E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, dy padi për dublimet në listat dhe kutitë e Tiranës

SHKRUAN: Fejzi Braushi 23-07-2011 12:08

Socialistët nisin të bëjnë realitet premtimet e tyre për vijimin e betejës ligjore për zgjedhjet e 8 Majit në përgjithësi dhe atë për Bashkinë e Tiranës në veçanti. Ditët e fundit PS-ja ka depozituar dy shtesa padish, njëra për falsifikim të të dhënave të regjistrit të Gjendjes Civile dhe për rrjedhojë dhe listave të zgjedhësve; dhe një të dytë për ndryshimin e rezultatit të zgjedhjeve në Tiranë. Një fakt të tillë e ka bërë të ditur dje sekretari i asamblesë socialiste për çështjet elektorale, Armando Subashi, i cili gjatë një komunikimi me mediat ka sjellë dhe fakte të reja që, sipas selisë rozë, vërtetojnë pretendimet e mësipërme.

Listat

Shtesë padia e parë që ka depozituar ditët e fundit PS-ja dhe që ka të bëjë me listat e zgjedhësve i bashkëngjitet asaj të bërë në organin e akuzës para zgjedhjeve të 8 Majit. Subashi ka bërë të ditur se një hap i tillë u bë i nevojshëm, se pas zgjedhjeve u gjendën fakte dhe prova të tjera që faktojnë manipulimin që, sipas tij, ka bërë mazhoranca vetëm nëpërmjet shtimit fiktiv të listave të zgjedhësve. Sipas tij, vetëm në Tiranë pretendohet për 5300 emra të shtuar. “Për fat të keq edhe lista përfundimtare i pasqyroi të gjitha problemet që kishte lista paraprake. Nga gjithë përpunimi që ne i bëmë listës përfundimtare të zgjedhësve, rezultoi që, së pari, në të gjithë Shqipërinë kishte rreth 21 mijë dublime të pastra dhe të fshehta. Nga këto rreth 5300 prej tyre rezultojnë të jenë vetëm në Bashkinë e Tiranës”, - tha Subashi. Duke detajuar, sipas tij, metodat e manipulimit, Subashi ka sqaruar se bëhet fjalë për dublime të pastra, dublime të fshehta, shtim të familjeve fantazmë dhe votim të emigrantëve që s’kanë qenë në Shqipëri atë ditë. Për të qenë pak më konkret në shifra, Subashi ka bërë të ditur se rreth 1096 janë dublime të pastra, çka do të thotë që në dy qendra votimi brenda Bashkisë së Tiranës figuron si votues i njëjti person. Përveç tyre, ai ka bërë të ditur se ekzistojnë në një numër të konsiderueshëm dhe dublimet e fshehta, të cilat nuk janë gjë tjetër veçse ndryshimi i një karakteri apo elementi të të dhënave të një personi dhe ai mund të ishte dy herë në lista në dy qendra të ndryshme, ndërkohë që kompjuteri nuk mund t’i kapte si dublime. “Sigurisht pjesën dërrmuese të tyre e zë Bashkia e Tiranës. Të gjitha këto dublime në lista kanë qenë një mundësi potenciale që persona të caktuar të kenë votuar në dy qendra votimi”, - tha Subashi, i cili ka shpjeguar ndër të tjera edhe mënyrën sesi është vepruar me shtimin e familjeve joreale apo shtimin e numrit të anëtarëve në një familje.

Rezultati

Ndërkohë, padia e dytë shtesë i bashkëngjitet padisë së parë të paraqitur nga PS-ja në datën 19 Maj, ku kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, akuzohej se duke shpërdoruar detyrën kishte bërë të mundur manipulimin e rezultatit të zgjedhjeve. Faktikisht kjo shtesëpadi nuk është gjë tjetër veçse paraqitja para organit të akuzës të të gjitha provave dhe fakteve që socialistët paraqitën edhe në Kolegjin Zgjedhor për rezultatin e Tiranës. Sipas socialistëve, në më shumë se 294 qendra votimi rezultati nuk është real dhe se ai është produkt i një procesi manipulimi, duke futur duart në kuti. Për të vërtetuar këto akuza, PS-ja ka paraqitur pamjet filmike të momentit të numërimit të votave, procesverbalet e grupeve të numërimit etj.. “Shpjegimi i vetëm është që në të gjitha këto kuti janë futur duart, pra janë shtuar fletë votimi nga persona të caktuar, qoftë në KQZ, qoftë edhe jashtë KQZ-së dhe si përfundim morëm atë rezultat të deformuar për Bashkinë e Tiranës”, - tha Subashi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›