E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokurori-Qeveri, vazhdon beteja e raporteve

Ina Rama dhe Eduart Halimi / Foto LSA

TIRANE- Qeveria dhe prokuroria janë duke thelluar llogoret e tyre për një betejë të afërt në Kuvend. Ina Rama ka mbledhur Këshillin e Prokurorisë dhe ka nxjerrë një kundër-raport ndaj aktit të kontrollit për organin e akuzës, të dorëzuar nga Ministri Halimi në Parlament. Gjatë mbledhjes, ku u diskutua mbi raportin e Ministrisë së Drejtësisë, u vlerësua se konkluzionet janë tendencioze dhe se në të ka pasur shkelje gjatë inspektimit. Eshtë shkelur Kushtetuta e Shqipërisë, e për më tepër ka devijuar edhe kontekstin e kontrollit- u tha në këtë takim. Gjatë shqyrtimit të raportit të inspektimit, në Këshill u debatua fillimisht mes përfaqësueses së Ministrisë së Drejtësisë, Evjeni Sinoimeri dhe anëtarëve të tjerë, lidhur me faktin se duhej shqyrtuar apo jo raporti aty. Në fund, sipas njoftimit të dhënë nga Këshilli i Prokurorisë, u vendos që raporti të shqyrtohej.

Sipas deklaratës së dhënë dje nga Këshilli i Prokurorisë, raporti ka në tërësi mungesë profesionalizmi duke u kthyer në formë tendencioze kundrejt organit të prokurorisë. Sipas Këshillit, në raport janë kryer përgjithësime mbi faktet dhe raporti ka përdorur një gjuhë që sulmon drejtpërdrejt dhe në mënyrë më agresive sigurinë publike të qytetarëve. Këshilli i Prokurorisë ka renditur disa pika nëpërmjet të cilave, sipas tij, vihet re qartë natyra tendencioze e kontrollit dhe e raportit të kryer nga Ministria e Drejtësisë mbi punën e organit të akuzës në vend. Ministria e Drejtësisë ka përgjithësuar faktet duke i ngritur deri në rangun e rekomandimeve, vetëm duke u mbështetur në kontrollin e 121 procedimeve penale në Prokuroritë e Shkallës së Parë në.

Në raport me volumin e procedimeve të hetuara për vitin 2011, ky kampion i përdorur përbën rreth 0.04 % të procedimeve të hetuara. Janë kontrolluar 532 procedime të gjykuara në Apel dhe të përfaqësuara nga prokurorët e Prokurorive të Apeleve Tiranë dhe Durres, prej të cilave veçojnë vetëm 28 procedime, ku kanë shkelje sipas inspektimit. Po ashtu Këshilli i Prokurorisë tha se raporti i mësipërm ka përdorur të dhënat statistikore të Prokurorisë së Përgjithshme për vitin 2011, duke raportuar për gjendjen e kriminalitetit në Republikën e Shqipërisë, në kundërshtim te hapur me Kushtetutën dhe ligjin Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë, i vitit 2001. Madje të dhënat statistikore të Prokurorisë së Përgjithshme janë manipuluar duke paraqitur shifra ndryshe nga realiteti, tha organi këshillimor i Prokurorisë në reagimin zyrtar.

Në mënyrë indirekte duket se Këshilli akuzon Ministrinë e Drejtësisë se ka ndërhyrë në punën e Prokurorisë së Përgjithshme sa i përket shifrave të kriminalitetit dhe raportimit të tyre në Kuvend, si e drejtë ekskluzive e organit të akuzës. Më tej Këshilli akuzoi se raporti ka dhënë konkluzione për ligjshmërinë e vendimeve të mosfillimit, vendimeve të pushimit, vendimeve të dërgimit në gjykim e të regjistrimit të procedimeve penale, duke dale jashtë kontekstit të Ligjit Për Prokurorinë, pasi për ligjshmërinë e vendimmarrjes së prokurorëve vendosin gjykata ose prokurori më i lartë. Në pikën 4 të konkluzionit të saj, Këshilli i Prokurorisë thotë: Është shprehur për procedimet pasurore, të cilat rregullohen me ligjin Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë, i vitit 2010.

Sipas këshillit, këto hetime nuk janë penale dhe nuk mund të gjykohen nga Ministria e Drejtësisë, pasi del jashtë frymës së nenit 56 të Ligjit për Prokurorinë. Në fund të konkluzioneve të tij, Këshilli i Prokurorisë, tha se gjuha e raportit sulmon qytetarët, duke manipuluar shifrat e prokurorisë, por edhe të përqindjeve te prokurorive të kontrolluara të shkalles së parë kur flitet për 43% te prokurorive të kontrolluara në shkallë të parë dhe në fakt është kontrolluar vetëm Prokuroria për Krime të Renda dhe 9 kontrolle të tjera janë kryer mbi bazë ankesash, çka tregon mosprofesionalizmin e kontrolleve dhe  tendencën negative të tyre.

Halimi: Çdo shkelje e konstatuar ka edhe arsyetimin ligjor

Menjëherë pas deklaratës së dhënë dje nga Këshilli i Prokurorisë, reagoi Ministri i Drejtësisë Eduart Halimi. Ai tha se ministria e Drejtësisë mbështet shqetësimin publik në rritje për përgjegjshmërinë e institucioneve të drejtësisë, ndaj ligjit dhe Kushtetutës. Veprimtaria e Ministrisë së Drejtësisë është e orientuar për konsolidimin e shtetit të së drejtës, ku sundon ligji, i cili duhet të jetë i aftë të garantojë liritë dhe të drejtat themelore të qytetarëve. Ministri i Drejtësisë tha se në fokusin e punës së ministrisë ka qenë verifikimi i ligjshmërisë së prokurorisë në përputhje me kompetencat ligjore të nenit 56 të ligjit Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në RSH, i ndryshuar. Sipas Halimit, objekti i inspektimeve është përcaktuar në përputhje me shqetësimin dhe ankesat e publikut, mbi ushtrimin e një politike penale të gjatë vitit të kaluar nga prokuroria, duke aplikuar masa të ulëta dënimi. Sipas tij, hartimi i raportit vjetor të Ministrit të Drejtësisë drejtuar Kuvendit përmban fakte të verifikuara përgjatë inspektimeve në terren të zhvilluara nga Ministria e Drejtësisë përgjatë një viti. Çdo fakt i paraqitur në të dhe çdo konkluzion i nxjerrë, bazuar në faktet e paraqitura gjen mbështetje në inspektimet e veçanta të zhvilluara. Çdo konkluzion i nxjerrë përmban arsyetimin ligjor të faktit të konstatuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›