E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkëpunimi ekonomik, Haxhinasto takon homologun serb, Vuk Jeremiç

BEOGRAD- Zv/kryeministri, Edmond Haxhinasto, njëherësh Ministër i Punëve të Jashtme mori pjesë dje në Samitin e Nismës së Evropës Qendrore, ku u takua me homologun e tij serb, Vuk Jeremiç dhe Presidentin e BERZH, Thomas Miroë.

Ky samit organizohet nga Presidenca e radhës, që aktualisht mbahet nga Serbia. Në fjalën e tij në këtë samit, Haxhinasto u shpreh se “qeveria shqiptare do vazhdojë kontributin e saj në suksesin e kësaj nisme të rëndësishme për rajonin”. Duke iu referuar krizës globale ekonomike dhe financiare, Haxhinasto theksoi se “për të përballuar efektet e kësaj krize, vendet e rajonit duhet të përmirësojnë situatën makroekonomike, lirinë ekonomike, investimet e huaja, sistemin bankar, si dhe politikat fiskale”.

“Ne, - tha ai, “duhet të forcojmë konkurrueshmërinë e rajonit tonë, për t`i bërë vendet tona dhe rajonin më efektiv dhe konkurrues”.

Gjatë takimit me homologun Jeremiç, Haxhinasto tha se “pala shqiptare i kushton një rëndësi të posaçme nënshkrimit të marrëveshjes për njohjen reciproke të diplomave universitare dhe po me të njëjtin interes vlerëson edhe përfundimin e marrëveshjeve të tjera, që janë prej kohësh në proces”.
Nga ana tij, Jeremiç nënvizoi se duhet të nxitet më tej bashkëpunimi ekonomik dhe të mundësohet një komunikim më i frytshëm midis komuniteteve të biznesit të dy vendeve. Ndërsa gjatë takimit me Presidentin e BERZH, Haxhinasto vlerësoi angazhimin e BERZH-it në Shqipëri dhe theksoi se bashkëpunimi shumë i mirë ka bërë që implementimi i projekteve të ecë në ritmet e duhura.
(m.a/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›