Mbyllen shkollat në fshatra, Durrësi hap konviktin
Shkollat do të mbyllen në fshatrat me pak fëmijë
50 milionë lekë të reja për konviktin e nxënësve
Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka në projektet e saj për 2009 mbylljen e shkollave të vogla në shkallë vendi të cilat i kushtojnë buxhetit të shtetit miliona lekë dhe grumbullimin e nxënësve në qytetin e Durrësit, ku ata do të vijojnë mësimin në kushte normale. Një projekt i përbashkët i MASH-it me Bashkinë e Durrësit ka nisur të realizohet gjatë këtyre ditëve për ndërtimin e një konvikti në të cilin parashikohet që të sistemohen nxënës nga zona të thella të vendit e që mësojnë në shkolla fare të vogla, ku jo vetëm cilësia e mësimit vlen për të dëshiruar, por edhe shteti shpenzon shuma të mëdha parash për t’i mbajtur këto shkolla së bashku me personelin mësimdhënës.
Zbatimi i projektit
Në Bashkinë e Durrësit, kryetari i saj, Vangjush Dako, tha për “standard”: “Projekti që kemi nisur të realizojmë në bashkëpunim me MASH-in, në zonën e Shkozetit, pranë shkollës “Beqir Çela”, mbetet brilant, atje do të ndërtohet një konvikt në të cilin mendohet të sistemohen nxënës nga i gjithë vendi”. Bashkia ka vënë në dispozicion të MASH-it truallin e ndërtimit, ndërsa kjo e fundit ka dhënë fondin për ndërtimin dhe pajisjen e konviktit me të gjitha pajisjet e nevojshme për jetesë dhe studim në kushte normale. Në Drejtorinë Arsimore të Qarkut të Durrësit, drejtori Vaso Papaj tha: “Ideja e MASH-it është mbyllja e shkollave të vogla në shkallë vendi dhe grumbullimi i nxënësve të tyre në qytetin e Durrësit”. Në të gjithë vendin është një numër jo i vogël shkollash i ciklit 9-vjeçar ku ndjekin mësimet nga 5 deri 20 nxënës. Mbajtja e tyre në këmbë i kushton buxhetit të shtetit miliona lekë për çdo vit e për më tepër personeli mësues i tyre në një masë të madhe rezulton i paarsimuar. Madje, mjaft prej këtyre nxënësve janë të detyruar që të ecin deri në një orë në këmbë për të mbërritur në këto shkolla. Është menduar që ata të sistemohen në Durrës ku do të mund të ndjekin mësimet nëpër shkollat 9-vjeçare të qytetit.
Fondi për ndërtimin
Për ndërtimin e godinës së konviktit MASH-i ka vënë në dispozicion 50 milionë lekë, ndërsa bashkia ka dhënë truallin e ndërtimit. Nga ana e saj MASH ia ka deleguar bashkisë fondin për ta lëvruar. Kurse bashkia ka përfunduar tenderin për ndërtimin e konviktit dhe subjekti ndërtues nuk ka asnjë pengesë për të nisur nga puna. Konvikti do të ndërtohet në lagjen 14 në Shkozet pranë shkollës “Beqir Çela”. Godina do të jetë 3-katëshe dhe në të do të mund të sistemohen 100 nxënës. Atje do të ketë salla studimi, dhoma fjetjeje së bashku me të gjithë infrastrukturën e nevojshme për një jetë normale. Sipas projektit, godina do të përfundojë brenda 188 ditëve.