Përplasja me biznesin shkatërron programin ekonomik të Ramës

Pas Ben Blushit që e akuzoi programin ekonomik si “jo të majtë”, dje ka qenë radha e Arben Malajt që të thotë se në vend të propozimeve të Edi Ramës për taksat, duhet zbatuar njëfarë “takse hermafrodite”, një shartesë e taksës së sheshtë me atë progresive. Askush s’e paska marrë seriozisht kongresin programor të Edvinit, prandaj edhe në ballafaqimin e parë me biznesmenët, ai u shkërmoq, njëlloj si të ishte programi i një grupi të ngushtë interesi
Programi ekonomik i Edi Ramës është “hedhur në erë”
Tryeza e para disa ditëve e kreut të PS-së me biznesin ishte vetëm konfirmimi i shkatërrimit të këtij programi, ende në embrionin e tij. Kundërshtitë e Gjergj Buxhukut, Luan Bregasit, Nikolin Jakës apo Viktor Nushit në tryezën e thirrur nga Edi Rama me biznesin, ishin jo konfirmim i qëndrimeve të mazhorancës (të kundërta me opozitën), por për më tepër ishin konfirmimi i kundërshtimeve ndaj këtij programi që kishte shprehur më herët Ben Blushi. Ndërkohë, kundërshtimi i djeshëm i Arben Malajt, thjesht dhe vetëm ia pordhi programin ekonomik Edi Ramës.
Reagimi i djeshëm i Arben Malajt dukej se vinte me cilësinë e ish-ministrit të fundit socialist të Financave dhe jo si anëtar i kryesisë së PS-së. Sepse, si anëtar i kryesisë së PS-së, në qoftë se e ka pyetur Edi Rama, ai i ka pasur të gjitha mundësitë që ta ndalte konsumimin e kryetarit të PS-së me “teorinë e taksës progresive”. Pavarësisht kësaj mungese guximi nga ana e anëtarit të kryesisë së PS-së, Arben Malaj kishte gjetur dje një mundësi optimale për ti thënë Edi Ramës, “që e ke gabim”, “apo e ke keq” për punën e taksë progresive.
Por pos “formës” së zgjedhur prej Arben Malajt, për pos edhe kompleksit të tij, të njëjtë edhe me atë të anëtarit tjetër të kryesisë Ben Blushit, apeli i tij (Arben Malajt) ishte i qartë, kur i kërkonte PS-së të gjejë një ekuilibër mes taksës së sheshtë dhe progresive dhe të garantojë barazinë e mundësive.
Si kur shprehej, “që biznesi të rritet, ai duhet të ketë treg në rritje brenda ose jashtë vendit, vetëm kështu biznesi do të ketë fitime, ndërsa ekonomia do të krijojë më shumë punë dhe më pak të varfër”, ashtu edhe kur shprehej, “po kështu, çdo politikë që synon uljen e ndjeshme të taksave mbi të ardhurat personale dhe konsumin, duke rritur tatimin e kapitalit, mund të krijojë efekte negative në ekonomi, duke e trembur dhe tkurrur investimin privat, pa të cilin nuk ka rritje ekonomike dhe punësim”, Arben Malaj profesionalisht s’ishte thjesht dhe vetëm më se i qartë përballë “futja kot” të Edi Ramës për taksën progresive, por ishte edhe më i përgjegjshëm.
Për Arben Malajn dje, por edhe disa ditë më parë për Ben Blushin, shembulli i Greqisë, nuk kishte si të shpëtonte dhe të mos artikulohej si shembull i keq, që kurrsesi nuk duhet ndjekur. Pas, kundërshtimeve të Ben Blushit, pas konfirmimit të këtyre kundërshtive edhe nga komuniteti i biznesit, si edhe pas pjerdhjes që Arben Malaj i bëri dje programit ekonomik të Edi Ramës, i ngelet këtij të fundit të kuptojë dhe të heqë dorë nga taksa progresive, duke hequr dorë kështu nga tentativa e tij për ta shndërruar ekonominë tonë në shtojcë të ekonomisë së dështuar greke.