Hyn në fuqi MSA-ja, kushtet dhe përfitimet e Shqipërisë
Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit hyn sot në fuqi, duke krijuar kushtet për një realitet të lirë të tregut dhe qytetarëve shqiptarë në raport me vendet e Bashkimit Evropian. Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, tha dje se vendi do të përfitojë nga kjo marrëveshje, si lëvizja e mallrave apo e punëtorëve. “Lëvizja e lirë e mallrave është një nga përfitimet kryesore në momentin që MSA-ja hyn në fuqi, e shtruar kjo rrugë tashmë nëpërmjet marrëveshjes së ndërmjetme. Lëvizja e lirë e punëtoreve është një nga përfitimet e drejtpërdrejta me hyrjen në fuqi të MSA-së”, - deklaroi Bregu. Sipas saj, marrëveshja do të monitorohet nga strukturat e përbashkëta mes BE-së dhe Shqipërisë. Njëkohësisht, nga kjo marrëveshje, Shqipërisë do t’i duhet të realizojë mjaft kushte në shumë fusha të jetës, që nga reformat në tregun e brendshëm, konkurrenca, drejtësia, administrata, siguria e kufijve etj.
Lëvizja e mallrave
Sipas marrëveshjes, është vendosur gradualisht një zonë e tregtisë së lirë, e cila do të përfundojë brenda një periudhe maksimumi dhjetëvjeçare, duke nisur nga hyrja në fuqi, si dhe reduktimi tarifor gradual deri në janar 2011. Me hyrjen në fuqi të MSA-së nuk vendosen detyrime doganore të reja për importet ose eksportet, ose kufizime sasiore, ose tarifa të reja me efekt të njëjtë me to dhe as nuk rriten as ato që zbatohen tashmë në tregtinë e Komunitetit dhe Shqipërisë. Zbatimi i Marrëveshjes se Integrimit ka dhënë efektet e saj në shkëmbimin e mallrave bujqësore të vendit tonë me vendet e Bashkimit Evropian. Si rezultat i zbatimit të kësaj marrëveshjeje, gjatë vitit 2007-2008 shkëmbimi i mallrave bujqësore ka njohur një intensitet të lartë dhe me rritje të kënaqshme. Volumi i shkëmbimeve tregtare të produkteve bujqësore me Bashkimin Evropian për vitin 2007 ka arritur 274 milionë euro me një rritje prej 5.27 për qind ndaj vitit 2006. Ndërmarrjet që importojnë ose eksportojnë mallra, gëzonin mbrojtje ligjore pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes më 1 dhjetor 2006. Janë hequr tarifat doganore për importet dhe eksportet. Si rrjedhojë, importuesit dhe eksportuesit janë ligjërisht të mbrojtur dhe janë të garantuar. Shqipëria nëpërmjet Marrëveshjes së Përkohshme mori pjesë tërësisht në tregun e brendshëm. Qarkullimi i lirë i mallrave kërkon garantimin e sigurisë së produkteve të nxjerra në qarkullim. Palët do të bashkëpunojnë për përafrimin e standardeve për mbrojtjen e konsumatorëve në Shqipëri me standardet komunitare.
Tatimet
Në fushën e tatimeve synohet marrja e masave për forcimin e reformave të mëtejshme në sistemin fiskal dhe në ristrukturimin e administratës së tatimeve me synimin që të sigurohet efikasitet në mbledhjen e taksave dhe në luftën kundër evazionit fiskal. Detyrimet për këtë fushë, të cilat e kanë filluar efektin e tyre që me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Përkohshme, janë krijimi i një autoriteti funksional e të pavarur për çështjet e konkurrencës dhe zbatimi i parimeve të Komunitetit për ndërmarrjet publike. Për sa u përket prokurimeve, detyrimet e kanë filluar efektin e tyre që me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Përkohshme, konkretisht garantimi për kompanitë komunitare të vendosura në Shqipëri, i të njëjtit akses për procedurat e dhënies së kontratave, si kompanive shqiptare; si dhe garantimi për kompanitë komunitare jo të vendosura në Shqipëri, i të njëjtit trajtim, në lidhje me kontratat publike.
Lëvizja e lirë e punëtorëve
Me hyrjen në fuqi të MSA-së palët do të sigurojnë reciprocitet të trajtimit të punonjësve të punësuar në mënyrë të ligjshme në territoret respektive. Bashkëshortet dhe fëmijët rezidentë në mënyrë të ligjshme të një punonjësi të punësuar ligjërisht në territorin e një shteti anëtar gëzojnë akses në tregun e punës së shtetit anëtar përkatës, gjatë periudhës së qëndrimit të autorizuar për punësim të punonjësit. Gjithashtu, do të vendosen rregulla për bashkërendimin e sistemeve të sigurimeve shoqërore për punonjësit me nënshtetësi shqiptare, të punësuar ligjërisht në territorin e një shteti anëtar dhe për pjesëtarët e familjeve të tyre që janë ligjërisht rezidentë aty.
