E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia bllokon rrugët në qendër

Punimet e Bashkisë pezullojnë përkohësisht kalimin në katër rrugë në qendër të kryeqytetit

Rregullimi i qendrës së Tiranës ka pasojat e veta në qarkullimin e automjeteve, për të eliminuar një kaos të mundshëm Bashkia e Tiranës, paraprakisht, ka nisur rikonstruksionin e katër rrugëve, të cilat kanë dalje në sheshin "Skënderbej", me qëllim përballimin e flukseve të trafikut dhe lehtësimin e lëvizjes në një periudhë transitore, deri në përfundimin e rrjeteve rrugore kryesore, si: Pjesa Verilindore e "Unazës së Vogël", apo dhe Pjesa Jug - Perëndimore e Unazës së Madhe.


Kështu Bashkia e Tiranës ka filluar procesin e rikonstruksionit të rrugëve "Abdi Toptani", "Bardhok Biba", "Urani Pano", si dhe të rrugës pas Pallatit të Kulturës. Rikonstruksioni i këtyre rrugëve pritet që të krijojë një lehtësi për transportin kryeqytetas, në kuadër të fillimit të zbatimit të projektit të sheshit "Skënderbej".


Projekt ky që ka ngelur peng i qeverisë, e cila ende nuk ka marrë vendimin për shpronësimin e një objekti që hap arterien e Unazës së Vogël tek godina e "Insigut" dhe që mundëson devijimin e të gjitha makinave, të cilat sot kalojnë detyrimisht në sheshin "Skënderbej".


Gjatë inspektimit të punimeve, Kryebashkiaku Rama përsëriti domosdoshmërinë e shpronësimit të arteries së Unazës nga ana e Qeverisë, gjë e cila do të mundësojë fillimin e punimeve në sheshin "Skënderbej".


"Duke përsëritur edhe një herë apelin e qytetarëve të Tiranës ndaj Qeverisë, që të hapë rrugë për shpronësimin e domosdoshëm dhe krijimin e kushteve që të mbyllet Unaza e Vogël, e cila do ta spostojë përfundimisht trafikun nga Qendra dhe do t'i japë mundësi Qendrës që të funksionojë për këmbësorët, ne sot po prezantojmë përpjekjen tonë për të hapur një rrugë ndihmëse provizore, e cila do të mund të devijojë trafikun, duke lejuar fillimin e punimeve në sheshin "Skënderbej", tha Rama.


Modeli i ri urban i qytetit të Tiranës, ndërtuar mbi bazën e strategjisë së Transportit përfshin kthimin e sheshit "Skënderbej" në një shesh për këmbësorë, biçikleta dhe pa mjete private. Pika kryesore në këtë projekt është përcaktimi dhe zhvillimi i një identiteti të ri për sheshin "Skënderbej", duke rezervuar të gjithë hapësirën për nevojat e këmbësorëve.


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›