësh narkotike.
Drejtori i Policisë Italiane, Prefekti Manganelli e vuri theksin në rëndësinë e bashkëpunimit me Policitë homologe të vendeve të Ballkanit, pasi sipas tij Ballkani është kthyer në një zonë të preferuar nga organizata kriminale për trafiqet e paligjshme.
Rëndësi të veçantë Prefekt Manganelli i kushtoi bashkëpunimit në fushën e shkëmbimit të informacionit në kohë reale, trajnimit të punonjësve të policisë duke shkëmbyer eksperienca, si dhe ngritjes së grupeve të përbashkëta të hetimit.