Drejtësia
Për sa i përket drejtësisë, Shqipëria duhet të bashkëpunojë me Bashkimin Evropian për të forcuar institucionet e saj në të gjitha nivelet, por në veçanti ato institucione që kanë të bëjnë me zbatimin e ligjit dhe administrimin e drejtësisë. Bashkëpunimi ndërmjet palëve synon fuqizimin, pavarësinë dhe efektshmërinë e funksionimit të sistemit gjyqësor dhe strukturave të tjera përgjegjëse për vendosjen dhe respektimin e shtetit ligjor. Bashkëpunimi në fushën e drejtësisë, lirisë dhe sigurisë do të mbështetet në dy shtylla kryesore. Shtylla e parë lidhet me bashkëpunimin në fushën e lëvizjes së lirë të personave dhe parashikon një sërë dispozitash për vizat, azilin, migracionin, menaxhimin e kufirit dhe politika të tjera që kanë të bëjnë me lëvizjen e lirë të njerëzve. Shtylla e dytë lidhet me bashkëpunimin në luftën kundër fenomeneve të krimit të organizuar, terrorizmit, pastrimit të parave dhe drogave të paligjshme dhe parashikon dispozita sipas të cilave Shqipëria dhe Bashkimi Evropian do të angazhojnë strukturat e tyre policore dhe gjyqësore në një luftë të përbashkët kundër fenomeneve të lartpërmendura.
Lëvizja e lirë
Për të lëvizur pa viza në territorin e shteteve të Bashkimit Evropian, duhet që pikësëpari Shqipëria të arrijë disa standarde në lidhje me vizat, menaxhimin e kufirit, azilin, migracionin, parandalimin dhe kontrollin e imigrimit të paligjshëm, si dhe të nënshkruajë marrëveshje ripranimi me Bashkimin Evropian. Deri tani, me masat e marra nga qeveria, janë plotësuar një sërë angazhimesh në fushat e lartpërmendura. Zbatimi i Marrëveshjes së Ripranimit ndërmjet Komunitetit Evropian dhe Republikës së Shqipërisë për ripranimin e personave që qëndrojnë pa autorizim po vijon normalisht. Po në këtë kuadër, janë nënshkruar protokolle zbatimi me vende të ndryshme të BE-së dhe marrëveshje ripranimi me vendet e treta.
Administrata publike
Administrata publike ka një rol thelbësor në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. Është administrata publike që ka detyrën të vërë në zbatim angazhimet që ndërmerr qeveria shqiptare në këtë proces. Ashtu siç është përmendur më lart, administrata publike po vazhdon të stabilizohet, me masat legjislative dhe ato organizative që janë ndërmarrë nga qeveria. Bashkëpunimi me Bashkimin Evropian në këtë fushë do të synojë forcimin e administratës publike, si një bazë për të forcuar shtetin ligjor dhe për të siguruar mirëqeverisjen e vendit. Për të arritur këtë, adminstrata publike duhet të tregohet më transparente, e hapur, e përgjegjshme, efikase dhe koherente.
Të rinjtë republikanë dhurojnë gjak
Anëtarët e Forumit Rinor të Partisë Republikane dhuruan dje gjak tek Qendra e Transfuzionit të Gjakut. Ky dhurim do të shkojë për fëmijët e sëmurë me talasemi. Me këtë aktivitet, këta të rinj përçuan mesazhin sensibilizues për nevojën e gjakut për grupin e talasemikëve. Në këtë mënyrë të rinjtë e PR-së iu drejtuan të gjithë të rinjve të kryeqytetit, por dhe gjithë shqiptarëve në përgjithësi, që të dhurojnë gjak, pasi dhurimi shpëton një jetë dhe në këtë rast, një jetë të rëndësishme, siç është ajo e një fëmije. Të rinjtë e PR-së premtuan se në forumin e tyre do të bëhet traditë dhurimi periodiki gjakut për t’u ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë. Njëkohësit, ata ftuan bashkëmoshatarët e tyre për të dhuruar gjak në ndihmë të jetës. Forumi Rinor i PR-së u bëri thirrje edhe anëtarëve të rretheve që të shkojnë në qendrat spitalore të qyteteve të tyre për të dhuruar gjak.