Bashkia e Tiranës, abuzime të mëdha me fondet e qeverisë

Prej disa vitesh, Bashkia e Tiranës ka përdorur pjesën më të madhe të fondeve, që jepen nga pushteti qendror, vetëm për shtimin e administratës dhe aspak për investime.
Inspektime dhe më pas konstatime të ministrisë së Financave çuan në ndryshimin e ligjit të buxhetit, duke kushtëzuar përdorimin e fondeve të tilla për personelin. Kryetari i komisionit të Ekonomisë, Edmond Spaho sqaroi dje arsyet e kësaj mase.
Për herë të parë, qeveria shqiptare mori vendim që në buxhetin e vitit 2011 të vendosë kufij për shpenzime pagash nga pushteti vendor.
Nga inspektimet e Ministrisë së Financave për vitin e shkuar dhe jo vetëm, rezulton se disa bashkia e Tiranës i ka shpenzuar fondet e dhëna nga qeveria, vetëm për rritjen e pagave dhe aplikimin e shpërblimeve. Ishte kjo arsyeja, që Financat ndryshuan ligjin e buxhetit, duke vendosur kufizime. Duke e risjellë edhe njëherë në kohë, debatin dhe më pas votimin e buxhetit të këtij vitit, kryetari i komisionit të Ekonomisë, Edmond Spaho tha se udhëzimi i posaçëm i Financave u hartua pas konstatimeve mbi shpenzimin e fondeve të shtetit jo në shërbim të qytetarëve. Veçanërisht, nga bashkia më e madhe, ajo e Tiranës.
Në fakt bëhet fjalë për fonde që bashkitë i marrin nga qeveria përmes granteve të pakushtëzuara, pra fonde që jepen jo vetëm për paga, por edhe për investime.
Në lidhje me këtë, Spaho thekson se udhëzimi i zbatimit të buxhetit përcakton qartë kufirin e shpenzimeve vetëm për paga.
Sipas ndryshimit të bërë nga specialistë të Financave në ligjin e buxhetit aktual, bashkive u lënë hapësira për shpenzime në masën 20-30 për qind, komunave deri në 40 për qind, kurse qarqeve 50 për qind. Kjo bëhet veçanërisht e ndjeshme për ato bashki dhe komuna që nuk kanë votuar ligjin e buxhetit. Aktualisht, pa miratuar buxhetin për këtë vit janë Bashkia e Tiranës, Fierit dhe Patosit, të cilat do ta kenë tepër të limituar përdorimin pa kriter të buxhetit për paga dhe shpërblime.