E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia e Tiranës, 2 milionë dollarë dëme biznesit të vogël



Teksa mazhoranca dhe opozita janë përfshirë në një debat në lidhje me taksat e bizneseve të vogla, raporti vjetor i KLSH-së për vitin 2008, i dërguar në Kuvend, shpreh se Bashkia e Tiranës ka kryer një abuzim prej 2 milionë dollarësh me taksat e biznesit të vogël. Debati politik është përqendruar në nivelin e taksave, ndërsa raporti i KLSH-së shpreh se administrata vendore në Tiranë ka kryer procedura joligjore me bizneset e vogla. Konkretisht, një dëm prej gati 1.8 milionë dollarësh është shkaktuar në tarifat vendore për shkak se nuk janë zbatuar procedurat ligjore për mosregjistrimin dhe riregjistrimin e subjekteve të biznesit të vogël gjatë vitit 2007. Një dëm financiar është kryer në tatimin e thjeshtuar mbi fitimin nga deklarimi më pak i xhiros të vitit 2007 sesa xhiroja që është realizuar një vit më parë të 161 bizneseve të vogla. Nga ana tjetër ka pasur dëm financiar nga moszbatimi i procedurave ligjore për llogaritjen e arkëtimit të tarifës së hapësirave publike si dhe tarifës së pastrimit. Për sa i përket taksës së gjelbër, janë bërë favorizime të pandershme për 694 biznese të vogla. Dëmi total që Bashkia e Tiranës ka kryer me bizneset e vogla, zë shifrën e 195.7 milionë lekëve të reja ose rreth 2 milionë dollarë.

Bashkitë e tjera

Raporti i KLSH-së vëren se në pjesën më të madhe të bashkive ka pasur probleme. Në fushën e prokurimeve publike, në rreth 50 subjekte të kontrolluara për mënyrën e zhvillimit të tyre, është evidentuar një dëm prej gati 195 milionë lekësh të reja. Në këto subjekte të kontrolluara, 37 prej tyre kanë pasur probleme me tenderat. Nga rreth 1107 tendera të zhvilluar me vlerë prej 8 miliardë lekësh të reja, janë konstatuar 814 prej tyre me një vlerë prej 6.5 miliardë lekësh ose rreth 75 për qind e numrit të tenderave të zhvilluar dhe 80 për qind e vlerës së prokuruar. Sipas natyrës së problemeve në tendera, janë konstatuar probleme në 197 tendera në llogaritjen e fondit limit, 170 tendera me probleme në përgatitjen e dokumentacioneve, 171 në kandidatin e tenderave, 77 tendera me probleme në vlerësimin e ofertave, si dhe 136 tendera me probleme në specifikimet teknike. Dëme janë vërejtur edhe në shkeljen e procedurave në fushën e urbanistikës. Janë konstatuar 153 milionë lekë të reja dëme në 5 bashki dhe komuna, kryesisht në zonat turistike dhe kryesisht në favorizimin e bizneseve për taksën e infrastrukturës. Kjo taksë zë nga 1 deri në 3 për qind të vlerës së objektit dhe në këtë pikë, janë bërë spekulime për pagesa më të vogla të kësaj takse, duke gënjyer për vlerën e ndërtimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›