Vrasja e adoleshentit, në pranga i treti

DURRËS/ Policia arrestoi natën e së dielës edhe 16-vjeçarin D.Sh., në banesën e të cilit u gjet armë e krimit
Sipas hetimeve mësohet se konflikti nisi në festën ku viktima 17-vjeçar Klejdi Myzyri ishte bashkë me motrën
DURRËS - Shkon në tre numri i adoleshentëve të vënë në pranga për vrasjen e Klejdi Myzyrit dhe plagosjen e shokut të tij, E.Çelepia. Pas arrestimit të Radi Buçpapajt, I.Currit, në pranga ka përfunduar edhe 16-vjeçari me inicialet D.Sh.
Sipas burimeve zyrtare të policisë, ai ishte personi që kishte fshehur armën pas ngjarjes së ndodhur mesditën e së dielës në qytetin e Durrësit, në një lokal në zonën e Currilave. Ndërkohë, kanë vijuar hetimet për të zbardhur se si ndodhi vrasja e një adoleshenti dhe plagosja e një tjetri gjatë mesditës.
Ngjarja
Pas marrjes në pyetje të dëshmitarëve okularë në vendngjarje është arritur të zbulohet se viktima Klejdi Myzyri ka qenë në një festë të zhvilluar në lokal për ditëlindjen e motrës së tij. Në lokal mësohet të kenë qenë edhe djem të tjerë, të cilët i kanë hedhur fjalë njërës prej vajzave.
Një gjë e tillë ka çuar edhe në reagimin e djaloshit 17-vjeçar. Të ndarë në dy grupe personat janë konfliktuar me njëri-tjetrin fillimisht me fjalë. Por më pas, përveç fjalëve është kaluar edhe në tentativë për rrahje fizike.
Thika e kaçavida janë nxjerrë nga djemtë që ishin në festë. Në këtë kohë, grupi i djemve ku përfshiheshin Radi Buçpapaj, I.Curri etj ka nxjerrë një armë, e cila ende nuk dihet se kujt i përkiste.
Me pistoletën në dorë një nga djemtë ka bërtitur duke paralajmëruar: "Largohuni se do të qëlloj!" Disa prej tyre janë shtrirë dhe pasi janë dëgjuar krismat e para, janë parë të përgjakur Klejdi Myzyri dhe 15-vjeçari Çelepia. Pas kësaj autorët i kanë lënë armën në dorë 16-vjeçarit D.Sh., ndërsa vetë janë larguar në drejtim të paditur.
Hetimi
Arrestimi i Buçpapajt dhe Currit, të dy nxënës në shkollën e mjeshtërisë sportive u bë rreth orës 19:30 të së dielës, ndërkohë që disa orë më pas u ushtrua një kontroll edhe në banesën e shokut të tyre.
Ky i fundit në momentin e arrestimit ka dorëzuar edhe armën e zjarrit, pistoletë model 54, të cilën e kishte marrë pas vrasjes së 17-vjeçarit. Arrestimi i tij u bë rreth orës 23:30 të së dielës. Nxënësi me inicialet D.Sh. ishte banor i lagjes nr.4 të qytetit.
Burimet kanë bërë të ditur se tashmë të rinjtë akuzohen për vrasje në rrethana cilësuese, të kryer në bashkëpunim, si dhe armëmbajtje pa leje. Nga ana e policisë nuk është bërë e ditur se cili nga djemtë ka qëlluar.
Dhimbja
Babai i 17-vjeçarit s'e pranon vdekjen
Mësohet se prindërit e 17-vjeçarit janë shokuar nga lajmi për humbjen e jetës së fëmijës së tyre. Gjatë ditës kanë shfaqur humbje të sensit të ngjarjes. Kur i vinin për ngushëllim, babai i adoleshentëve u përgjigjej njerëzve se djalin e kishte në gjumë dhe se do të zgjohej pak më vonë.
Ai ishte djali i vetëm i familjes dhe kishte dy motra. Klejdi kishte vetëm 3 ditë qe ishte kthyer nga Austria dhe kishte shkuar në lokal për të festuar ditëlindjen e së motrës. Ka qenë pikërisht ngacmimi i njërës prej vajzave që festonin shkaku i lindjes së konfliktit që përfundoi me gjakderdhje.