E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkëpunimi ushtarak anglo-francez në të mirë të Evropës

26-11-2011 / Nga Jacques Quesada (Le Monde)

Një vit pas nënshkrimit të “Marrëveshjes së Londrës” - nëntor 2010 - që nënkuptonte thellimin e bashkëpunimit ushtarak midis Francës dhe Anglisë, pjesa më e madhe e specialistëve binin në një mendje kur shpreheshin se karakteri dypalësh i kësaj marrëveshjeje - ngaqë anashkalonte rrafshin institucional evropian - ishte një mynxyrë për mbrojtjen tërësore të kontinentit. Përkundrazi, a nuk shfaq kjo ortakësi ekonomike dhe operacionale një hap të rëndësishëm të ndërmarrë për hedhjen shtat të një force ushtarake, e për më tepër, të një force ushtarake evropiane? Bashkëpunimi franko-britanik ka një traditë të hershme historike, por rrethanat e çastit kërkonin nga të dyja vendet zbatimin e parimeve të “Realpolitikës” për çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë evropiane. Kjo marrëveshje përbën një rast të artë për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare të ardhmes së politikave evropiane të mbrojtjes. Në fakt, janë nxjerrë mësime me vlerë nga marrja në shqyrtim e kësaj marrëveshjeje edhe prej vetë specialistëve të fushës së mbrojtjes, nga të dyja vendet. Së pari, mungesa e vullnetit politik dhe heqja dorë e Evropës institucionale për të qenë një aktor me peshë në skenën ndërkombëtare, bie ndesh me synimet e saja të shpallura diplomatikisht, duke shkaktuar për pasojë një dobësim thuajse të pandreqshëm të rolit të saj. Kjo strategji do të dëshmohej përmes zgjedhjes së Evropës për “soft poker”-in, apo thënë ndryshe të një fuqie me aq ndikim, sa të çmohej si masë e mjaftueshme për të ruajtur besueshmërinë e saj në çështjet botërore, e duke ia lënë NATO-s përgjegjësinë e mbrojtjes së përbashkët. Për më tepër, shkurtimet e ashpra të buxhetit të mbrojtjes i diktojnë strukturat përkatëse të të dyja vendeve që të jenë më ekonomiqare në blerjet e materialeve të nevojshme, duke e përqendruar qëllimin e tyre në ruajtjen e aftësive mbrojtëse, të denja për statusin e tyre: atë të fuqive të mëdha botërore. Ndërkaq, vënia e theksit të bashkëpunimit vetëm tek arsyet ekonomike nuk ofron vetvetiu jetësimin e mbrojtjes së përbashkët. Veçoria kryesore e qasjes ushtarake Paris-Londër duhet kërkuar te motivi i rendit gjeopolitik e gjeostrategjik, që përbën edhe bazën themelore të orientimit të politikave të mbrojtjes. Njëherazi, të dyja vendet kanë disa tipare të përbashkëta: janë anëtarë të Këshillit të Sigurisë së OKB-së, janë fuqi bërthamore, mbartin aftësi të larta të veprimit në mjedise tokësore, detare e ajrore. Të dyja së bashku mbulojnë thuajse gjysmën e buxhetit të mbrojtjes dhe të veprimtarive operacionale të Evropës, ashtu siç edhe kanë kuptuar se ruajtja e peshës ushtarake në rrafsh ndërkombëtar arrihet nëpërmjet vënies në zbatim të një bashkëpunimi të thelluar. Perspektivat historike na bëjnë të kuptojmë se kjo “Antantë e Re dhe e Përzemërt” nuk do të thotë se qëndrimet e franceze janë njësuar me ato britanike, apo anasjelltas. Kjo tregon vetëm se ato po veprojnë nisur nga një këndvështrim pragmatist, i mundësuar nga përafrimet e qëndrimeve në fushën e mbrojtjes. Nga njëra anë, gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, britanikët kanë ngritur një sërë pikëpyetjesh në lidhje me disa qëndrime të politikës së tyre të jashtme që shfaqnin shenjat e nënshtrimit ndaj interesave gjeopolitike amerikane. Sidoqoftë, dobësimi i marrëdhënieve të privilegjuara transatlantike me SHBA-në ka ardhur edhe si pasojë e mungesës së vëmendjes së shfaqur nga amerikanët për çështjet e sigurisë evropiane, madje duke shfaqur interes gjeostrategjik gjithnjë e në rritje për vendet e Azisë dhe Paqësorit. Nga ana tjetër, rrjedha që kanë marrë politikat mbrojtëse të Francës karakterizohen nga një zhvendosje prej qëndrimeve tradicionale, të tilla si pavarësia strategjike, normalizimi i marrëdhënieve me NATO-n, një atlantizëm i theksuar dhe zelli për të vendosur një drejtpeshim të ri në boshtin Uashington-Londër. Tashmë janë krijuar rrethana të favorshme që paralajmërojnë për një panoramë të re në dobi të politikave mbrojtëse të Evropës. Në këtë kuptim, përafrimi ushtarak i këtyre dy vendeve është rasti më i mirë që të tejkalohen dallimet dhe të shkohet drejt një përqasjeje edhe në rrafshin diplomatik, çka do të shpaloste synimin strategjik të integrimit të kontinentit. Gjithsesi, ky është një synim afatgjatë që mund të jetësohet përmes një politike të jashtme të njësuar, duke i dhënë kështu fund njëherë e mirë ngurrimeve dhe luhatjeve britanike në lidhje me angazhimet integruese. Historia na bën me dije se të gjitha përparimet e arritura kanë hasur jo pak vështirësi. Kështu, bashkëpunimi ushtarak franko-britanik nuk duhet parë si një tërheqje e përhershme nga politikat mbrojtëse të Evropës, por si një gjetje me vlerë dhe realiste në dobi të të gjitha vendeve të BE-së. Edhe pse për momentin kjo strukturë funksionon e pavarur nga institucionet evropiane, ajo është njëkohësisht edhe shprehje e racionalizimit të përpjekjeve mbrojtëse. Së fundi, kjo marrëveshje mbart në vetvete thelbin e suksesit dhe njëherazi nxjerr në dukje nevojën e ngutshme të thellimit të bashkëpunimit strukturor, të parashikuar edhe nga Traktati i Lisbonës. Në ndryshim të dukshëm nga Evropa monetare, në çështjet e mbrojtjes dhe të sigurisë, Evropa e kombeve është parakusht i Evropës së institucioneve.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›