E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia e Tiranes 7 projekt-vendime per miratim ne Keshillin Bashkiak

Këshilli Bashkiak i Tiranës do të miratojë ndër të tjera në mbledhjen e tij një dhe projektvendimin për vendosjen e memorialit për simbolet e diktaturës. Bashkia e Tiranës ka propozuar vendosjen e “Memorialit për Simbolet e Diktaturës “POSTBLLOK”, projekt ky në bashkëpunim me artistët Fatos Lubonja dhe Ardian Isufi.
Sipas njoftimit të vënë në dispozicion për median nga zyra e shtypit pranë bashkisë, bëhet e ditur se karakteristikë e veçantë e këtij kompleksi është se të tre objektet  janë autentikë  dhe vijnë në formë “artifakti”, çka do të thotë që bartin në vetë trupin e tyre gjurmët e asaj kohe.
Gjithashtu,  ndërhyrja artistike do të realizohet në një hapësirë urbane historike në hyrje të Bllokut, pra pikërisht në vendin ku Bunkeri është instaluar qysh në kohën e diktaturës, ku  do të ndërtohet memoriali si një metaforë e “arkeologjisë” së vuajtjes dhe dhimbjes.
Muri i Berlinit është një copë e murit, dhuratë që i është bërë Bashkisë së Tiranës nga Bashkia e Berlinit. Shtyllat e galerisë janë marrë nga miniera e kampit famëkeq të Spaçit.
Muri i Berlinit: i njohur në të gjithë botën, është i mbushur me histori, që na kujtojnë ndarjen e botës komuniste nga pjesa tjetër e botës, luftën e ftohtë, izolimin si mjet sundimi, mungesën e komunikimit, tentativat për ta kaluar atë në kërkim të lirisë, vrasjet rrëzë tij dhe më në fund shembjen e tij.
Bunkeri: me një simbolikë veçanërisht shqiptare, evokon izolimin e Shqipërisë, paranojat e diktaturës,  mundin e njerëzve për t'i ndërtuar ato nëpër të gjithë territorin e Shqipërisë, si fragmente të një piramide gjigante absurde.
Objekti i tretë është një organizim shtyllash betoni, i një fragmenti galerie miniere si ato ku kanë punuar ish të burgosurit. Ai synon të evokojë mundimin e gulakëve komunistë, punën e papaguar prej skllavi, por edhe skllavërimin e pjesës më të madhe të popullsisë në burgun e madh, pasi pamje të tilla rrënojash të asaj kohe janë pjesë e peisazhit shqiptar anë e kënd.
Ndërkohë që Bashkia e Tiranës ka propozuar vendosjen e bustit Sabri Godo në në lulishten përpara parlamentit, ngjitur me shëtitoren "Murat Toptani". Gjithashtu, bashkia ka propozuar vendosjen e busti Jeronim De Dada në lulishten përpara parlamentit.

Po kështu ajo ka propozuar dhënien e titullit mirënjohje e qyteti për humoristin e Estradës së Tiranës,  Veli Rada dhe artistit të mirënjohur të folklorit shqiptar , Haxhi Maqellara.
Njëkohësisht bashkia ka propozuar dhe emërtimin e rrugës me emrin e Profesor Doktor,  Skënder Xhikut.
Gjithashtu, ndër propozimet, Bashkia ka vendosur dhe çmimet e taksive që operojnë me taksimetër. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›