Vlonjatët partiakë nuk bashkohen as për Ismail Qemalin
>Heroi i Popullit, Ismail Qemali, ai që kreu aktin e madh të shpalljes së pavarësisë së vendit tonë ka lindur dhe vdekur në të njëjtën datë, më 24 janar. Ai ka lindur përpara 165 vjetësh dhe është larguar nga kjo botë i helmuar në Bari të Italisë, 90 vjet më parë. Në kuadër të këtyre përkujtimoreve, në qytetin bregdetar të Vlorës janë zhvilluar një sërë veprimtarish. Nëpërmjet njoftimeve në mediat elektronike në qytet ishte bërë e ditur se në orën 10:00 do të fillonin këto veprimtari fillimisht tek varri i patriotit të madh që është aktualisht në lulishten në krah të sheshit të Flamurit.
Organizatorë të këtyre veprimtarive do të ishin këshilli i qarkut, prefektuara dhe një sërë organizatash që mbajnë emrin e plakut të Vlorës, të gjitha të iniciuara nga deputeti, Bujar Leskaj. Në të vërtetë, banda e qytetit ka filluar qysh në orën 09:30 tek varri i patriotit të madh në një ceremoni të iniciuar nga bashkia e qytetit dhe ku morën pjesë drejtuesit e saj kryesorë, përfshirë edhe kryetarin, Shpëtim Gjika dhe pothuajse gjithë spektrin e majtë politik të qytetit. Sapo kanë mbaruar këta vendosjen e kurorave, është larguar edhe banda e qytetit dhe pranë varrit të Ismail Qemalit janë afruar drejtues të këshillit të qarkut, të prefekturës, të universitetit Ismail Qemali, të shoqatës me të njëjtin emër, deputeti Bujar Leskaj, deputetë të ftuar nga Kosova dhe Maqedonia dhe që kishin ardhur posaçërisht me këtë rast, studiues të shumtë dhe pedagogë dhe studentë të universitetit, nxënës shkollash etj. Pas vendosjes së kurorave më lule në varrin e patriotit të madh, të gjithë të pranishmit janë shpërngulur në ndërtesën ku gjendet aktualisht Muzeu Kombëtar i Pavarësisë, ku përmes lektorëve të tij janë njohur me etapat e ndryshme të kalimit deri në pavarësinë e vendit dhe gjithashtu me plot relike të kësaj kohe. Më pas janë zhvilluar edhe disa aktivitete të tjera në të cilat nuk mori pjesë asnjë përfaqësues i bashkisë që drejtohet nga socialistët, ndonëse nga organizatorët e aktivitetit pohohet se edhe për ta ka pasur ftesa të veçanta. Me sa duket afrimi i fushatës së zgjedhjeve parlamentare i ka ndarë përsëri përfaqësuesit politikë vlonjatë që nuk u bashkuan dot edhe në një ngjarje të tillë kur bëhej fjalë për një patriot që më së miri flet për bashkimin e trojeve shqiptare dhe mëvetësinë e tyre.