“S’marr vesh nga shifrat ekonomike, buxhetin mund ta bëja më mirë”

Thagma e Ramës në Twitter
Edi Rama u shokua dje kur po ndiqte diskutimet e ligjvënësve në Kuvendin e Shqipërisë, për projektbuxhetin e shtetit për vitin 2012. Mbi të gjitha, dhimbjet e kokës ia shtonte akoma edhe më shumë deklarata e Kryeministrit se edhe buxheti i vitit të ardhshëm, do jetë buxheti i “zemrës së dhimbur” për 820 mijë familje të cilat do përfitojnë rritjen e pagave dhe pensioneve, si dhe mijëra të tjera që preken nga rritja e ndihmës ekonomike, e parashikuar kjo në “Buxhetin e Shtetit, 2012”.
Në kushtet e mungesës së tij fizike në Tiranë (ndodhet në Bruksel, por jo për të prezantuar pamfletin e tij “Kurban-Manifest”, pasi një gjë të tillë do e zhvillojë sot në Prishtinë, edhe pse i pa ftuar), dhe pamundësisë për t’u përballur me draftin buxhetor brenda mureve të Parlamentit, nga Brukseli, Edvini lëshoi mesazhin e tij të radhës në rrjetin social Tëitter, duke e konsideruar si jo të plotë buxhetin e shtetit për vitin 2012, ndërsa s’vonoi të thotë, se po të ishte ai, “do ta kishte bërë më mirë”.
Më shumë ngjason si slogan konkurrence i kompanive fitimprurëse se sa një mesazh politik për atë që vlen të përmirësohet si shërbimi më i mirë për qytetarët. Dhe më absurdja në këtë mes, është se ai as që e njeh draftin e buxhetit, pasi nisur nga injoranca dhe urrejtja ndaj shifrave ekonomike (të cilat shpesh herë e kanë nxjerrë bllof si dhe i kanë rrëzuar tendencat kaotike me arsyetimin e krizës ekonomike).
Vlerësimi i Ramës është sa subjektiv aq edhe paranojak. Atë e tmerron fakti që buxheti i vitit të ardhshëm parashikon kompletimin e disa prej akseve rrugore më të rëndësishme në vend; avancimin e punimeve në tunelin e Elbasanit dhe çuarjen përpara të autostradës Tiranë – Elbasan; përfundimi i disa akseve në jug të vendit apo edhe përshpejtimi i punimeve në rrugën e Arbërit.
Pra, në vetvete projektbuxheti i vitit 2012, është ndoshta viti financiar më i rëndësishëm në historinë e Shqipërisë, përsa i takon modernizimit të infrastrukturës, investimet në Shëndetësi dhe Arsim, mbështetjen e projektit “Shqipëria dixhitale”, i cili është drejt fazës finale të tij, rritjen e pagave dhe pensioneve (drejt afrimit të mesatares evropiane), apo dhe rritja e ndihmës ekonomike për familjet në nevojë. E thënë shkurt dhe qartë, vetëm brenda vitit 2012, në 100 vjetorin e Pavarësisë, Shqipëria shkon një hap më tej drejt realizimit të projektit ambicioz të qeverisë, Shqipëria vend i zhvilluar brenda vitit 2017-ë. Por, zëri i errësirës që del përmes “cicërrimës” që brohoret “rroftë kriza, poshtë Shqipëria”, edhe pa qenë në krizë, është një ecejake zvarranikësh që s’pranojnë realitetin, por tentojnë të verbojnë opinionin publik me dokrrat që dalin prej krizës së brendshme socialiste. Edhe pionerët si Eduart Shalësi, Erjon Braçe dhe Arben Ahmetaj kanë rënë në grackën e injorancës së Ramës me shifrat ekonomike, pasi dje u bënë gazi i botës në Kuvend, në përpjekje të gjetjes së një argumenti të qëndrueshëm, për të rrëzuar projektbuxhetin.
Ajo që dihet, është se Edi Rama po përdor çdo kapital për ëndrrën e tij në sirtar, për të qenë Kryeministër. Por si mund të bëhet Kryeministër ai (Edi Rama) kur është akuzuar dhe madje e ka pranuar edhe vetë publikisht se për interesa politike bllokoi statusin e vendit kandidat; i tha BE-së, mos liberalizo vizat me shqiptarët se do depërtojnë eksponentë të krimit të organizuar; tentoi me çdo kusht të përbaltë dhe denigrojë projektin e bashkimit të shqiptarëve, rrugën Durrës – Kukës – Prishtinë; votoi në parlament kundër rritjes së pagave dhe pensioneve si dhe me votë, u shpreh kundër ndërtimit të autostradës Tiranë – Elbasan. Mbetet thjesht që, ëndrrën e tij në sirtar, Rama ta shprehë në Twitter sa herë të dojë.