Kodi gjenetik; Mbi 100 viruse të gripit
Shkencëtarët janë pranë zgjidhjes së misterit të të ftohurit të zakonshëm ose gripit. Në fakt, deri tani ata kanë zbuluar se ekzistojnë rreth 100 viruse të ndryshme që shkaktojnë të ftohur po aq të ndryshëm, që duken njësoj të zakonshëm. Shkencëtarët kanë deshifruar përbërjen gjenetike për të gjitha viruset që shkaktojnë të ftohurin dhe kanë krijuar një hartë ose “pemë familjare” për të kuptuar se si këto viruse lidhen me njëri-tjetrin. Duke krahasuar ngjashmëritë me viruseve, shkencëtarët shpresojnë të zbulojnë edhe mënyrën për t’i luftuar ato.
Një kurë për të ftohurin e zakonshëm ende nuk ekziston, por mjekët sot janë një hap më pranë kësaj kure, falë një zbulimi gjenetik të viruseve që shkaktojnë të ftohurit.
Deri tani, shkencëtarët kanë zbuluar 99 viruse që përbëjnë rinovirusin dhe është kjo shumëllojshmëri e jashtëzakonshme në numër që e bën të ftohurit kaq të vështirë për ta mposhtur. Sipas një studimi të kohëve të fundit, shkencëtarët kanë zbërthyen përbërjen gjenetike të të gjitha viruseve të të ftohurit për të krahasuar ngjashmëritë dhe dallimet. Shkencëtarët zbuluan se rhinovirusi ka aftësi të vazhdueshme ripërtëritëse dhe përshtatëse, çka bën që një person mund të preket nga dy viruse të ndryshme të ftohurish, që ndërthuren duke krijuar një formë të re të ftohuri dhe kështu është përftuar një virus i tretë.
Kjo aftësi për ndryshueshmëri e përshtatje do të thotë se ka shumë pak të ngjarë që shkencëtarët të krijojnë një vaksinë kundër të ftohurit. Por duke krahasuar viruse të ndryshme, shkencëtarët shpresojnë të njëjtësojnë format dhe mënyrat se si këto viruse ndryshojnë. Duke parashikuar ndryshimet në virus, shkencëtarët do të jenë në gjendje të gjejnë mënyra më të mira për ta luftuar atë e ndoshta për të zhvilluar barna më të efektshme antivirusale. Ndërkohë, mënyra më e mirë për të mposhtur të ftohurit ose gripin mbetet shmangia e tij duke fjetur mjaftueshëm, duke qëndruar larg personave të prekur nga të ftohurit dhe duke larë duart rregullisht.