Bashkia; Zyra turistike në aeroportin “Nënë Tereza”
Tashmë, turistët që zbresin në Tiranë, do të gjejnë të gjithë orientimin e nevojshëm në rrugëtimin e tyre drejt qytetit. Ka filluar nga funksionimi informacioni turistik, i cili realizohet përmes dy pikave të instaluara në aeroportin “Nënë Tereza” dhe në Zyrën e Informacionit Turistik, që gjendet pranë Teatrit të Metropolit (ish-Estrada).
Projekti është realizuar me mbështetjen e GTZ-së dhe synon ofrimin e informacionit turistik për të gjithë vizitorët e mbërritur në kryeqytet. Pika e vendosur në Rinas gjendet në portën e mbërritjes së pasagjerëve në aeroport, dhe shërben si kontakti i parë njohës me qytetin. Në këtë pikë punojnë dy operatorë, para dhe pasdite, të cilët ofrojnë informacion të përgjithshëm për vizitorët.
Ndërkohë, ata i njoftojnë turistët për Zyrën e Informacionit Turistik, e cila është në varësi direkte nga Bashkia e Tiranës. Në këtë zyrë, turistët mund të marrin një informacion më të detajuar dhe të hollësishëm për qytetin.
Këto zyra janë pjesë e Drejtorisë së Promovimit të Qytetit, funksioni i së cilës mendohet t’i japë një hov cilësor marketimit të Tiranës dhe vlerave të saj.
Informacioni turistik përfshin njohjen me vendet për t’u vizituar, aktivitetet kulturore që ndodhin në Tiranë, muzeumet dhe galeritë e artit, akomodimin në hotele, historinë e qytetit, pra gjithçka që mund të jetë e dobishme për një vizitor të huaj.