E Shtunë, 31 Tetor 2026

Procedurë e re për marrjen e pasaportave biometrike

Tiranë, 6 Shkurt NOA - Ministria e Brendshme ka
vendosur të aplikojë një procedurë të re për marrjen e pasaportave biometrike,
pas ankesave të shumë qytetarëve, kryesisht emigrantë për vonesa shqetësuese për
përftimin e dokumentit ndërkombëtar të identifikimit.

Fatmir Konja, zëdhënës i MB, në një dalje të
posaçme fillimisht tha se procesi i pajisjes së qytetarëve me pasaporta
biometrike, kryhet mbi rregulla të forta sigurie që nga momenti i aplikimit
deri në marrjen në dorëzim të pasaportës nga shtetasi.

Pikërisht në funksion të këtyre rregullave të
sigurisë, Ministria e Brendshme lajmëron qytetarët se për të marrë në dorëzim
pasaportën biometrike për të cilën kanë aplikuar, duhet të paraqiten më parë
tek punonjësi i policisë, i cili ndodhet në të njëjtin ambient me zyrat e
Aleat që shpërndajnë pasaportat biometrike.

Konkretisht, do të veprohet në këtë mënyrë:

- Në rast se shtetasi disponon pasaportë të
tipit të vjetër, punonjësi i policisë e bën atë të pavlefshme, duke i shpuar dy
vrima në kapak pa dëmtuar vizën, lejen e qëndrimit apo shënime të tjera që mund
të ndodhen në pasaportë dhe më pas ia dorëzon shtetasit.

-Në rast se shtetasi nuk ka qenë i pajisur me
pasaportë të tipit të vjetër, punonjësi i policisë pas verifikimit në sistem, i
lëshon vërtetimin përkatës.

-Në rast se shtetasi rezulton në sistem i
pajisur me pasaportë të tipit të vjetër dhe sqaron se nuk e ka pasaportën, për
arsye se i ka humbur, i është vjedhur apo dëmtuar, shtetasi drejtohet për të
deklaruar këtë tek komisariati i policisë që e ka lëshuar atë pasaportë. Aty
pajiset me vërtetimin përkatës nga specialistët e policimit në komunitet pasi
lëshon një deklaratë me shkrim lidhur me çfarë i ka ndodhur me pasaportën e
tipit të vjetër.

Në këtë mënyrë shtetasi do të mundet të
tërheqë pasaportën biometrike pranë zyrës së Aleat vetëm duke paraqitur ose
pasaportën e vjetër të bërë të pavlefshme nga punonjësi i policisë, ose
vërtetimin që nuk ka qenë i pajisur më parë me pasaportë, ose vërtetimin se
pasaporta i ka humbur, i është vjedhur apo dëmtuar.

Nëpunësi i Aleat verifikon pasaportën e bërë
të pavlefshme dhe ia dorëzon përsëri shtetasit ose administron vërtetimin sipas
të dy rasteve të sipërpërmendura, dhe më tej vijon me procedurën e dhënies së
pasaportës së re biometrike për shtetasin.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit
ka caktuar tashmë personat përkatës për kryerjen e kësaj procedure dhe ka dhënë
udhëzimet e nevojshme për një shërbim sa më të shpejtë e profesional ndaj
qytetarëve.

Ministria e Brendshme gjeti rastin tu bëjë
përsëri thirrje qytetarëve të paraqiten pranë zyrave të Aleat për të aplikuar
dhe për tu pajisur me pasaporta biometrike duke përforcuar kështu suksesin e
të gjithë procesit të përmbushjes së kritereve për përfitimin së shpejti të liberalizimit
të vizave me Bashkimin Europian.

Procesi i pajisjes së qytetarëve shqiptarë me
pasaporta biometrike po vijon me ritme të shpejta dhe treguesit e tij kanë
tejkaluar tashmë edhe parashikimet më optimiste të MB.

Konkretisht deri ditën e djeshme, datë
05.02.2010, sipas të dhënave nga kompania Aleat, numërohen rreth 475 mijë aplikime
për pasaporta biometrike.

e.r/NOA

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›