E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana, probleme me mungesën e ujit dhe dritave

Drejtuesit e institucioneve anashkalojnë përgjegjësitë e tyre
Në kryeqytet janë theksuar mungesat e furnizimit të rregullt me ujë dhe energji elektrike. Në shumë zona të Tiranës banorët ankohen se kanë filluar të përballen me kufizime të energjisë elektrike, ndonëse kjo gjë ka qenë krejt e papritur edhe për shkak të situatës së reshjeve të bollshme të kësaj periudhe. E njëjta situatë përsëritet edhe për sa i përket furnizimit me ujë. Mungesat e ujit të rrjedhshëm në shtëpi janë ndier përveçse në zonat problematike, që tashmë janë regjistruar në “memorien” e Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve, edhe në pjesë të tjera. Listës së ankesave i janë shtuar edhe zona të tjera, madje edhe më pranë qendrës së kryeqytetit. Banorët e Tiranës së Re janë ankuar sërish se kanë mungesa të ujit të rrjedhshëm në shtëpitë e tyre. Po kështu presioni i ujit në shtëpitë e tyre edhe gjatë kohës që vjen është shumë i ulët, duke u shndërruar në një problem serioz për ta dhe mbarëvajtjen e jetës së përditshme normale.
Nga ana tjetër, dy institucionet më të rëndësishme që kanë si klientë të gjithë banorët kryeqytetas, duken krejt të qetë përballë një situate të tillë. Kështu, përfaqësuesit zyrtarë të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së energjisë elektrike (OSSH) shprehen se nuk bëhet fjalë për ndërprerje të planifikuara të energjisë elektrike. Sipas tyre, mungesa e energjisë në disa zona të Tiranës lidhet me defektet në rrjet apo në sistemin e transmetimit. Por, kjo hidhet poshtë nga vetë banorët, të cilët pohojnë se një gjë e tillë po bëhet e përditshme vetëm se ndërprerjet nuk kanë një orar të caktuar fiks, por kryhen orë e pa orë.
Gjithashtu, përfaqësuesit e Ndërmarrjes së Ujësjellës- Kanalizimeve për Tiranën vazhdojnë të theksojnë se furnizojnë rregullisht kryeqytetin, pa marrë parasysh vjedhjet në rrjet apo çarjet e ndërhyrjet në tubacionet e tyre, gjë që ka sjellë për pasojë edhe rënien e presionit të ujit dhe në zona të tjera, madje mungesën e plotë të tij. E pavarësisht premtimeve për aksione kundër lidhjeve të paligjshme dhe shkaktarëve të këtyre ndërprerjeve, sërish ata që duhet të durojnë e të presin janë qytetarët. Ata shprehen se ndihen të indinjuar edhe për faktin se janë likuidues të rregullt të faturave të ujit. Por dyfishimi i çmimit të këtij produkti i ka bërë ata që të pohojnë se nuk do t’i paguajnë këto detyrime, në rast se nuk do të kenë furnizim të rregullt me ujë të rrjedhshëm.Tirana numëron të paktën pesë zona problematike të furnizimit me ujë të pijshëm. Njëra prej tyre, Kodra e Diellit, ka shumë kohë që përballet me këtë problem. Po kështu mungesa në furnizim ka edhe Kodra e Priftit, Komuna e Parisit, banesat pranë Liqenit Artificial të Tiranës, si dhe periferitë. Banorët e Kamzës pohojnë se kanë ujë në shtëpi vetëm dy apo tre orë gjatë gjithë 24 orëshit. Edhe gjatë kësaj kohe, sipas tyre, uji nuk ka presionin e duhur.
Ndërkaq drejtuesit e Ndërmarrjes së Ujësjellësit deklarojnë se me dyfishimin e çmimit të ujit, problemet do të zgjidhen, sepse do të kryhen investime në drejtim të rrjetit të shpërndarjes. Ata kanë premtuar edhe vendosjen e rreth 20 mijë ujëmatësve në kryeqytet, për ta faturuar këtë produkt me rentabilitet. Por ky është një numër tejet modest krahasuar me klientët që furnizon Ujësjellësi i Tiranës. E veç premtimeve, qytetarët e Tiranës presin edhe shërbim korrekt në shtëpitë e tyre.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›