E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia e Shkodrës, 150 milionë lekë të rinj taksa nga ndërtuesit

>Bashkia e Shkodrës, nëpërmjet zyrës së saj të Urbanistikës ka mbledhur për vitin 2008 të ardhura nga taksat e ndërtuesve, në shifrën prej rreth 1 miliard e 500 milion lekë, shifër kjo e pa parë ndonjëherë në këtë institucion. Duhet thënë se aktualisht Shkodra po i afrohet një boom-i ndërtimesh dhe në shumë raste ka momente për tu kritikuar për standardet e ndërtimit, lartësitë e pazbatuara, sipërfaqet e gjelbra dhe masat e sigurisë, por sidoqoftë ky moment ka sjellë dhe një mbushje të madhe të arkës së Bashkisë. Shefja e zyrës së Urbanistikës së Bashkisë së Shkodrës, Aida Shllaku ka bërë me dije se ka një klimë shumë të mirë për biznesin dhe sidomos ndërtuesit. Shllaku ka bërë të ditur gjithashtu se kjo ka ardhur si pasojë e një politike të Bashkisë së Shkodrës, e cila ka të bëjë me përdorimin e kritereve dhe zbatimin e ligjshmërisë. Bashkia nuk ka përdorur asnjëherë preferenca në përzgjedhje apo në dhënien e lejeve të ndërtimit, por janë zbatuar vetëm kriteret, është shprehur Shllkau, sipas së cilës dyert e hapura do të jenë për të gjithë investitorët që plotësojnë kriteret e ligjit dhe vijnë për të ndërtuar në Shkodër.
Gjithsesi mësohet se gjatë 2008-ës, janë dhënë 107 leje ndërtimi dhe nga këto 22 janë komplekse të mëdha. Kjo zyrë gjatë këtij viti për sektorin e ndërtimit ka bashkëpunuar me 42 kompani dhe të ardhurat e mbledhura, ju kthehen në formë shërbimi jo vetëm qytetarëve të Shkodrës përmes investimit në infrastrukturë, por dhe vetë ndërtuesve përmes studimeve urbane. Në krahasim me vitin 2007, sektori ndërtimit në Shkodër ka pasur një rritje prej 40 përqindësh dhe po ta krahasosh me vitin 2005, ky sektor është rritur me dy herë. Ky është një nga kapërcimet e mëdha dhe të jashtëzakonshme që krahas investimeve në infrastrukturë po e ndryshojnë rrënjësisht Shkodrën dhe rajonin e saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›