E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia bllokohen fondet, nuk është bërë konstituimi i këshillit

20/06/2011  Asnjë leje për plazhet private, sezoni i plazhit ka filluar prej javësh

DURRES- Bashkia e Durrësit ende nuk ka dhënë asnjë leje për plazhet private në pritje të mbledhjes së këshillit të ri bashkiak, i cili do të presë edhe disa kohë për konstituim. Çështja shumë e diskutuar kohët e fundit lidhur me raportin mes plazheve private dhe atyre publike ka shtyrë kreun e bashkisë të pohojë edhe qëndrimin zyrtar.

Plazhet

“Do të ruajmë raportin mes hapësirave publike në brezin e rërës dhe plazheve publike duke synuar të tregojmë vëmendjen e duhur e të plotë për shërbim sa më qytetar”,-ka thënë Vangjush Dako, kryetar i kësaj bashkie. Sezoni veror në bregdet ka nisur edhe pse bashkia zyrtarisht nuk e ka çelur fushatën, ndërsa shumë persona presin lejen e bashkisë për të filluar normalisht punën. Janë 86 kërkesa për plazhe private në gjatësinë nga Ura e Dajlanit deri në afërsi të rezidencës qeveritare, të cilat do të ndërpriten nga plazhet publike. Dako ka saktësuar se katër plazhet publike do të jenë në vendet më të populluara dhe të shpërndara. Konkretisht të tilla hapësira për pushues që shkojnë me çadrat e tyre apo që duan të qëndrojnë në rërë e jo në shezllonet e privatit do të jenë në “Iliria”, “Apolonia”, “Hekurudha”. Dako ka pohuar se prej dy vitesh bashkia ka rritur tarifën që duhet të paguajë aplikanti për plazh privat. 360 mijë lekë për sezonin e verës është shuma për të përfituar lejen përkatëse, ndërsa bashkia ka vendosur që këtë vit të ushtrojë kontrolle lidhur me sipërfaqen që shfrytëzojnë privatët. “Leja parashikon shfrytëzimin me shezllone nga ana e privatit të jo më shumë se 200 m2 dhe çdo shkelje e vendimit do e penalizojë atë”,-ka sqaruar Dako. Në raste të tilla bashkia ka bërë të ditur se personi që shfrytëzon më shumë se 200 m2 do t’i hiqet e drejta e ushtrimit të aktivitetit, ndërsa nuk do i kthehet asnjë qindarkë nga shuma e arkëtuar. Dako pa pohuar se këtë çështje do e ndjekë vet nga afër për të mos lejuar përsëritjen e situatës së një viti më parë teksa banorë të pallateve apo edhe pushues janë ankuar edhe në Policinë e Rendit lidhur me përplasjet që kanë pasur me plazhet private.

Premtimet

Këtë vit thuhet se do i kushtohet shumë vëmendje edhe higjienës, dusheve, parkimeve, pastrimit të mjediseve ku akomodohen e pushojnë qytetarët vendës e të tjerë që popullojnë Durrësin në stinën e verës. Bashkia ka bërë të ditur se arka e saj ka para për të zbatuar shumë projekte, por asnjë lekë nuk do të dalë që andej nëse Këshilli i Bashkisë nuk do të mblidhet. Vonesa në konstituimin e këshillit të ri të bashkisë së Durrësit, sipas kryetarit Dako, pritet të shfaqë jo pak probleme, të cilat kanë lidhje edhe me administrimin e sezonit veror. Plazhet private kanë rreth dhjetë ditë që kanë nisur aktivitet edhe pse Dako thotë se nuk ka dhënë ende leje, ndërsa shton se veç këtij problemi çështje shumë serioze mbeten kullat e vrojtimit. “Nëse nuk mblidhet Këshilli i Bashkisë ne nuk kemi mundësi të japim fonde për grupet e shpëtimit të jetës në det”,-u shpreh Dako. Kullat e vrojtimit janë dëmtuar në pjesën më të madhe të tyre nga lagështia e detit, por edhe dëmtimet e qëllimta. Bashkia ka thënë se këtë vit rrezikohet të mos ketë roje bregdetare dhe kjo do të shtojë riskun e pasigurisë në det kryesisht të fëmijëve dhe të personave që nuk dinë të notojnë. Dako është shpallur fitues, por as ai e as këshilli i ri nuk janë konstituar nga KQZ për shkak të një procesi ankimor nga ana e një subjekti me elektorat pa asnjë peshë në politikën lokale. Ndonëse ankimi nuk ka as mundësinë më të vogël të ndikojë ndryshe nga rezultati i deklaruar deri më tani, kjo nuk ka mjaftuar për të çliruar fondet e bashkisë në këtë sezon të parë vere. Sipas kryetarit të bashkisë, asnjë qindarkë nuk do të mund të dalë nga arka e bashkisë për asnjë lloj projekti apo për asnjë lloj motive deri në ardhjen e shkresës zyrtare nga KQZ. Dako pranon se një gjë e tilla ka pasur ndikim jo të vogël në ecurinë e sezonit veror.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›