Bashkëpunimi në fushën e investimeve

Ministri Edmond Haxhinasto vizitë zyrtare në Katar
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto u nis dje për një vizitë zyrtare në Shtetin e Katarit me ftesë të Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, Sheikut Hamad Bin Jassim bin Jabir Al Thani. Në programin e kësaj vizite janë parashikuar takime me lidershipin politik më të lartë të këtij shteti të Gjirit Persik, si me Emirin e Katarit, Kryetarin e Këshillit Konsultativ të Katarit dhe Kryeministrin e vendit. Gjatë takimeve me zyrtarët e lartë do të analizohet bashkëpunimi i deritanishëm midis të dy vendeve si dhe perspektiva e zhvillimit të mëtejshëm të tyre. Qëllimi kryesor i vizitës është që krahas zhvillimit të marrëdhënieve të shkëlqyera politike që ekzistojnë midis të dy vendeve, të theksohet bashkëpunimi sidomos në fushën e investimeve. Kryediplomati shqiptar dhe delegacioni që e shoqëron do të parashtrojnë disa nga projektet më të rëndësishme ku mendohet se ekzistojnë mundësi për realizimin e një bashkëpunimi me interes të ndërsjellë ndërmjet Qeverisë Shqiptare dhe Shtetit të Katarit. Këto projekte përfshijnë fusha si energjetika, infrastruktura rrugore, bujqësia, turizmi si dhe fushën e punësimit. Në agjendën e takimeve një vend të rëndësishëm do të zërë edhe shkëmbimi i mendimeve për zhvillimet politike dhe të sigurisë në Lindjen e Mesme dhe në botën arabe në veçanti. Në programin e vizitës është parashikuar edhe nënshkrimi i Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Shtetit të Katarit për heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe ato speciale.
...