Bashkia e Durrësit jep 100 milion lekë për rrugën e portit
Pas 6 vjetësh harresë, Bashkia e Durrësit ka akorduar një fond të konsiderueshëm për ndërtimin e një rruge të re hyrëse për në qytet. Janë 100 milionë lekë të vëna në dispozicion për këtë qëllim, për këtë rrugë që do të kalojë përbri portit. Ajo do të ketë 17 metra të gjerësi,
por që duhet të ngushtohet në afërsi të terminalit të trageteve, ku janë ndërtuar disa godina private. Nga ana tjetër Bashkia këmbëngul në realizimin e këtij projekti të miratuar që në 2007 nga Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës.
Aktualisht në Durrës mund të hyhet vetëm nga një rrugë, nga Ura e Dajlanit deri tek Stacioni i trenit, çka e bën prioritare investimin në një rrugë të dytë për qarkullimin më të mirë të mjeteve, sidomos në sezonin veror kur numri i pushuesve rritet deri në një milion persona.