E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia e Tiranës: Plani ynë për Ujësjellësin

Planifikimi
Vendorët shpjegojnë arsyet se pse nuk e marrin në dorëzim këtë ndërmarrje dhe çfarë po përgatisin për të ardhmen

“çështja e furnizimit me ujë dhe kanalizimet është parashikuar si një funksion i vetë bashkisë që në vitin 2000 në Ligjin për Organizimin dhe Funksionimin e Qeverisjes Vendore. Pavarësisht propozimeve të bashkisë mbi transferimin e këtij funksioni, bazuar në një sistem menaxhimi dhe operimi që siguron sukses në përpjekjet për përmirësimin e shërbimit, ky funksion ende nuk i është transferuar bashkisë me një paketë të plotësuar parakushtesh transferimi, si të periudhës tranzitore (menjëherë mbas transferimit si subvencionimi i humbjeve, ato sociale dhe investimet në proces etj.) ashtu edhe në periudhën vijuese të rimëkëmbjes së sistemit”. Kështu shprehen përfaqësuesit zyrtarë të Bashkisë së Tiranës lidhur me çështjen ende të pazgjidhur të kalimit në kompetencat e saj të Ndërmarrjes së Ujësjellës- Kanalizimeve të kryeqytetit. Ata vijojnë më tej duke theksuar se në vitin 2007 është miratuar një VKM për transferimin e aksioneve të Ujësjellësit në 18 njësitë vendore të rajonit të Tiranës. “Bashkia e Tiranës nuk është dakord me këtë skemë dhe ka paraqitur propozimet konkrete mbi ndryshimin dhe përmirësimin e skemës së transferimit”, shprehen ata. Sipas përfaqësuesve të bashkisë, pa u plotësuar disa parakushte ose propozime me gjithë tentativat e tyre për t’i negociuar ato, Bashkia e Tiranës nuk do ta marrë përsipër këtë shërbim, pasi skema nuk ofron asnjë mundësi që ajo ta kryejë me sukses këtë punë.
Disa nga parakushtet që duhet të plotësohen nga ana e qeverisë janë: një proces transferimi i drejtë, i hapur dhe transparent i Ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizimeve tek njësitë e qeverisjes vendore përbërëse, përfshirë edhe Bashkinë e Tiranës, për sa i takon implikimeve financiare, teknike e sociale të këtij transferimi. Po kështu, skema e re e menaxhimit është bashkëpunimi mes Bashkisë së Tiranës dhe të gjitha komunave e bashkive fqinje. Një tjetër parakusht është ai që lidhet me krijimin e një autoriteti të përbashkët të Ujësjellësit të Tiranës së Madhe me komunat dhe bashkitë fqinje për politikat publike të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve dhe organizimin e ndërmarrjeve për ofrimin e shërbimit për çdo njësi vendore më vete.
Përfaqësuesit e bashkisë më të madhe në vend theksojnë gjithashtu, se bordi i autoritetit të përbashkët duhet të miratojë politikat konkrete të zhvillimit të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve për qytetarët, si dhe investimet. Ata shtojnë se duhet bërë riorganizimi i Ndërmarrjes aktuale të Ujësjellësit, si ndërmarrje operative që punon për ofrimin e shërbimit të përditshëm të furnizimit me ujë. Kjo, sipas tyre, do të lehtësojë skemën e administrimit dhe do të ofrojë shërbimin te qytetarët. Zbatimi i një skeme të re menaxhimi të ndërmarrjes dhe të ekipit profesional, sipas kapaciteteve të reja, është një tjetër nga kushtet e bashkisë kryeqytetase, për marrjen në dorëzim të Ndërmarrjes së Ujësjellësit. Ata sqarojnë se në pritje të përmirësimit të skemës së transferimit, Bashkia e Tiranës po punon me programin e hartimit të fizibilitetit teknik dhe financiar, si dhe planin afatshkurtër të veprimit për ndërhyrjet në sistem. Përpjekjet janë përqendruar në drejtim të sigurimit të financimit të asistencës teknike për hartimin e studimit të fizibilitetit teknik, si dhe të një plani afatgjatë investimesh kapitale për sistemin.
Tre drejtimet konkrete të asistencës teknike janë: paraqitja e projekteve për financim pranë BE-së “mbi përmirësimin e cilësisë së ujit dhe mbrojtjen e liqenit të Bovillës” si burimi kryesor natyror; asistenca teknike e SGI-së financuar nga BERZH; plani i investimeve kapitale, duke paraqitur termat e referencës së konsulencës pranë BERZH. Po ashtu, në mënyrë paralele, po parapërgatitet rritja e burimeve financiare të buxhetit të bashkisë për të përballuar shpenzimet dhe fondet e nevojshme për investime, pasi ta ketë marrë përsipër këtë shërbim.
Së fundi, në këto projekte përfshihet edhe marketingu për mundësi financimi nga organizma kredituese ndërkombëtare, me qëllim investimet kapitale në rrjetin e prodhimit dhe shpërndarjes së ujit e kanalizimeve. Drejtuesit e bashkisë konfirmojë se kanë marrë mbështetjen financiare të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, të cilët sipas tyre, presin vetëm transferimin e sistemit.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›