E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi në Danimarkë: Lëvizja e lirë, domosdoshmëri për shqiptarët



Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cili ndodhet për vizitë në Mbretërinë e Danimarkës, u prit dje nga Kryeministri danez, Anders Fogh Rasmusen, me të cilin preku çështjen e liberalizimit të vizave për vendin tonë me vendet e BE-së. Kryetari i shtetit vlerësoi në mënyrë të veçantë ndihmën dhe kontributin e deritanishëm që Danimarka i ka dhënë Shqipërisë për ndërtimin e demokracisë dhe mbështetjen, që vazhdon të japë për integrimin e Shqipërisë në strukturat evropiane dhe euroatlantike. Presidenti Topi vlerësoi veçanërisht dhe rolin individual të Kryeministrit Rasmusen, si një mbështetës i çështjes shqiptare, duke shprehur mirënjohjen edhe për rolin e luajtur për zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe njohjen e menjëhershme dhe pa rezerva të pavarësisë së saj. Në vijim të takimit, Presidenti i Republikës bëri një pasqyrë të shkurtër të zhvillimeve të brendshme në vend, ku nënvizoi rëndësinë e reformës kushtetuese, reformës zgjedhore, asaj në drejtësi, por edhe në ekonomi, si faktorë të rëndësishëm, jo vetëm në ecurinë pozitive të zhvillimeve në vend, por dhe në nxitjen e proceseve integruese të Shqipërisë. Në këtë kontekst, Presidenti Topi u shpreh se “ne jemi të ndërgjegjshëm për rëndësinë e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit 2009, si momentin më të rëndësishëm historik pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, jo vetëm si tregues i një stabiliteti të konsoliduar politik në vend, por edhe si kriter thelbësor i pritshëm, për kandidaturën tonë për anëtarësim në BE”, - duke theksuar “vullnetin dhe angazhimin për realizimin në vend të zgjedhjeve të lira, të ndershme, të pakontestuara dhe sipas standardeve ndërkombëtare”. Topi u shpreh i bindur në mbështetjen e Danimarkës për liberalizimin e vizave, duke vlerësuar se “lëvizja e lirë përbën domosdoshmëri thelbësore për shqiptarët, qoftë si element i afërsisë euro-integruese dhe njohjes reciproke me familjen evropiane, qoftë si lehtësi ndaj barrierave të ndryshme, me qëllimin zhvillimin ekonomik të vendit”. Nga ana e tij, Kryeministri Rasmusen pasi uroi mirëseardhjen dhe shprehu urimet më të mira për anëtarësimin e vendit tonë në NATO theksoi se “Aleanca ndihet më e plotësuar e më e sigurtë dhe është e lumtur pas shtimit të radhëve të saj me dy anëtarë të rinj, si Shqipëria dhe Kroacia”. Ai gjithashtu vuri në pah nevojën dhe theksoi “rëndësinë e forcimit të lidhjeve me vendet e Ballkanit Perëndimor”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›