Halimi: Prokuroria i ka pranuar shkeljet, raporti përmban fakte të verifikuara

Raporti i Ministrisë së Drejtësisë mbi inspektimet e kryera në organin e akuzës kthen vëmendjen tek shkeljet e verifikuara, të cilat e kanë shndërruar prokurorinë në një institucion që s’po përmbush detyrimet e tij kushtetuese
Akuzat e ngritura së fundmi nga Ministria e Drejtësisë ndaj institucionit të Prokurorisë për mangësi në përmbushjen e detyrave ligjore si dhe shkelje të rënda ligjore, kanë bërë që organi i akuzës të lëshojë një deklaratë për shtyp aludon për shkelje të Kushtetutës nga ana e Ministrisë, në përpilimin e raportit dhe paraqitjen e fakteve. Ministria e Drejtësisë konstatoi shkeljet ligjore në ushtrimin e funksioneve nga ana e Prokurorisë, pas inspektimeve të kryera, në përputhje me mekanizmat kushtetues dhe ligjorë të kontrollit të pushteteve dhe organeve kushtetuese. Kundërakuzave të Prokurorisë, se në raportin e ministrit Halimi janë manipuluar statistikat dhe se raporti është tendencioz kundër Prokurorisë së Përgjithshme, u është përgjigjur dje në mbrëmje ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi. Përmes një njoftimi për shtyp, Halimi tha se raporti i MD-së është i ligjshëm dhe nuk shkel Kushtetutën pasi sipas tij, ushtrimi i kontrolleve në politikën penale të Prokurorisë është i nevojshëm për të shmangur rrezikimin e interesit publik nga ushtrimi i funksioneve në mënyrë të pakontrolluar dhe në mënyrë të pavarur nga Kushtetuta dhe ligjet. “Ministria e Drejtësisë rikonfirmon besimin e saj se parimi i ndarjes së pushteteve, siç ka interpretuar edhe Gjykata Kushtetuese, nuk duhet kuptuar që çdo pushtet është i mbyllur dhe i pakontrolluar nga askush. Neni 148 i Kushtetutës përcakton prokurorinë si organin e vetëm kushtetues, që ka mision të ushtrojë ndjekjen penale e rrjedhimisht të marrë në mbrojtje liritë e të drejtat e shtetasve që cenohen nga kryerja e veprave penale. Prokurorisë i janë dhënë me Kushtetutë dhe me ligj të gjitha mjetet e duhura procedurale (ngritja e akuzës, kryerja e veprimeve procedurale gjer tek e drejta e ankimit) për të orientuar politikën penale shtetërore për një luftë efikase ndaj kriminalitetit. Reagimi në media për herë të dytë i zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, nëpërmjet zëdhënësit të tij, duke përdorur si Shoqatën e Prokurorëve, ashtu edhe Këshillin e Prokurorisë bie ndesh jo vetëm me situatën e fakteve, por edhe me besimin publik tek organi i ndjekjes penale”, u shpreh Halimi. Ai theksoi në deklaratën e tij se në fokus të inspektimeve të kryera ka qenë verifikimi i ligjshmërisë së prokurorisë në përputhje me kompetencat ligjore të nenit 56 të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në RSH”, i ndryshuar, duke nënvizuar se objekti i inspektimeve është përcaktuar në përputhje me shqetësimin dhe ankesat e publikut, se Prokuroria kishte aplikuar masa të ulëta dënimi. “Hartimi i raportit vjetor të Ministrit të Drejtësisë drejtuar Kuvendit përmban fakte të verifikuara përgjatë inspektimeve në terren të zhvilluara nga Ministria e Drejtësisë përgjatë një viti. Çdo fakt i paraqitur në të dhe çdo konkluzion i nxjerrë bazuar në faktet e paraqitura gjen mbështetje në inspektimet e veçanta të zhvilluara. Çdo konkluzion i nxjerrë përmban arsyetimin ligjor të faktit të konstatuar”, nënvizon Ministri i Drejtësisë. Halimi bën me dije se edhe pretendimi për shkelje të ligjit dhe manipulim të shifrave nga Ministria e Drejtësisë nuk qëndron. Këtë Halimi e argumenton me faktin se “shkeljet e paraqitura në raportin vjetor të Ministrit të Drejtësisë janë gjendje fakti e konstatuar nga inspektimi në terren dhe e dokumentuar me një