Transaksionet bankare në llogari anonime, dy biznesmenë në gjyq
Për herë të parë, nga Krimet e Rënda është duke u gjykuar një çështje për transaksione bankare në llogari anonime, me qëllim fshehjen dhe shmangien nga detyrimet tatimore. Nuk bëhet fjalë për një shumë të vogël, por për rreth 115 milionë lekë të hyra në lojë, të cilat kanë përfunduar në xhepin e të njëjtit person, por përmes emrave anonimë dhe dokumenteve të falsifikuara. Transaksionet janë kryer 10 herë, duke përdorur një identitet të rremë, konkretisht në emrin “Apostol Minga”, ndërkohë që paratë shkonin në xhepin e të pandehurit Petraq Dodi. Gjykata ka nisur gjykimin për këta dy biznesmenë, njëri nga Korça dhe tjetri nga Gjirokastra, të cilët rezultojnë të jenë administratorë të kompanive “Vielo” sh.p.k. dhe “Angelo Shoes” sh.p.k., me rezidenca në Gjirokastër dhe Korçë. Kjo tip dosjeje gjykohet për herë të parë nga Gjykata e Krimeve të Rënda, pasi më parë ishte shpallur kompetenca për hetimin dhe gjykimin e saj nga Gjykata e Korçës. Dy biznesmenët akuzohen për veprat penale “çelje të llogarive anonime” të parashikuar nga neni 287/a i Kodit Penal për të cilën rrezikojnë gjobë deri në 3 vjet burg, si dhe veprën penale të “falsifikimit të formularëve”, të parashikuar nga neni 190/1 i Kodit Penal, të dyja të kryera në bashkëpunim. Qëllimi i kryerjes së këtyre veprimeve, sipas hetimeve të kryera, ka qenë shmangia e detyrimeve dhe taksave ndaj shtetit në shumën e rreth 115 milionë lekëve të reja, përmes falsifikimit të dokumenteve zyrtare. Të dy biznesmenët akuzohen se kanë transferuar para nga llogaritë e tyre në llogari të personave të tjerë, duke përdorur emra të rremë që nuk ekzistojnë, por me fotot e të afërmve të tyre. Deri tani janë zhvilluar tri seanca për këtë proces gjyqësor, ndërkohë që sot pritet që trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Flora Hajredinaj të vijojë me çeljen e shqyrtimit gjyqësor.
Denoncimi
Denoncimi është kryer nga Drejtoria e Tatim-Taksave të Gjirokastrës dhe e Korçës, për shkak se janë vërejtur transaksione të dyshimta të kryera nga dy të pandehurit, Petraq Dodi dhe Theodhoraq Zharkolli. Zbulimi është kryer nga dorëzimi i disa faturave të blerjes së lëndës së parë, duke bërë që më pas të thellohet hetimi për të zbardhur të vërtetën dhe shkaqet e veprimit. Hetimi nisi në muajin nëntor të vitit 2007. Nga dorëzimi i faturave tatimore ka rezultuar se nuk është i njëjti shkrim, në faturën e shoqërisë "Vielo" sh.p.k. dhe "Angelo Shoes" sh.p.k. me seli në Korçë. Sipas kërkesës për gjykim, kjo e fundit ka përdorur fatura të rreme të shoqërisë "Vielo", duke i falsifikuar ato bashkë me vulat. Nga hetimi ka rezultuar se i pandehuri Petraq Dodi ka hapur llogari bankare me emra të rremë, si Apostol Minga, por me fotografinë e të pandehurit tjetër, Theodhoraq Zharkollit. Për t'iu shmangur Tatim-Taksave, Petraq Dodi nga llogaria e firmës "Angelo Shoes" sh.p.k. ka transferuar në drejtim të llogarisë së "Apostol Mingës" më tepër se 94.8 milionë lekë të reja. Transferimi, sipas hetimit të kryer nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, është kryer me qëllim shmangien e detyrimeve ndaj Tatim- Taksave. Këto transferime, sipas zbërthimit të të dhënave nga hetuesit, janë shpërndarë në 10 raste transaksionesh. Po ashtu, sipas hetimit të akuzës, nga llogaria e Apostol Mingës janë kryer transaksione në drejtim të llogarisë së një shtetasi me emrin Dhimitraq Xhima (llogari e përdorur nga vetë Petraq Dodi). Gjithashtu, transaksione nga llogaritë e hapura janë kryer dhe transferuar edhe në drejtim të Panajot Dhimitraqit. Kjo është kryer më 18 nëntor 2004, kur është transferuar shuma prej 5.500 lekësh. Është konstatuar se në llogarinë me emrin Dhimitraq Xhima janë kryer transaksione me vlerë 20 milionë lekë nga Petraq Dodi dhe 82.7 milionë lekë janë tërhequr nga Dhimitraq Xhima. Transaksionet bankare të realizuara nga "Angelo" sh.p.k. në drejtim të personave Apostol Minga, Dhimitraq Xhima dhe Petraq Dodi kapin vlerën 115.000.000 lekë dhe nga llogaria e Dhimitraq Xhima në drejtim të Petraq Dodit gjatë vitit 2003 është xhiruar një vlerë prej 20 milionë lekësh. Nga hetimi i kryer nga Prokuroria e Krimeve të Rënda është mësuar se shumica e parave të xhiruara në llogari të ndryshme, që në fakt rezultonin të ishin fantazma, kanë përfunduar në llogari të Petraq Dodit. Sipas kërkesës për gjykim të këtij organi, Dodi është autori i xhirimeve të këtyre parave dhe përfituesi po ashtu. Nga hetimi i kryer, akuza ka konkluduar se xhirimi i këtyre parave ka pasur si qëllim fshehjen e pasurisë nga i akuzuari, që ka pasur si bashkëpunëtor në këtë histori Theodhoraq Zharkollin, me të cilin kanë lidhje krushqie. Të dy ata akuzohen për veprën penale të fshehjes së të ardhurave, hapjes së llogarive bankare false, si dhe shmangie të detyrimeve tatimore dhe taksore. Kjo është realizuar nëpërmjet xhirimit të parave në llogari fiktive.