E Diel, 1 Nëntor 2026

Ukraina, në votën presidenciale. Vështirësia më e madhe, qetësimi i humbësve

Zgjedhjet
Vëzhguesit e huaj nuk e hedhin poshtë shkaktimin e ndonjë trazire dhe proteste

Humbësi i zgjedhjeve presidenciale ukrainase i raundit të dytë të tyre vështirë të  ketë mundësi që të shpallë humbjen e tij dhe, për më tepër, ta pranojë këtë fakt. Të paktën ky është mendimi i analistëve të cilët përballen me një situatë gjithnjë e më të tensionuar në Ukrainë. Madje, disa mendojnë se mund të organizohen edhe protesta masive nga mbështetësit e të dyja palëve, në rast se nuk do të bihet në një kompromis. Lideri pro-rus, Janukoviç, sipas sondazheve, ndodhet me 10% të pikëve në avancë krahasuar me kandidaten Julia Timoshenko, e cila aktualisht është Kryeministrja e vendit, por sipas shumë analistëve, raundi i dytë dhe i fundit i zgjedhjeve nuk do të ketë të njëjtat dasi si raundi i parë dhe kandidatët do të jenë më afër njëri-tjetrin në pikavarazh, çka mund të shkaktojë edhe kundërshti paszgjedhore. “Nëse Janukoviç do të fillojë të ndjejë se po i rrëshqet toka nën këmbë, ai do të nisë menjëherë konfliktin për të çuar zgjedhjet në krizë. Të njëjtën mënyrë mund të përdorë edhe kundërshtarja e tij, Timoshenko, e gatshme që të plasë një konflikt më të madh nëse do t’ia duan interesat e saj. Sipas rregullit, kandidati humbës do të duhet që të nënshkruajë një ankesë në Gjykatën Kushtetuese në përpjekje për ta riparë rezultatin. Me siguri që ai që do t’i humbasë zgjedhjet, do të nënshkruajë menjëherë ankesën për të përmbysur rezultatin. Sipas kreut të vëzhguesve të OSBNE-së, vështirësia më e madhe e zgjedhjeve në Ukrainë, një vështirësi që ka ekzistuar edhe në zgjedhjet e vitit 2004, është bindja e humbësit që të pranojë rezultatin. Një mandat më parë, ishte Janukoviç ai që fitoi, por opozita organizoi në shesh disa protesta të mëdha që zgjatën javë të tëra, derisa gjykata vendosi që zgjedhjet ishin të manipuluara dhe President i vendit u bë Viktor Jushçenko. E njëjta frikë ekziston edhe tani nga ana e vëzhguesve, të cilët nuk e përjashtojnë shpërthimin e ndonjë trazire nëse gjakrat do të nxehen shumë. Për sa i përket kandidates së dytë, Julia Timoshenko, që është edhe Kryeministrja e vendit, ajo erdhi në pushtet në vitin 2004 me Revolucionin e Portokallinjtë. Ajo fillimisht pati aleancë me Presidentin Jushçenko. Më pas, aleanca u prish për t’u ndrequr sërish. Gjatë këtyre viteve, Ukraina ka kaluar një periudhë shumë të vështirë ekonomike. Në vitin 2008, ekonomia pësoi kolaps dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar duhej të ndërhynte me një paketë shpëtimtare prej 16 miliardë dollarësh. Prodhimi Kombëtar Bruto ra me 15% në vitin 2009, sipas Bankës Botërore, e cila parashikon një rritje ekonomike shumë anemike edhe gjatë vitit në vazhdim. Gjithsesi, mënyra se si do të shkojë situata në vend, varet nga vota e sotme.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›