set aktesh të tërhequra me fotokopje. Prokurori i Përgjithshëm, ndonëse në shumicën e inspektimeve të kryera, nuk ka kthyer përgjigje, në ato pak raste që ka reaguar ka pranuar shprehimisht se shkeljet e verifikuara gjatë inspektimit ekzistojnë. Lidhur me pretendimin se në shifra statistikore në rang Republike, konkluzionet e Ministrisë së Drejtësisë nuk i përgjigjen realitetit dhe janë jo objektive”, deklaron ministri. Kjo sipas tij për dy arsye, pasi analiza merr në konsideratë faktin që çështjet e pa inspektuara nga Ministria e Drejtësisë janë të gjitha në përputhje me ligjin dhe arsyeja e dytë pasi statistikat e paraqitura zyrtarisht nga organi i prokurorisë në Ministrinë e Drejtësisë konfirmon deformimin e analizës statistikore të deklaratës për shtyp. Halimi e ilustron këtë argument me faktin se në veprat penale me ndjeshmëri dhe interes publik rezulton se një numër i pakët i çështjeve të hetuara për vitin 2011 janë dërguar për gjykim. Po kështu ministri i Drejtësisë thotë se pretendimi se shkeljet e konstatuara janë të karakterit formal dhe nuk kanë ndikuar në mënyrën e zgjidhjes ligjore të çështjeve është i pavend. “Ministria e Drejtësisë thekson se rregullat formale janë të një rëndësie primare dhe ndikojnë drejtpërsëdrejti në shmangien e fiktivitetit. Si të tilla, ato janë sinjali i parë i dukshëm i eficencës dhe i integritetit në një gjykim. Qëndrimi i prokurorisë në media, anashkalon rëndësinë e respektimit të procedurave ligjore që duhet të udhëheqë prokurorin në veprimtarinë e tij hetimore, duke i përcaktuar shkeljet e konstatuara si shkelje formale që nuk cenojnë cilësinë e hetimeve. Prokuroria anashkalon faktin se kategoria e shkeljeve të përmendura në Raport cenon të drejtën kushtetuese të individëve për një proces të rregullt ligjor dhe minon besimin publik tek efektiviteti i ndjekjes penale”, tha ai. Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi nënvizon gjithashtu se në ushtrimin e kontrolleve të kryera në Prokurori Ministria e Drejtësisë nuk ka shkelur parimin kushtetues të ndarjes së pushteteve. “Në përputhje me nenin 56 të ligjit organik të prokurorisë, çdo kontroll është përqendruar në respektimin e afatit të hetimeve, respektimin e afatit të paraburgimit, respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të subjekteve të procedimit penal, rregullshmërinë dhe vijueshmërinë e veprimeve hetimore të kryera, respektimin e detyrimit ligjor të prokurorit për fillimin e ndjekjes penale, respektimin e parimeve të drejtësisë, barazisë, ligjshmërisë së veprimtarisë së prokurorit në marrëdhëniet e tij me subjektet e tjera të procedimit penal”, thuhet në deklaratën e ministrit. Në fund ministri Halimi thotë se qëndrimi zyrtar i Ministrit të Drejtësisë është se inspektimet e kryera janë ushtrimi i mekanizmave kushtetues dhe ligjorë të kontrollit të pushteteve dhe organeve kushtetuese, si një aspekt bashkëshoqërues i ndarjes së pushteteve dhe përgjegjshmërisë së organeve kushtetuese. “Ministria e Drejtësisë, si pjesë e pushtetit ekzekutiv, mbështet, bashkëpunon dhe bashkërendon veprimtarinë e saj me prokurorinë në respekt të plotë me parimin e qeverisjes të sanksionuar nga neni 7 i Kushtetutës ‘Sistemi i qeverisjes në Republikën e Shqipërisë bazohet në ndarjen dhe balancimin ndërmjet pushteteve ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor’. Në këtë mënyrë, sipas Kushtetutës, aq sa flitet për ndarje bëhet fjalë edhe për ekuilibër të pushteteve. Qëllimi i një koncepti të tillë kushtetues siguron që të parandalojë çdo degë të qeverisjes për të ushtruar një pushtet të pakufizuar”, vijon më tej deklarata e ministrit të Drejtësisë, Eduard Halimi.
...