E Diel, 1 Nëntor 2026

Urgjenca e re në QSUT, mollë sherri midis shefave të pavijoneve dhe Ministrisë së Shëndetësisë

Shefat e pavijoneve, kërkesë Vasilit për zgjerimin e ambienteve të spitalit


Spitali i ri, i Urgjencave i cili është pothuajse drejt përfundimit e shumë shpejt do të vihet në funksion të qytetarëve është kthyer kohët e fundit në mollë sherrimidis shefave të pavijoneve në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

Kjo gjë lidhet me faktin se spitali i ri do të jetë në vetëm në përdorim të rasteve urgjenteve, e nuk do të jetë në funksion të probleme të tjera të QSUT-së. Një ndër shqetësimet më aktuale në spital kohët e fundit është mbipopullimi i pacientëve e radhët e gjata për shtrim. Në lidhje me këtë disa prej shefave të pavijoneve në QSUT kanë deklaruar ditën e djeshme për gazetën SOTse shumë shpejt të gjithë drejtuesit e pavijoneve do të ti bëjnë një kërkesë me shkrim dhe nëse është nevoja do të kërkojnë edhe një takim me Ministrin Vasili për problemin e mbipopullimit të pacientëve e kaosin e shtrimeve në QSUT. Sipas tyre ky është një problem i madh që në shumicën e rasteve krijon edhe tension jo vetëm tek pacientët të cilëve ju duhet që për ditë me radhë të flenë në hotelet pranë QSUT-së por edhe për vetë mjekët tek të cilët bie përgjegjësia më e madhe. Sipas disa prej shefave të pavijoneve spitali i ri i urgjencave është thjesht një spital që në aparencë të krijon përshtypjen e një spitali modern me kushte komode por nuk mund të zgjidhë kaosin e përditshëm të shtrimeve në QSUT, proces i cili kryhet vetëm dy herë në javë e nëse një pacienti do ti duhet të shtrohet me urgjencë në spital për fundjavë kjo nuk mund të kryhet. Mjekët në kërkesën që do ti bëjnë Ministrit Vasili do ti kërkojnë zgjerimin e pavijoneve dhe krijimin e mundësive për më shumë dhoma në pavijone ose shtesa në ndërtesën aktuale të spitalit ku kurohen sëmundjet e përgjithshme, ku mund të shtrohen të sëmurët të cilët kohët e fundit duhet të presin për një kohë relatvivisht të gjatë për tu shtruar e për të zënë një shtrat në QSUT. Në pothuajse të gjitha pavijonet kaosi dhe rrëmuja e krijuar nga mbipopullimi i pacientëve dhe i të afërmve të tyre është bërë shkak edhe i një rregulloreje të re të anoncuar pak kohë më parë nga vetë drejtoria e QSUT-së ku të afërmit do të hyjnë tek të sëmurët vetëm në një orar të caktuat mbasdite.


Urgjenca e re
Sipas burimeve të Ministrisë së Shëndetësisë, në godinën e re të QSUT-së do të priten të gjitha urgjencat. Brenda godinës, do të bëhen të  gjitha ekzaminimet që duhen për rastet urgjente. Përfundimi i fazës së parë (nga 7 që përfshin masterplani për zhvillimin e QSUT), zgjidh një pjesë të rëndësishme të problemeve të kësaj qendre spitalore, në mënyrë të veçantë të urgjencës, por dhe shërbime të tjera të karakterit laboratorik. Ndërkohë, edhe urgjencat mjekësore do të priten nga bluzat e bardha në një godinë ndryshe nga çka ndodhur deri më sot, ku rastet urgjente janë shpërndarë nëpër godina të ndryshme, duke sjellë edhe sorollatjen e pacientëve. Kjo do të zbatohet pas pak kohësh në spitalin më të madh të vendit në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza", sepse godina e re tashmë ka përfunduar. Urgjenca e sëmundjeve të brendshme të infektivit, e kirurgjisë të gjitha urgjencat do të mblidhen te kjo godinë. Në këtë spital do të jetë një personel dhe ekzaminime non stop 24 orë. Brenda muajve mars-prill të vitit të ardhshëm, do të jetë gati spitali i ri në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza. Ky ka qenë edhe pohimi që ka bërë vetë Ministri Vasili rreth një vit më parë. Por edhe pse muaji Prill është drejt fundit spitali i ri qëndron me dyer të mbyllura edhe pse në të janë bërë të gjitha punimet e është gati për të filluar puna.


Projekti
Projekti i spitalit të urgjencave në QSUT është financuar (nga Banka për Zhvillimin e Këshillit të Evropës në vlerën 14 milionë dollarë dhe nga qeveria shqiptare me 7.4 milionë dollarë, vetëm për ndërtimin e godinës.. Për pajisjet mjekësore, investimi do të financohet nga qeveria shqiptare në masën 8 milionë euro. Nga 7 fazat e parashikuara në masterplanin e zhvillimit të kësaj qendre, kjo është faza e parë e tij, ku është realizuar ndërtesa e re spitalore me 5 kate.

Arta AGOLLI

Last Updated on E Marte, 20 Prill 2010 21:31

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›