Ferra shqiptare dhe semafori gjerman
- Sipas mendësisë gjemane: “Tek ne nuk lejohet të kalojnë, në semafor të kuq, as të pasurit, as të bukurit dhe as të fuqishmit”.
- Sipas mendësisë shqiptare: “Në ferrë kalon ujku e dhelpra, delja ngec”.
Ferra mbin, rritet e shumohet pa kurrfarë kujdesi, sidomos aty ku përkujdesja e njeriut mungon.
Semafori projektohet nga inxhinierë dhe prodhohet vetëm në fabrika, nga nevoja për ta, e zhvillimit bashkëkohor.
Që të dyja, ferra e përzgjedhur nga njeriu për veçoritë e ndërtimit botanik dhe semafori i shpikur enkas, përdoren për ndalim dhe lejim. Me ferrë, fshatari ka gardhuar pronën, për t’i mbrojtur të mbjellat nga dëmtimet, duke lënë dy mundësi kalimi: portën për të hyrë e dalë me mjete, dhe kapërcyllin, një ndërthyrje e dy drurëve me degëzim si gërma “V”, nëpër të cilën këmbësori mund të kalojë pa pengesë. Kurse semafori, një gjetje e vonët, është mjet i përshtatshëm, për të vënë rregull, duke lejuar e ndaluar, kalimin e turmës së udhëtarëve dhe lumin e papërmbajtur të automjeteve, nëpër rrugë e kryqëzime të qyteteve.
Si ferra, më herët, dhe semafori, më vonë, janë përmendur në mënyrë figurative në të folmen e përditshme, për të përcaktuar, sidomos, ndalimet e veprimeve të paligjshme e të ndëshkueshme. Ka, në Shqipëri, një thënie, të cilën askund nuk e kam gjetur të shkruar, veçse dikur e kam dëgjuar nga një i moshuar, në fshatin Gorre të Lushnjës, i cili, mbase mund ta kishte të mendjes së vet, ose të huajtur: “Nëpër ferrë kalon ujku e dhelpra, delja ngec” .
Figura me ujkun dhe dhelprën, njëri i fuqishëm e i guximshëm, tjetra bukuroshe e dinake, rrojnë e ushqehen duke dëmtuar. Përveçse kaq, nuk ka ferrë, që t’i bëjë zap, pasi janë të papërmbajtur e dredharakë, për grabitje e dëme. Ato janë nuhatës e përgjues, për t’u shfaqur kur e ku duhet dhe të shkathët për t’i shpëtuar ndëshkimit. Njëlloj, si vjedhësi zyrtar, me kostum firmato, gravatë të mëndafshtë e këpucë lëkure të vërtetë, që përbiron gardhin e shtetit, por që aty, lehtësisht, ngec qyqari - vjedhësi xhepist.
Atë që ndër ne, për metaforë, thirret Ferrë, në Gjermani është Semafor. Presidenti Horst Këler, sipas një lajmi në Dojçe Velle, nga fjalimi i tij në qershor të vitit të kaluar, iu drejtua punonjësve, sipërmarrësve e punëtorëve, duke iu referuar “Agenda 2010”, dhe kërkoi për “Agenda 2020”, që, “Nuk duhet të nëpërkëmbim apo dhe më keq, ta kthejmë mbrapsht atë që kemi arritur, por duhet të shkojmë përpara në rrugën tonë, që është sprovuar e drejtë”. Presidenti gjerman, në shtetin e vet ligjor, megjithatë, i druhet rrezikut, gjithmonë kanosës, të gërryerjes së financave të shoqërisë, nga shkelësit e ligjit. Ai thirri semaforin gjerman, duke u kujtuar të gjithëve: “Tek ne nuk lejohet të kalojnë, në semafor të kuq, as të pasurit, as të bukurit, as të fuqishmit”. Sipas mendësisë gjermane, thuhet prerë: “Nuk lejohet të kalojnë”. Domethënë ndalohen e duhet të ndalohen elementët, e rrezikshëm shoqërorë, të shkeljes së ligjit: të pasurit, të bukurit dhe të fuqishmit. Sipas mendësinë shqiptare, thuhet e kundërta: “Në ferrë kalojnë”. Domethënë nuk pengohen lehtë, ujku - i fuqishmi dëmtues, dhe dhelpra - dinakja bukuroshe. Por, delja ngec - domethënë, i pazoti, ose ai që ka një zyrë a detyrë dhe nuk do, nuk di, a nuk e përdor dot për të vjedhur, si dhe ai që di të vjedh e s’di të fshehë pasi vjedh. Në Shqipëri, po bëhen përpjekje për të mos u marrë në mënyrë folklorike me çështjen, “me kafshë pylli dhe mjete natyrore pengimi”, por të zbatohet ndalimi gjerman, për të pasurit, të fuqishmit dhe të bukurit, të cilët i bien më qafë zhvillimit të shoqërisë, që vjedhjen zyrtare synojnë ta përjashtojnë si kategori të neveritshme morale.