E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli në fshatrat antikomuniste: NATO, ëndrra juaj



Anëtarësimi i vendit në NATO është një ogur i madh dhe si i tillë duhet dëgjuar nga çdo shqiptar. Me këtë moto kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ashtu si Kryeministri Berisha, ka ndërmarrë një tur takimesh në vend për të sensibilizuar qytetarët për këtë ngjarje historike. Por në këtë moment historik, kryeparlamentarja Topalli është kujtuar pikërisht për ata që më shumë se kushdo e ka dëshiruar këtë ditë, antikomunistët, të persekutuarit e atij regjimi që e ndau vendin tonë nga Perëndimi për një gjysmëshekulli. Ajo u takua dje me banorët e komunave Mnel-Vik, Hajmel e Vau i Dejës, komunat që kanë ndjerë më së shumti persekutimin dhe kalvarin e gjatë të vuajtjeve në diktaturën komuniste. Për ata, NATO merr një kuptim simbolik, një vlerë shpirtërore të madhe. Duke folur para banorëve të kësaj zone, Topalli ka shprehur shqetësim për qëndrimet e opozitës në prag të anëtarësimit në NATO. “Ju si komunë keni vuajtur dhe jeni persekutuar si pakkush nga komunizmi. Natyrisht, për ju Shqipëria në NATO merr domethënie të jashtëzakonshme. Unë ndihem mirë që jam sot këtu, vetëm 1 ditë pasi në Parlamentin e Shqipërisë kemi votuar në parim dhe nen për nen ligjin “Për dëmshpërblimin e ish-të persekutuarëve, të burgosurve, të internuarve nga sistemi komunist””. Ky ishte një detyrim i yni dhe këtë ne po e përmbushim”, - tha ajo. Por më tej, ajo iu referuar qëndrimit të opozitës për këtë ligj, duke shtuar se “ndjej keqardhje për qëndrimin e disa deputetëve të opozitës, të cilët abuzonin me atë shtresë shoqërore, që është viktimë e krimeve të komunizmit, që ka vuajtur më shumë se askush tjetër gjatë asaj periudhe, duke e klasifikuar me një fjalor, që më kujtonte atë të 20 viteve më parë. Kjo ishte shumë e trishtueshme ta dëgjoje, por ne jemi të vendosur të shohim përpara. Unë mendoj se hyrja në NATO, edhe këtyre 3, 4, apo 5 deputetëve, do t’u bëjë shumë mirë”.

Premtimet e mbajtura

Por hyrja në NATO nuk është vetëm një fjalë goje. Kryeparlamentarja ka kujtuar se në 4 vjet qeverisje të së djathtës janë realizuar premtimet dhe do të punohet më shumë në mandatin e dytë. “Deri katër vite më parë, të braktisura dhe të harruara, pa projekte zhvillimi, sot banorët e Mnel-Vik, Hajmel janë dëshmitarë dhe mbështetës të ndryshimit”, - tha ajo. Kryetarja e Kuvendit u tha banorëve të këtyre zonave "se Shqipëria në NATO do të thotë më shumë mirëqenie, siguri dhe rritje ekonomike, një të ardhme më me perspektivë për fëmijët tuaj dhe të gjithë Shqipërisë”. Duke e quajtur një mrekulli dhe një ëndërr të bërë realitet, Topalli e lidhi këtë akt me të ardhmen e shqiptarëve, që sipas saj, do të ndikojë tek çdo njeri. Por ky takim nuk mund të mbyllej pa bërë dhe premtimet për 4 vitet e ardhshme. “Në mandatin tonë të dytë, fonde të tjera më të mëdha do të lëvrohen për banorët e kësaj komune dhe në tërësi për çdo komunë, të destinuara si për bujqësinë, ashtu dhe për infrastrukturën. Në mandatin e dytë, kur unë të vij pas një viti, jam e sigurt se do ta gjej këtë rrugë të asfaltuar”, - tha ajo.

“Ju keni parë gjatë kësaj periudhe se fjalët tona nuk mbeten fjalë, se fjalët tona janë kthyer në vepra, në shtrim rrugësh, në rritje pagash, në rritje pensionesh, në investime të huaja, në privatizime të suksesshme”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›