Përse sulmohet dhe tronditet Ministria e Kulturës nga njerëz kamikazë
Ç’faj ka ushtari se gaboi komandanti
Kam parë një skenë të padenjë të porositur e të bërë gati nga politika kur një grup të rinjsh të LRI-së dhe ca “trima të tjerë” shkuan përpara dyerve të Ministrisë së Kulturës në rrugën e Kavajës dhe protestonin me parullat: Turp-Turp”. Përpara kujt protestonin këta dhe kush ishte brenda asaj godine? Brenda saj janë edhe eprorët e mi janë dhjetëra njerëz dinjitozë, krijues, shkrimtarë, muzikantë, piktorë me emër e me autoritet e dhjetëra figura të shquara të kulturës,që punojnë në këtë dikaster. Por në këtë institucion punojnë edhe dhjetëra gra me familje të rregullta, qytetare të denja, fisnike dhe specialiste të fushave përkatëse. Pra përpara kujt protestonin këta ushtarë politikë, kur në një kohë edhe ish-Ministri ishte hequr qysh në mbrëmje dhe nuk kishte më punë në dyert e këtij institucioni. Ne e dimë të gjithë se në errësirë edhe trupi më i drejtë e lë një hije. Morali i një njeriu qoftë kreu i një Ministrie nuk mund të përballohet me faj kolektiv. Ç’punë ka me moralin një administratë e tërë, kur në rastin më konkret, faji është personal dhe paguhet nga personi përgjegjës? Përse duhet të ulin kokën punonjësit dhe ne të tjerët sepse një person kreu një akt të paprecedent, që u dënua me shkarkimin e tij, vendim zyrtar. Çfarë e lidh administratën me sjelljen personale dhe imorale të një drejtuesi, përveçse asgjë? Këto ditët e fundit po përflitet shumë ky dikaster, jo ne atë lloj që duhet, por në anën tjetër. Dhe kjo është dhe bëhet qëllimisht. Ngrihen thashethemnaja nga njerëz të stërvitur të kësaj fushe të cilët përbaltin këdo dhe kudo vetëm e vetëm për të përfituar politikisht. Meqënse është ku rast për ju të LRI-së, që protestuat përpara godinës brenda në strukturat tuaja drejtuese keni një ish-ministër, që u përfol për imoralitet, hapni gazetat dhe revistat dhe do t’i shikoni për kë bëhet fjale dhe kush është ai personi pas viteve 2000 që aktualisht është në strukturat më të larta të partisë tuaj, që u zu gafil me sekretaren në zyrat e shtetit, pra në zyrat e ministrisë, që paguhej nga taksapaguesit shqiptarë, për të bërë punë dhe jo orgji në zyra të shtetit. Kjo nuk është për kompesim, por për të treguar se morali është personal dhe jo kolektiv. Sa për ilustrim, po ju tregoj se kur një fshatar nga lugina e lumit të Vlorës e veshën oficer, doli nga dera e fshatit e tha: “Tani që ika, ja bëra munë fshatit”. Qëndroi nja 5-6 muaj dhe e zhveshën. Xha Selimi i Bratajt i shkroi: “Oficeri me kulturë/përse s’qëndrove në ushtri/fshatit seç i bëre munë/po të ngeli në turi”.
Ç’faj ka ushtari se komandanti ka gabuar? Gabimet i paguan fajtori vetë dhe i vuan po vetë. Po bëhen shkrime dhe reportazhe duke kërkuar të gjenden raste dhe faje. Këto nuk i lihen më medias, por ata persona që kanë pasur precedentë të tillë, le të shkojnë të kryejnë denoncimet në organet e prokurorisë e të nisë një hetim, e të mos i tregojnë bëmat apo ndërshmërinë e tyre pas kaq vitesh. Çfarë vlere kanë këto denoncime sot, kur dyfekët pas lufte quhen se shkojnë kot. Perse duhet ulur koka kur ske dhe s’mban faj mbi supe? Përse duhen baltëzuar të gjithë kur fajtori ka emër dhe mbiemër? Përse ngrihet e gjithë kjo furtunë kundër një dikasteri që s’ka faj? Është propaganda mediatike që mundohet t’i kënetizojë të gjithë, sikur janë imoralë dhe kryejnë orgjira në zyrat e shtetit. Është Turp për ata që ndërmarrin këto veprime dhe turp për mediat që i botojnë të tilla shkrime pa vlerë.
Shpresojmë që të mos ketë humbur ende ndjenja njerëzore e atyre që nxisin dhe drejtojnë shigjetat tek të pafajshmit. Keni fajtorin zotëri, merruni me të. S’na erdhi keq për vendimin që u mor por na erdhi keq se po përbaltet një dikaster që s’duhet përbaltur kurrë.