E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia e Himarës merr mostra për të përcaktuar shkakun e ndotjes në Potam

TIRANË, 26 qershor/ATSH/ Prej disa ditësh, pushuesit e Himarës po përballen me ndotjen e vijës bregdetare. Ata e kanë denoncuar ndotjen duke përcjellë pamje në rrjetet sociale ku duket se si uji në plazhin e Potamit ka një ngjyrë të gjelbër, jo të zakontë për këtë bregdet.

Ndërkohë, në një reagim, bashkia e Himarës thotë se po e ndjek situatën dhe se janë marrë mostra për të përcaktuar shkakun e ndotjes.

“Në lidhje me pretendimet e ngritura në media dhe rrjetet sociale mbi praninë e ujërave të ndotura në zonën e Potamit, Bashkia Himarë informon opinionin publik se situata po ndiqet me vëmendje dhe seriozitet të plotë nga të gjitha institucionet përgjegjëse”, shkruhet në faqen online të kryebashkiakut Vangjel Tavo.

Bashkia Himarë, në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Ministrinë e Mjedisit, Agjencinë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve (AKUK), Agjencinë Kombëtare të Mjedisit (AKM), Task-forcën e AKUK-së, si dhe Task-forcën për Menaxhimin e Sezonit Turistik 2026, ndodhen në terren duke monitoruar nga afër situatën.

Ndërkohë, kryebashkiaku i Himarës sqaroi se Impianti i Trajtimit të Ujërave të Ndotura që shërben për qytetin e Himarës është plotësisht funksional dhe vijon të operojë normalisht, në përputhje me parametrat teknikë dhe standardet e përcaktuara për këtë kategori infrastrukture.

Ai i siguroi qytetarët, pushuesit dhe bizneset turistike se situata po trajtohet me përgjegjësi të plotë institucionale dhe se çdo masë e nevojshme do të ndërmerret menjëherë pas daljes së rezultateve të analizave dhe rekomandimeve të strukturave teknike përgjegjëse.

/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›